Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

Rrëmbehet në Meksikë, futbollisti i Olympiakos, Alan Pulido

Rrëmbehet në Meksikë, futbollisti i Olympiakos, Alan Pulido
May 30
09:35 2016

Futbollisti meksikan Alan Pulido, i cili luan për ekipin grek Olympiakos, është rrëmbyer në shtetin verilindor të Tamaulipas, një shtet i rrënuar nga krimi i organizuar. 25-vjeçari u rrëmbye të dielën në afërsi të qytetit të tij, Cuidad Victoria dhe lajmi është konfirmuar edhe nga i vëllai.

Autoritetet vendase ende nuk kanë dhënë shumë detaje rreth rrëmbimit të tij, shkakut pse ka ndodhur. Në vitin 2011, u nënshkrua një marrëveshje mes autoriteteve shtetërore dhe ushtrisë meksikane për rritjen e sigurisë në Tamaulipas dhe rreth 3.000 ushtarë u angazhuan, por marrëveshja ka skaduar dhjetorin e kaluar. Nëpër rrugë janë rikthyer sërish dhuna, vrasjet dhe sulmet ndaj bizneseve.

Vetë futbollisti Pulido mësohet se ka qenë i përfshirë në një mosmarrëveshje ligjore gjatë qëndrimit në klubin e parë Tigres të Monterrey. Gjatë këtij sezoni, ai shënoi pesë gola në tetë ndeshje, megjithatë nuk u përzgjodh për të luajtur në “Copa America” që nis javën e ardhshme. Sipas trajnerit, ai u la jashtë për shkak të një mosmarrëveshje ligjore.

Konfliktet mes bandave të drogës kanë shkaktuar dhjetëra mijëra të viktima në dekadat e fundit. Shumë të tjerë rezultojnë të zhdukur, ose janë zhvendosur. Një rast historik vijon të mbetet zhdukja e 43 studentëve nga një kolegj në Iguala, të Guerrero-s, në shtator të 2014-s.

Etiketimet
Shperndaje