Blitz

 Breaking News

13 vite LSI, Kryemadhi: Luftë frontale korrupsionit në Shqipëri

13 vite LSI, Kryemadhi: Luftë frontale korrupsionit në Shqipëri
September 06
11:58 2017

Ditën e sotme, Lëvizja Socialiste për Integrim feston 13 -vjetorin e krijimit. Sot, kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi, bashkë me përfaqësues të tjerë të kësaj force dhe të rinj kanë mbjellë pemë në zonën e Fushës së Aviacionit në Tiranë. Gjatë aktivitetit të organizuar me këtë rast, Kryemadhi u shpreh e bindur se qeveria e vogël do ketë korrupsion të madh dhe u betua për luftë frontale. Në ditëlindjen e 13-të të partisë, Kryemadhi ka deklaruar se LSI do të zhvillojë një luftë frontale dhe konstruktive ndaj korrupsionit.

“LSI u krijua si një forcë e re politike që solli ndryshime në jetën politike shqiptare jo vetëm në politikë, por edhe rini sepse në thelb kishte rininë. Sot e kujtojmë këtë ditë themelimi me dashuri të madhe dhe përgjegjësi sociale, ndryshe nga festat e zakonshme. Në këto 13 vite LSI u rrit si forcë politike, në të mirat e saj, sfidat e sakrificat që kaloi gjatë kësaj kohe. Jemi rritur e forcuar më shumë.

Zgjedhjet e 25 qershorit ,edhe pse të deformuara, 225 mijë e 73 votuesit kanë qenë heronj që edhe përballë presionit dhe policisë së kriminalizuar i besuan LSI-së. Përgjegjësia sociale ka qenë motoja e LSI-së që në themelimin e saj. Grupi parlamentar do të jetë shumë aktiv, me nisma jo vetëm në shërbim të qytetarëve, por do t’i shërbejë edhe qeverisë. Kemi një qeveri të vogël, por jemi të bindur që do jetë me korrupsion të madh. Lufta e LSI-së do jetë jo vetëm frontale, por edhe konstruktive për të adresuar dhe zgjidhur problemet”,- deklaroi Kryemadhi./Blitz.al/

Share