Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

Vdes tifozi më i zjarrtë i Leicester City, fitoret e ekipit po e mbanin gjallë

Vdes tifozi më i zjarrtë i Leicester City, fitoret e ekipit po e mbanin gjallë
April 21
15:41 2016

Edhe pse kishte lindur në Adelaide të Australisë, Tony Skeffington që prej fëmijërisë ka qenë tifozi më i zjarrtë i Leicester City, duke e ndjekur ekipin e tij të zemrës në çdo ndeshje, edhe nëse këto ishin shumë larg prej vendit ku ai jetonte.

Në vitin 2015, Tony u diagnostikua me kancer, por bëri një premtim se do të luftonte me këtë sëmundje të keqe duke përdorur skuadrën e tij të zemrës si frymëzim.

Këto premtime të shumta dhe pozitiviteti që merrte  prej Leicester-it përktheheshin në fakt edhe në analiza më të mira, kohë pas kohe. Shumë fansa të tjerë të skuadrës, që vuanin nga sëmundje të ngjashme ose jo, duke marrë shembull Tony-n, filluan të mendonin më pozitivisht dhe ta kthenin dashurinë për skuadrën në forcë për të rikuperuar veten.

“Ka nga ata njerëz që nuk e kanë ndjekur kurrë futbollin, por u bënë tifozë të Leicester vetëm nga mënyra se si Tony adhuronte këtë skuadër”, – thotë gruaja e tij, Donna.

Historia e tij është bërë shumë e famshme nëpër rrjete online, ndaj dhe çdo lëvizje e Tony-t lidhur me skuadrën e tij bënte bujë dhe komentohej gjerësisht. Edhe vetë lojtarët e skuadrës, së bashku me stafin, kishin njohje e konsideratë të veçantë për të.

Ky sezon e ka gjetur Leicester City-n në një formë të mirë dhe analizat e Tony-t vazhdonin të përmirësoheshin.

Fitoret e djemve më jepnin një forcë të jashtëzakonshme për t’i bërë golin e fitores kancerit”, është shprehur Tony në mars të këtij viti.

“Vitin e kaluar, Tony-t i kishin dhënë maksimumi 4 javë jetë, skuadra vazhdonte të fitonte dhe ai jetoi mbi një vit më shumë, duke thyer çdo parashikim mjekësor. Leicester City po e mbante në jetë”, – është shprehur Donna.

Megjithatë, përtej të gjithë entuziazmit që patën të gjithë nga përmirësimet e dukshme të Tony-t, ky i fundit është ndarë sot nga jeta, duke i dhënë lamtumirën dashurisë së madhe për Leicester City-n, që me dhimbje ka lajmëruar humbjen e tifozit të tyre më të zjarrtë.

Etiketimet
Shperndaje