Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

(Intervistë) Emanuela Rusta, arbitrja e parë shqiptare me stemën e FIFA-s: “Neve nuk na shajnë si arbitrat djem. Qëllimi im, të bëhem shpejt e njohur ndërkombëtarisht…”

(Intervistë) Emanuela Rusta, arbitrja e parë shqiptare me stemën e FIFA-s: “Neve nuk na shajnë si arbitrat djem. Qëllimi im, të bëhem shpejt e njohur ndërkombëtarisht…”
February 28
16:27 2019

Futbolli është një sport mjaft i dashur dhe i kërkuar jo vetëm në Shqipëri por në të gjithë botën. Pavarësisht se gjithmonë është parë si sport djemsh, kohët kanë ndryshuar dhe sot është gjithnjë e më i madh numri i vajzave që e kanë pasion dhe e shohin të ardhmen e tyre në këtë fushë.

Vitet e fundit në Shqipëri ëshë zhvilluar shumë edhe futbolli për vajza, ku përveç lojtareve në këtë sport kemi edhe arbitre mjaft të zonjat.

Emanuela Rusta, ju kujton gjë ky emër?

Sigurisht që po, Emanuela është arbitrja e parë vajzë që theu barrierat dhe u fut në historinë e futbollit shqiptar. Në muajin janar ajo fitoi stemën nga FIFA, institucioni më i lartë i futbollit botëror dhe do të përfaqësojë vendin tonë në arenën ndërkombëtare. Më poshtë mund të lexoni intervistën e saj të dhënë për Blitz.al:

  1. Emanuela, si e ke nisur karrierën si arbitre?

Karriera si arbitre ka nisur rastësisht nga një miku im që më sugjeroi arbitrimin, pasi në Shqipëri për femra ishte thuaje inekzistent.

  1. Si lindi dëshira për të qenë arbitre futbolli, apo nuk u bëre dot futbolliste dhe the “po bëhem arbitre”?

U bëra arbitre se më pëlqeu si profesion. Nuk ishte synimi im për t’u bërë futbolliste pasi isha basketbolliste deri në momentin që nisa arbitrimin.

  1. Të jesh një arbitre vajzë mes shumë djemsh, sa e vështirë është?

Nuk është e vështirë, përkundrazi arbitrat djem na suportojnë për t’u përmirësuar në këtë fushë, pasi zhvillojmë seminare edhe me ta rreth rregullores.

  1. A ndjen konkurrencë apo përbuzje nga seksi i kundërt në punën që bën? Po nga seksi i njëjtë?

Nuk kemi konkurrencë, aq më tepër përbuzje! Ne mësojmë nga njëri-tjetri dhe mbi të gjitha nga arbitra të cilët kanë më shumë vite eksperiencë.

      5. Si ka avancuar futbolli i vajzave në Shqipëri?

Futbolli i vajzave në Shqipëri këto vitet e fundit është zhvilluar shumë, është rritur më shumë numri i ekipeve të futbollit.

  1. Duke pasur parasysh faktin se për futbollin e luajtur nga djemtë flitet më shumë, a i kushtohet edhe futbollit të vajzave e njëjta rëndësi?

Po, tani po i kushtohet rëndësi edhe futbollit të vajzave dhe po e ndjekin më shumë nëpër stadiume. Po i mbështesin nëpër ndeshje, ndoshta jo sa djemtë por besoj shumë shpejt mund të ketë më shumë ndjekës për futbollin e vajzave.

  1. Po ju arbitreve vajza ju shajnë siç shajnë djemtë në stadium?

Jo, nuk na shajnë, madje na respektojnë kur na shohin duke gjykuar.

  1. Po i dashuri e ka problem faktin që ushtron këtë lloj profesioni?

Përderisa po e vazhdoj këtë profesion më mbështesin!

  1. Je arbitrja e parë që merr stemën e FIFA-s, si ndihesh për këtë?

Krenare për veten padiskutim, është arritje e punës gjithë këto vite.

  1. Si arriti Emanuela tek FIFA, si të erdhi ftesa?

Federata Shqiptare e Futbollit propozon tek UEFA arbitret që për të janë të përgatitura dhe të perspektivës, por gjithmonë duke respektuar limitin e moshës që duhet për t’u bërë arbitre ndërkombtare.

  1. Emri yt ishte në 4-shen fituese nga 38 vajza, a ka ndikuar ky triumf në punën tënde? Pra a mbahesh pak më shumë me hatër nga FSHF-ja tani se vajzat e tjera?

Kjo ishte një nga arritjet shumë të mëdha për Federatën tonë, pasi jemi vend i vogël, por që mundohemi dhe punojmë shumë për të arritur aty ku duhet. Jo, nuk mbahem me hatër nga FSHF-ja, thjesht nuk heq dorë për gjërat që dua.

  1. Këtë gjë po e ushtron si pasion ndërkohë që bën edhe një punë tjetër, apo arrin të mbash veten me të ardhurat e kësaj pune?

Jam mësuese në gjimnazin “Dhaskal Todri” në Elbasan. Arbitrimi është pasion, por në fund të fundit çdo punë shpërblehet.

  1. Si janë pagesat e arbitrave në Shqipëri? Po ty të ndryshoi paga pas stemës që more nga FIFA?

Janë të ndryshme sipas kategorive që një arbitër arbitron . Në 20-28 Mars do të kem turneun e parë në Itali edhe do ju vë në dijeni se sa më ka ndryshuar paga pas stemës. (qesh)

  1. Ëndërron që në të ardhmen të bëhesh një arbitre e famshme ndërkombëtare?

Ai është qëllimi im, të bëhem arbitre e njohur ndërkombëtare në një të ardhme të afërt.

/Blitz.al/

Komento
Shperndaje