Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

Tenis, Djokoviç kërkon falje!

Tenis, Djokoviç kërkon falje!
March 23
10:14 2016

Novak Djokoviç ka kërkuar falje për frazat seksiste të shprehura pak ditë më parë rreth vlerës monetare që meritojnë meshkujt në krahasim me femrat e tenisit.

Numri 1 i botës shkaktoi shumë zhurmë me fjalët e tij, kur tha se tenistët meshkuj meritojnë më shumë para, për arsye se tërheqin gjithmonë më shumë spektatorë në stadium dhe teleshikues.

Deklarata e serbit erdhi menjëherë pas fjalëve të drejtorit të turneut “Indian Wells”, Raymond Moore, i cili u shpreh se femrat duhet t’u ulen në gjunjë tenistëve si Roger Federer dhe Rafael Nadal e t’i falënderojnë që e kanë ngritur tenisin në nivelet e sotme.

Menjëherë pas “furtunës” që këto fjalë shkaktuan në botën e tenisit, serbi Djokoviç ka tentuar të qetësojë situatën nëpërmjet një statusi në Facebook, ku shkruan: “Mua m’u kërkua të komentoj disa polemika që nuk më përkisnin. Adrenalina dhe euforia pas fitimit të turneut ditën e diel më bënë të thosha ca gjëra që nuk përfaqësonin plotësisht këndvështrimin tim rreth çështjes dhe për këtë do doja të sqarohesha. Ashtu si të gjithë e dini, unë shqetësohem shumë për të ardhmen e këtij sporti, po aq sa për atë të të gjithë lojtarëve. Tenisi më ka ndihmuar shumë për të qenë ky që jam sot e për këtë ajo që desha të shprehja ishte ndarja më e mirë e parave si për meshkujt ashtu edhe për femrat. Të gjithë duhet të luftojmë për atë që na takon. Me këtë nuk kam dashur aspak të nxis luftën mes meshkujve dhe femrave. Kjo është e vërteta e mënyrës se si i shoh unë gjërat dhe dua t’i kërkoj falje kujtdo që i ka keqkuptuar fjalët e mia”.

Kështu mbyllet dhe shkrimi i Djokoviç në adresën e tij, me shumë mundësi i ndikuar nga reagimet negative të një pjese të madhe të botës së këtij sporti, që i cilësuan si fyese dhe jokorrekte ndaj kolegeve. Pas kësaj ngjarjeje, imazhi i turneut “Indian Wells” është dëmtuar dhe me shumë mundësi do të ndikojë në lindjen e konflikteve të reja.

Shperndaje