Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

Zgjedhje teknike apo çështje politike? Përjashtimi i Valon Behramit nga Kombëtarja “copëton” Zvicrën…

Zgjedhje teknike apo çështje politike? Përjashtimi i Valon Behramit nga Kombëtarja “copëton” Zvicrën…
August 08
12:36 2018

Këto ditë në media po qarkullon lajmi se (tashmë ish) mesfushori i Kombëtares së Zvicrës me origjinë shqiptare, Valon Behrami është përjashtuar nga kjo kombëtare.

Lajmin e ka bërë të ditur vetë futbollisti nëpërmjet një postimi të shkurtër në Instagram, ku në foton e tij në fushë, shkruan:

“Karriera ime ndërkombëtare mbaroi. Kapitulli u mbyll”.

Një shkrim i cili që në pamje të parë duket se fsheh diçka. Për këtë Valoni ka folur për televizionin e kantonit Tiçino, duke treguar se problemet në Kombëtaren Zvicerane kanë filluar që pas gjestit të shqiponjës të bërë nga Xhaka dhe Shaqiri në ndeshjen Serbi-Zvicër në Kampionatin Botëror në Rusi.

Pas garës në Rusi dhe pas gjestit që bëri xhiron e botës, sekretari i përgjithshëm i Federatës së Futbollit të Zvicrës, Alex Miescher, dha një intervistë ku propozonte që Zvicra në të ardhmen të heqë dorë nga futbollistët me dy shtetësi. Behrami ka dalë në mbrojtje të futbollistëve me origjinë shqiptare dhe mendon se kjo është arsyeja që e ka penalizuar atë.

33-vjeçari është shprehur se të hënën kishte marrë një telefonatë nga trajneri Vladimir Petkoviç, i cili i kishte thënë se nuk kishte më ardhmëri në kombëtare, duke nënkuptuar kështu përjashtimin e tij.

“Trajneri mund të thotë çfarë të dojë, këtë mund ta bëjë edhe në të ardhmen, por ky është vendim politik. Është zgjedhja e tij pasi unë kundërshtova disa njerëz që nuk e kuptojnë se çka domethënë futbolli, sepse vetë nuk kanë luajtur kurrë futboll”.- ka shpjeguar më tej Behrami, duke thumbuar kështu dhe Federatën.

Federate zvicerane e futbollit ka dhënë një tjetër version, duke treguar se nuk ka lidhje me çështjet politike por me ato sportive. Sipas njoftimit të Federastës, Petkoviç ka pyetur Behramin çfarë planesh kishte, pasi synimi i tij ka qenë që të freskojë ekipin me lojtarë të rinj.

Dhe në fund janë mediat ato që japin verdiktin e tyre, ku shkruajnë se arsyeja për përjashtimin e Behramit nga skuadra ka qenë fakti se ai ka pasur shumë pushtet në ekip si dhe gazeta “Tages Anzeiger” ka aluduar se tensionet brenda ekipit mund të jenë shkaktuar pasi pas përfundmit të ndeshjes testuese kundër Greqisë në muajiin mars, në hotelin ku ishte grumbulluar ekipi, ka shkuar partnerja e Valonit, Lara Gut.

Kjo çështje që mban disa versione vetëm një gjë ka të sigurt: Largimin e Behramit nga Zvicra, të tjerat mbeten për t’u parë… /Blitz.al/

 

Komento
Shperndaje