Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

Mourinho “tradhton” Interin

Mourinho “tradhton” Interin
March 26
09:50 2016

Ndryshe nga ç’ka ndodhur deri sot, ajo që mund t’i vijë skuadrës dhe tifozave të Interit nga ish-trajneri Jose Mourinho është një surprizë e hidhur. Nëse arrihet kalimi i portugezit tek ekipi i Manchester United, atëherë Mourinho do të bëjë çmos që të tërheqë me vete një lojtar jo pak të rëndësishëm të ekipit italian.

Kujtojmë se futbollistët më të rëndësishëm për momentin në grupin e Roberto Mançinit janë Handanoviç, Miranda, Murillo, Brozoviç dhe Icardi, rreth të cilëve drejtuesit e klubit duhet të vendosin kë të shesin në merkaton e ardhshme, me qëllim mbulimin e borxheve të skuadrës.

Pikërisht nga kjo situatë do të përfitojë Jose Mourinho. Sipas tij, reparti i mbrojtjes i “djajve të kuq” ka më shumë nevojë për përforcime. Joao Miranda, kapiten i Kombëtares Braziliane, do të ishte futbollisti ideal për të ndërtuar bazat e një mbrojtjeje të konsoliduar e të besueshme.

Sipas asaj që raporton e përditshmja “Tuttosport”, Interi mund të jetë i gatshëm ta kryejë bëjë lëshim, por me dy kushte: ose në këmbim të më shumë se 20 milionë eurove ose në këmbim me Juan Matan. Një lëvizje e mundshme kjo e dyta, pasi fantazisti spanjoll nuk është një ndër të preferuarit e Mourinhos.