Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

(Intervistë) Ekskluzive – Bledi Shkëmbi: “Kam respekt për Partizanin, por i them: Provoje sërish!”

(Intervistë) Ekskluzive – Bledi Shkëmbi: “Kam respekt për Partizanin, por i them: Provoje sërish!”
May 19
20:23 2016

20 vite karrierë të mbyllura si kampion!
Kështu vjen lamtumira e ikonës së kampionëve të Skënderbeut, Bledi Shkëmbi, që për të vitin e 6-të radhazi arrin të ngrejë trofeun e Superligës Shqiptare, duke i shuar ëndrrat e të gjithëve për t’i zbritur nga froni.

Me emrin ngulitur në historinë e futbollit shqiptar, sipas tij, Shkëmbi “var këpucët në gozhdë” në momentin ideal. Për të kuptuar më shumë rreth ndjesive të tij të momentit, Blitz.al i ka bërë një intervistë ekskluzive, si më poshtë:

Bledi, 6 herë kampion në 6 vite rresht. Ç’ndjesi përjeton një futbollist në të tillë situatë?

-Është një ndjesi e veçantë, gëzim i papërshkrueshëm dhe shumë krenari, patjetër. Nuk është se ndodh shpesh të dalësh 6 herë rresht kampion si kapiten i një ekipi.

Këtë herë kupa ishte në “udhëkryq” deri në 90-minutëshin e fundit. Është më e bukur fitorja kështu, apo frika për humbjen në momentet e fundit e bën gjithçka më të vështirë?

-Këtë kampionat mendoj se titullin e fituam me pak vështirësi, por pranoj që ishte një kampionat me shumë emocione, sidomos javët e fundit. Ndonjëherë kështu të shijon më shumë.

Si shpesh për Superligën Shqiptare, edhe këtë herë përflitet për neglizhim të ndeshjes nga ana e Flamurtarit për t’ju favorizuar. Kjo gjë madje thuhet edhe nga persona të njohur të politikës. Cila është gjëja e parë që të vjen ndërmend për këto fjalë?

-Çdo ndeshje, çdo javë, çdo vit dëgjojmë për këto fenomene. E shitën, e blenë… Personalisht këtyre fjalëve s’u vë rëndësi pasi ne arrijmë deri aty sa themi për Barcelonën apo Realin që e shitën apo e blenë ndeshjen. Për sa i përket ndeshjes me Flamurtarin, mendoj që fituam me shumë meritë.

Çfarë do t’i thoshit ekipit të Partizanit në këto momente?

-Personalisht kam shumë respekt për klubin dhe ekipin e Partizanit, por në një garë, një ekip del fitues, kështu që duhet provuar vitin tjetër…

Me kampionatin e 6-të të Skënderbeut erdhi edhe tërheqja jote nga futbolli i luajtur. Sa e vështirë është të heqësh dorë?

-Kam 20 vjet që luaj futboll si profesionist dhe i kujtoj sikur janë 20 ditë. Është një moment delikat, i vështirë, por gjithmonë kam menduar që futbollin duhet ta lë në një moment të mirë dhe, për fat, kështu ndodhi. S’kam asnjë peng sepse mendoj që kam marrë maksimumin.

Ç’do të thotë për Bledi Shkëmbin të shndërrohet në një ikonë e qytetit të Korçës dhe të ngulitet si “shkëmb” në zemrat e qytetarëve?

-Ehhh, po ndiej diçka të pazakontë këto dy ditë: mesazhe pafund dhe njerëz që më urojnë e më shprehin keqardhjen që s’do më shohin më në fushë. Sinqerisht prekem shumë kur m’i thonë, por ndiej edhe kënaqësi për këtë.

A të ka mbetur peng që këtë karrierë që përjetove me skuadrën ta kishe shijuar më shumë edhe me Kombëtaren Shqiptare?

-Në Kombëtare pata një moment të mirë, por peng s’më ka mbetur gjë, sepse kam qenë me këmbë në tokë gjithmonë. Në kohën time, në rolin tim luanin shumë lojtarë të mirë dhe për këtë arsye kam qenë i qartë se sa mundësi kam pasur. Plus dhe disa dëmtime më kanë lënë mbrapa me përgatitjet atë kohë.

Cili është pasardhësi i Shkëmbit?

-(Qesh) Pyetja më e vështirë kjo! Nuk di ç’të them, për momentin nuk shoh ndonjë lojtar të ngjashëm me Shkëmbin. Mendoj që nga akademia e Skënderbeut do të dalë edhe një Shkëmbi i ri. Liço dhe Mara janë të ngjashëm me mua, por janë shumë të rinj dhe u duhet shumë punë.

A do të të shohim në ndonjë rol aktiv së shpejti në botën e futbollit, apo ka ardhur koha për pak pushim?

-Mendoj që do të bëj pak pushime, por patjetër që shumë shpejt do të jem përsëri pjesë e futbollit.

Për ta mbyllur, çfarë do t’i thoshit presidentit Armando Duka sot pas fitores rreth idesë së tij se kupa do të mbetej në Tiranë?

-Presidentin Duka e vlerësoj shumë për gjithçka ka bërë në FSHF dhe e kuptoj që është në pozicion ku duhet të kënaqë të gjithë. Normal që s’i vjen mirë kur Skënderbeu fiton çdo vit, por jo ngaqë nuk e do Skënderbeun…