Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

Të gjithë kundër De Biazit…

Të gjithë kundër De Biazit…
November 14
12:06 2016

Orë të vështira për trajnerin e Kombëtares Shqiptare të Futbollit, Gianni de Biazi. Pas dy humbjeve radhazi, përkatësisht me Spanjën dhe Izraelin, pozitat e teknikut italian me pasaportë shqiptare janë lëkundur.

Më tepër sesa për këto humbje dhe pikët e lëna në këto eliminatore për Botërorin 2018, ajo që “djeg” më tepër në opinionin futbolldashës shqiptar është loja që nuk kënaq e Kombëtares.

Shumëkush e konsideron një mbingopje të lojtarëve që janë ende në delir pas Europianit 2016, disa të tjerë ia hedhin fajin trajnerit dhe zgjedhjeve të tij e shumë të tjerë sulmojnë politikat e Federatës Shqiptare të Futbollit me drejtuesit e saj, përfshirë presidentin Duka.

Por a ka një të keqe kjo Kombëtare për momentin dhe cila është ajo?

Le t’i marrim faktet me radhë.

E nisëm rrugën drejt Rusisë me 2 fitore të njëpasnjëshme me Maqedoninë në limit dhe me Lihtenshtajnin jashtë duke grumbulluar 6 pikë të plota. Në fakt për t’u kënaqur, por ajo që nuk bindi pas atyre fitoreve, pavarësisht se pakkush foli për të, ishte loja jo e mirë e skuadrës. Me Maqedoninë fituam në fund me një episod, ndërsa me Lihtenshtajnin ishte një provë e thjeshtë, e fituar me 2 raste më se normale në një ndeshje me një skuadër të këtij niveli.

Menjëherë pas tyre, 2 humbje të rënda. Pa lojë. Pa ide. Me probleme. Me Spanjën ishte tërësisht një dështim, me thuajse asnjë rast në portën kundërshtare, ndërkohë me Izraelin vendosën episodet në fillim të ndeshjes e më pas gjithçka rrodhi siç të gjithë e pamë qartë.

Disa akuzuan madje edhe për shitje ndeshjeje, siç është bërë tashmë zakon në mjedisin futbolldashës shqiptar, disa të tjerë e justifikuan me situatën e pazakontë të masave të ndërmarra nga policia për ruajtjen e rendit në prag të takimit, çka mund t’u ketë hequr fokusin lojtarëve nga ndeshja.

Megjithatë, asnjëri prej këtyre versioneve nuk bind.

Neptun Bajko e akuzoi De Biazin për amatorizëm, madje shkoi deri në akuza për shitje të ndeshjes me Francën në Europian. Ndërkohë, disa opinionistë të tjerë sportivë dhe ish-futbollistë kanë kërkuar dorëheqjen e De Biazit, sepse sipas tyre ai nuk ka ç’të japë më.

Por çfarë ka ndodhur në Kombëtare në ndeshjet e fundit?

Ergys Kaçe nuk luan më, sepse u grind me trajnerin. Amir Abrashi gjithashtu sepse u zëvendësua në ndeshjen me Lihtenshtajnin. Dionis Avdiaj, ylli i Schalke-s, zgjodhi Kosovën, jo neve. Edgar Çani, një nga më të dobëtit e Kombëtares është rikthyer kur nuk ka asgjë për të dhënë. De Biazi nuk jep më llogari tek askush dhe është bërë arrogant me mediat. Me pak fjalë, vetë Ali, vetë kadi, do të thuhej në gjuhën popullore.

E si përherë në një situatë të tillë vuajnë tifozët, ndërsa askush nuk merr përsipër minimumin e përgjegjësisë. Mbetet për t’u parë si do të vijojë më tej kjo krizë, nëse do të thellohet apo do të dilet shpejt prej saj. Analiza nga /Blitz.al/

Komento
Shperndaje