Blitz

 Breaking News

​Polikanët shqiptarë dhe përdorimi i rrjeteve sociale

​Polikanët shqiptarë dhe përdorimi i rrjeteve sociale
January 12
23:46 2017

Emisioni Opinion i mbrëmjes së të enjtes është fokusuar te politikanët kryesorë në vend, dhe përdorimi që ata i bëjnë rrjeteve sociale për qëllimet e tyre politike.

Një panel me të ftuar nga 2 krahët politikë, si dhe gazetarë e analistë i dhanë shpjegimin e tyre kësaj praktike komunikimi të politikanëve.
Nuk munguan në studio as “përplasjet” mbi keqpërdorimin e pushtetit politik dhe tentativën për të mos informuar dhe bllokuar median, siç tha Armand Shkullaku në debatin e tij me zv.kryetarin e bashkisë së Tiranës, Arbian Mazniku.
Të ftuar në emision ishin: Iris Luarasi, Mark Marku, Grida Duma, Arbian Mazniku, Redi Gjata, Lutfi Dervishi, Armand Shkullaku, Berat Buzhala.
Këto janë disa prej pjesëve më të rëndësishme të fjalës së disa prej të ftuarve:
Grida Duma: “Çfarë do të thotë ndërveprim, kur kemi një gjuhë, kur një qytetar i shkruan me një zhargon të përgjithshëm me arsyen të tërheqë vëmendjen e kryeministrit. Në këtë lloj komunikimi ne nuk kemi të bëjmë me ndërveprim, por as me ndonjë lloj informacioni dhe as me një relacion të vërtetës, këtu kemi të bëjmë me një rrëshqitje për t’u marrë me batutën. Kjo lloj praktike nuk është më veprim ndërkryeministror, por një ndërveprim batutash, i cili të hedh në një lëm tjetër”-tha Duma.
Arbian Mazniku:  Ekziston një lloj xhelozie ndaj mediave sociale, pasi ato kanë demokratizuar komunikimin dhe mbi të gjitha kanë hequr monopolin e komunikimit publik. Përgjatë 50-viteve të fundit, media, kishte monopolin e ndërmjetësit midis politikanëve dhe publikut, derisa ishin kthyer në aktorë politik në vetvete. Krijimi i rrjeteve sociale dhe zhvillimi teknologjik në 5-6 vitet e fundit, ka zvogëluar rolin ndërmjetës të mediave dhe i ka dhënë mundësinë individit të jetë ai aktor i komunikimit”.
Lutfi Dervishi: “Kryeministri raporton për vetveten, kryetari i bashkisë raporton për vetveten, kryetari i partisë raporton për vetveten. Dhe raportimi për vetveten do të thotë një dalje para pasqyrës, duke bërë makijazh. Dhe problemi është që mediat tradicionale ka rënë në këtë grackë. Në drekë, bëhet postimi në twitter apo facebook, në darkë e merr media tradicionale, ose në mëngjes e zbardh gazeta dhe në drekë e merr prapë televizioni. Dmth bashkohem me atë që thotë Shkullaku, sensi i raportimit kritik. Pyetja e madhe është kjo, si ndodh që zgjedhjet sot kemi arritur në pikën që zgjedhjet nuk raportohen më nga gazetarët”.
Armand Shkullaku: “Jemi i vetmi rast në botë që kryeministri xhiron veten dhe bën monolog një orë para një kompjuteri. Si dhe kemi një kryetar bashkie që mobilizon ekipe të tëra, filmon me dron dhe ajo serviret e gatshme. Është stil komunikimi e kohës sa Mao Ce Dunit. Ne jemi fiks sot në kohën e propogandës së Koresë së Veriut”.
Berat Buzhala: “Edi Rama kërkon të tërheqë vëmendjen e publikut me anë të rrjeteve sociale si bëri Kim Kardashian”

Share