Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

Italia Kampione e Botës, 10 vjet më pas! Ku janë sot triumfuesit?

Italia Kampione e Botës, 10 vjet më pas! Ku janë sot triumfuesit?
July 09
13:39 2016

 

9 korrik 2006 – 9 korrik 2016

Kaluan 10 vjet nga mbrëmja e Berlinit, ku në 11-metërshin e fundit mbrojtësi Fabio Grosso mposhti portierin Barthez, gjë që u dhuroi italianëve yllin e katërt botëror.

Ishte mbrëmja e paharruar e pritjeve të Buffon, golit të Materazzi-t, goditjes famëkeqe me kokë të Zinedine Zidane, traversës së Trezeguet dhe e penalltive perfekte të italianëve.

Po sot, çfarë po bëjnë kampionët e atëhershëm të botës? Cili është aktiviteti i tyre?

1) BUFFON – 38 vjeç, ama nuk i tregon aspak. Kapiteni legjendar i Kombëtares Italiane, e cila doli me kokën lart nga Euro 2016. Për ta mbyllur në mënyrën më të mirë të mundshme, synon të jetë edhe në Kampionatin Botëror të Rusisë në vitin 2018, kur do të jetë 40 vjeç.

2) ZACCARDO – Në kujtesën e tifozëve vjen vetëm autogoli i realizuar në ndeshjen përballë Shteteve të Bashkuara, gjë që e bindi përfundimisht trajnerin Lippi të linte Grosso-n titullar. Në sezonin e fundit ka luajtur për Carpi-s, duke mbajtur shiritin e kapitenit e duke treguar se ende mund t’i japë këtij sporti.

3) GROSSO – Heroi i padiskutuar i Botërorit të 2006-s. U tërhoq nga futbolli i luajtur në vitin 2012. Sot është trajneri i ekipit të të rinjve të Juventus-it. Refuzoi ofertën e Crotone-s për të vazhduar punën me të rinjtë.

4) DE ROSSI – Kartoni i kuq i marrë përballë SHBA-ve rrezikoi ta linte pa të gjitha ndeshjet e tjera të Botërorit, por u rikthye në finale për të shënuar një nga 11-metërshat. Nuk ka hequr kurrë dorë nga Kombëtarja dhe nga Roma. Mungesa e tij kundër Gjermanisë në Euro 2016 ndikoi shumë, duke treguar se ende sot është një futbollist i rëndësishëm.

5) CANNAVARO – Kapiteni i cili ngriti kupën ka ndërmarrë karrierën e drejtuesit e më pas atë të trajnerit. Në fillim si zëvendës tek Al-Ahli, më vonë e provoi si trajner te Guangzhou në vend të Marcello Lippi-t. Tashmë ka firmosur për Tianjin Quanjian, skuadër e kategorisë së dytë kineze.

6) BARZAGLI – Titullar kundër Ukrainës në Botërorin e atëhershëm. Sot, një ndër më të vlerësuarit për rolin e tij, lider i Kombëtares dhe i Juventus-it. Lotët e tij pas ndeshjes përballë Gjermanisë në Euro 2016 i prekën të gjithë tifozët, të cilët shpresojnë ta shohin edhe në ndeshjet e ardhshme.

7) DEL PIERO – Tashmë nuk luan më, edhe pse zyrtarisht nuk është tërhequr ende pas eksperiencave në Australi e Indi. Shpesh bën komentuesin televiziv.

8) GATTUSO – E kush do ta kishte menduar se një ditë Rino Gattuso do të bëhej trajner? Në fillim Palermo, më pas Ofi Creta. Në vitin 2015 filloi eksperiencën me Pisa-n për të arritur suksesin e kalimit në Serinë B.

9) TONI – I dha fund karrierës para rreth 2 muajve, duke prekur shumë tifozë. Mbylli sezonin e tij të fundit në Serinë A italiane me 6 gola. Shpreson të rifillojë në botën e futbollit me një tjetër rol.

10) TOTTI – Me plot 248 gola është sulmuesi i dytë më i mirë i të gjitha kohërave në Serinë A. Nuk heq dorë ende, edhe pse kryesuesi Silvio Piola është 26 gola larg. Roma është ende e tij!

11) GILARDINO – Nuk resht kurrë së rëni violinës së tij të famshme. Pas shpëtimit të ekipit të Palermos, fillon një aventurë të re tek Empoli.

12) PERUZZI – I fundit që fizikisht i dha Kupën e Botës kapitenit Cananvaro. Në vitin 2012 ishte zëvendësi i trajnerit Ferrara te Sampdoria. Sot jeton në Blera, si një trajner i papunë.

13) NESTA – Pasi mbylli karrierën në kampionatin amerikan të futbollit, u bë trajner. Sot është në pankinën e skuadrës Miami FC, në SHBA.

14) AMELIA – Pas lamtumirës nga Milani, karriera e tij u duk se u mbyll. Në fillim një prezencë tek amatorët e Rocca Priora, më pas ajo me Perugia-n në Serinë B, deri te Chelsea si portier i tretë. Aktualisht është pa skuadër.

15) IAQUINTA – Karriera e tij u mbyll mes Juventus-it e Cesena-s, pas shumë dëmtimeve, në vitin 2012. Në 2015-n mori licencën për të bërë trajnerin, po për disa arsye jofutbollistike humbi nga skena.

16) CAMORANESI – Në 2014-n i dha lamtumirën futbollit pas eksperiencave me Lanus e Racing. Ka qenë trajner i Cores de Tepic në Serinë B meksikane, më pas te Tigre, derisa u shkarkua.

17) BARONE – Thuajse anonim gjatë Botërorit të Gjermanisë. Ka qenë trajner i të rinjve të Modena-s. Ndërkohë është zëvendës i Zambrotta-s në Indi te Delhi Dynamos.

18) INZAGHI – Pas shkarkimit nga skuadra e Milan-it, kaloi një periudhë pushimi. Sot e rinis aventurën nga stoli i Venezia-s.

19) ZAMBROTTA – Mbylli pa fat aventurën si trajner i Chiasso-s. Do të jetë trajneri i Delhi Dynamos në Indi.

20) PERROTTA – Pas një jete të tërë duke vrapuar në fushat e futbollit, sot komenton ndeshjet në televizion.

21) PIRLO – “Il maestro”. Sot është në fund të karrierës së tij magjike dhe luan te New York City.

22) ODDO – Njeriu i festave, më i karikuari në dhomat e zhveshjes pas fitores së Botërorit. Eksperienca e tij e parë si trajner ka qenë pozitive: me Pescara-n arriti të ngjitej në Serinë A.

23) MATERAZZI – Një ndër protagonistët e finales, mes golit, penalltisë dhe goditjes me kokë të pësuar. U rikthye në fushë në kampionatin indian, ku edhe ka trajnuar Chennaiyin. Ndërkohë po përpiqet të shpërndajë “brand”-in e tij të veshjeve sportive!

Komento
Etiketimet
Shperndaje