Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

Mediat e huaja: “Nëse Shqipëria largohet nga Euro 2016, të gjithë do të mërzitemi!”

Mediat e huaja: “Nëse Shqipëria largohet nga Euro 2016, të gjithë do të mërzitemi!”
June 20
20:32 2016

Ashtu siç të gjithë e keni parë në këto ditë të fazës së parë të Euro 2016, paraqitjet e Kombëtares Shqiptare të futbollit kanë marrë vëmendjen e shumë gazetave e “site”-ve europiane.

Një ndër to është edhe www.sbnation.com, ku lexohet se nëse Shqipëria nuk arrin të kualifikohet për fazën tjetër, do të ishte një lajm i keq për shumë njerëz, jo vetëm për shqiptarët.

Fitorja 1 me 0 ndaj Rumanisë i jep Shqipërisë një shans për t’u futur në grupin e 4 skuadrave më të mira të renditura në vendet e 3-ta, edhe pse golavarazhi nuk është shumë shpresëdhënës.

Kjo fitore duket si një shpërblim për punën e mirë të bërë në dy ndeshjet e para përballë Francës dhe Zvicrës, edhe pse rezultati final në të dyja këto ndeshje ishte zhgënjyes, duke marrë parasysh lojën e bërë.

Gëzimi i fitores së djeshme ju duk i ekzagjeruar? Pse? Përveç faktit se ishte fitorja e parë në një turne të këtyre përmasave, ishin 3 pikë plotësisht të merituara edhe si rezultat i gjithë ecurisë deri në mbrëmjen e djeshme. Ishte një provë se Kombëtarja Shqiptare i ka cilësitë për të luftuar edhe në nivelet më të larta e se nuk bëhet fjalë për çështje fati.

Asnjë skuadër tjetër në Euro 2016 nuk ka një histori më “të vakët” në nivele të tilla ndërkombëtare, ama pavarësisht këtij detaji futbollistët kuqezinj u paraqitën shumë më mirë sesa skuadra më e dobët e Euro 2016. Në 3 ndeshjet e para ata kanë kaluar çdo pritshmëri.

Grupi i drejtuar nga Gianni De Biasi është mbrojtur në mënyrë inteligjente, pa marrë një pamje “të shëmtuar”, ka sulmuar me ritëm të kënaqshëm, ka qenë i organizuar në mënyrën më të mirë të mundshme, duke siguruar kështu edhe një fitore.

Pas kësaj fitoreje historike, gëzimi i shfaqur është plotësisht i merituar.
Ajo që na mbetet të themi është se nëse e djeshmja ishte ndeshja e fundit e Shqipërisë në Euro 2016, të gjithë do të mërzitemi t’i shohim ata duke u larguar.

Etiketimet
Shperndaje