Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

(Intervistë) Luiza Gega: Nuk kam asnjë mbështetje për Lojërat Olimpike në Rio

(Intervistë) Luiza Gega: Nuk kam asnjë mbështetje për Lojërat Olimpike në Rio
July 14
10:32 2016

Pas fitores të Medaljes së Argjendtë në Kampionatin Europian të Atletikës, atletja shqiptare është kthyer në Shqipëri, ku nuk iu rezervua një pritje madhështore, nuk kishte asnjë përfaqësues qeveritar. Në një intervistë për Blitz.al ajo rrëfen emocionet e kësaj fitoreje, indiferencën e strukturave qeveritare, kushtet e vështira në të cilat stërvitet dhe angazhimin e saj në Lojërat Olimpike 2016.

Vetëm dy ditë më parë u shpallët nënkampione e Europës. Ç’do të thotë kjo fitore për ju dhe kujt ia kushtoni?

-Ishte një emocion i madh, pasi është medalja e parë që fitoj në një kampionat të tillë, çka do të thotë shumë për mua, për Federatën e Atletikës. Është medalja e parë që fitohet në kategorinë e këtij sporti në vendin tonë.

9’28”52 ishte minutazhi që ju siguroi medaljen e argjendtë, me një diferencë prej afro 10 sekondash nga kampionia. Mund të na përshkruani paksa emocionin e atyre minutave?

-Vajza që doli e para ishte favorite, megjithatë gara është garë dhe unë dhashë më të mirën time. Të tregohem e sinqertë, jam e kënaqur edhe me fitoren e medaljes së argjendtë.

Pas fitores u kthyet në shtëpi. Kë prisnit të ishte aty për t’ju mbështetur dhe për t’iu bashkuar gëzimit tuaj?

-Më priste familja ime, të afërm të mi, disa dashamirës që ndiheshin krenarë për mua dhe përfaqësues të federatës, të cilët i falënderoj që ishin aty në ato orë të vona duke ndarë me mua gëzimin e kësaj fitoreje.

Veç një grupi qytetarësh, asnjë përfaqësues nga qeveria, ministria, nuk ju mirëpriti. E zhgënjyer apo tanimë e mësuar?

-S’mund të them që ndihem e zhgënjyer, thjesht pritjet që janë planifikuar po zgjaten paksa. Këto ditë pritet të kem disa takime me zyrtarë të ndryshëm të sportit të atletikës dhe bashkisë, ku unë do të dëgjoj mendimet e tyre, ç’mendojnë për këtë fitore, a e meritoj unë…

Ndërkohë që një pritje krejt tjetër iu servir Kombëtares Shqiptare të Futbollit… Sipas jush, pse kjo diferencë?

-Sigurisht që të gjithë ndihemi krenarë për Kombëtaren tonë, ndaj ata ashtu e kanë menduar pritjen e përfaqësuesve të Kombëtares Shqiptare. Nuk mund të jap asnjë koment lidhur me këtë.

Përtej mirëpritjes së munguar, ju nuk keni një psikoterapist, një nutrionist apo masazhator. Nuk keni një vend ku të stërviteni. Keni ngritur ndonjëherë zërin për të drejtën tuaj?

-Është e vërtetë mungesa e këtyre që përmendët. Unë gjithmonë e kam ngritur zërin për këtë çështje, kam thënë gjithmonë se medaljet e mëdha nuk mund të vijnë pa punën e përbashkët të një ekipi, jo vetëm me angazhimin tim dhe të trajnerit. Sigurisht që kam nevojë për një masazhator apo dhe fizioterapist. Deri tani nuk është bërë asgjë, shpresojmë se gjërat do të ndryshojnë.

Përpara prishjes së stadiumit “Qemal Stafa”, stërviteshit aty. Si ishin kushtet në stadiumin që tashmë ia ka lënë vendin “Arenës Kombëtare”? Në ç’kushte stërviteshit?

-Në fakt edhe përpara prishjes së stadiumit “Qemal Stafa”, stërvitesha më tepër në Dardhë të Korçës, ndërsa stërvitjen speciale e zhvilloja te stadiumi “Skënderbeu”. Më duhet që detyrimisht stërvitjen ta kryej në lartësi, por herë-herë vij edhe në Tiranë. Sa i takon stërvitjes te “Qemal Stafa”, pista e vrapimit nuk ishte në gjendje të mirë, megjithatë ishte dhe sidoqoftë mund të stërvitesha. Tanimë nuk kam ku të stërvitem kur vij në Tiranë, jam e detyruar të shkoj në Elbasan, çka është shumë e lodhshme.

Vajza e rekordeve kombëtare nga 800 deri 10 mijë metra do të na përfaqësojë në Lojërat Olimpike që do të zhvillohen në Rio. Ju është premtuar mbështetje në këtë pjesëmarrje tuajën?

-Të them të vërtetën nuk kam pasur ndonjë mbështetje lidhur me këtë. Sikundër vitet e tjera, asgjë më shumë, asgjë më pak.

Pas shkëlqimit në garat e Amsterdamit, çfarë synon Luiza Gega në Lojërat Olimpike?

-Përmasat e këtij eventi nuk krahasohen me ato të garave të Amsterdamit. Marrin pjesë përfaqësues të shumtë dhe konkurrenca është më e madhe, vështirësitë edhe më të mëdha. Synimi im parësor është të hyj në finale, sigurisht që pastaj gjithçka i lihet garës se si do të shkojë.