Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

“Tërmet” në “Allianz Arena”! Barcelona kualifikohet lehtësisht

“Tërmet” në “Allianz Arena”! Barcelona kualifikohet lehtësisht
March 17
07:52 2016

Një ndeshje “e çmendur” ajo në “Allianz Arena” për fazën e 1/8-ave të Champions League, ku deri në minutën e 90-të ekipi i Juventusit e shihte veten të kualifikuar në fazën çerekfinale.
Por nuk ishte e thënë të mbaronte kështu…

Ajo që nisi nga mediat si një ndeshje ku ekipi i Bajernit të Mynihut ishte me një këmbë në fazën tjetër, rezultoi e gabuar. Tri javë pas ndeshjes së parë të mbyllur me rezultatin 2-2, ekipi italian e nisi lojën më së miri duke kaluar në avantazh me anë të Pogbas, falë edhe e pakujdesisë së Neuer dhe Alaba. Një gol që shokoi lojtarët bavarezë dhe gjithë stadiumin. Vendosja perfekte taktike e italianëve në fushë e detyroi, për një pjesë të tërë, ekipin gjerman të qarkullonte topin pa rrezikuar asnjëherë seriozisht portën e Buffon. Këtë situatë Juventusi e shfrytëzoi më së miri, duke dyfishuar rezultatin në minutën e 28-të me anë të kolumbianit Cuadrado. U duk se rrjedha e lojës dhe 2 golat e pësuar e shkruan fatin e ndeshjes që në pjesën e parë, por jo.

Shpirti luftarak i Bajernit të Mynihut dhe ndërrimi i strategjisë së italianëve, të cilët vendosën të tërhiqen prapa për të ruajtur rezultatin, çoi në një 45-minutësh tjetër me vetëm një drejtim: Bajern i gjithi në sulm! Rezultuan të goditura futjet në lojë të Kingsley Coman dhe të Thiago Alcantara nga ana e Pep Guardiolas.
Ekipi gjerman arriti të shkurtojë diferencën nëpërmjet Robert Lewandowski në minutën e 73-të e më pas, atëherë kur gjithçka dukej e mbyllur, në minutën 90-të Tomas Muller barazoi rezultatin në 2-2.
Minutat shtesë treguan të njëjtën panoramë loje, ku ekipi i Juventusit shpresonte në një përfundim nga 11-metërshat, gjë që nuk u lejua nga gjermanët, të cilët në fillim me Alcantara në minutën e 108-të e më pas me ish-juventinin Coman në të 110-n e çuan në rezultatin përfundimtar në 4 -2 për Bajernin, i cili shkon drejt fazës çerekfinale.
Një zhgënjim i madh pra për italianët, të cilët panë gjithë “Allianz Arena”-n “t’u binte kokës” vetëm pak sekonda para përfundimit të 90-minutëshit.

Histori tjetër ajo në “Camp Nou”, ku dukej se fatet e kësaj faze ishin vendosur që në ndeshjen e parë në Londër, me rezultatin 0-2 në favor të katalanasve. Edhe këtë mbrëmje, ndeshja e luajtur në Spanjë ofroi të njëjtën pamje, me ekipin e Barcelonës superior ndaj anglezëve, të cilët pavarësisht rezultatit u prezantuan me dinjitet dhe bënë lojën e tyre të hapur. Ishte Neymar ai që hapi serinë e golave të rezultatit final 3-1 në minutën e 18-të.  Ekipi i Arsenalit u përgjigj nëpërmjet Alexis Sanchez në minutën e 51-të. Por sigurisht që brazilianit Neymar nuk mund të mos i bashkoheshin Suarez e Messi për të formuar treshen fantastike, të cilët, respektivisht në minutën e 65-të dhe 88-të, e çuan rezultatin përfundimtar të ndeshjes në 3-1. Ky rezultat e kaloi ekipin e Barcelonës në fazën tjetër të 8 ekipeve më të mira të Europës.

 

...

Komento
Shperndaje