Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

(Intervistë) Albi Çifligu, ideatori i “Tirana Fan Zone”, vendi ku do të përjetohen emocionet e Euro 2016 dhe Kombëtares Kuq e Zi

June 03
15:29 2016

...

...
Picture 1 of 5

Pak javë më parë u bë publike një video nga kryetari i bashkisë, Erion Veliaj, në të cilën paraqitej një projekt gjigant që do të realizohet në sheshin “Nënë Tereza” për të parë ndeshjet e Kampionatit Europian e në mënyrë të veçantë për të përkrahur Shqipërinë. Blitz.al ka menduar të realizojë një intervistë me ideatorin e këtij projekti, Albi Çifligu, i cili do të na japë detaje për sa i përket asaj që do të ndodhë në “Fan Zone” duke filluar prej datës 10 qershor. Të gjithë në sheshin “Nënë Tereza” për të shijuar emocionet e Europianit, por jo vetëm. Tifozët kuq e zi nga të gjitha trevat shqiptare do të mund të shijojnë emocionet e ndeshjeve të Kombëtares në një ambient prej 20 mijë vendesh me dy ekrane gjigantë, ashtu sikurse edhe në vendet e tjera të Europës, me partner mediatik Top Channel. Për më tepër lexoni intervistën me ideatorin Albi Çifligu.

Tirana tashmë do të ketë arenën e saj të ndeshjeve të aprovuar edhe nga UEFA. Duam të dimë detaje që nuk janë thënë ende.

-“Tirana Fan Zone” organizohet për herë të parë në Shqipëri. Ky event sigurisht që ka marrë edhe miratimin e UEFA-s. Të kesh një autorizim të tillë nga UEFA do të thotë se duhet të kesh standarde shumë të larta dhe të kesh të njëjtat karakteristika si “Fan Zone” në vende të ndryshme të Europës. Projekti që ne kemi është i detajuar deri në gjërat më të vogla, që për njerëzit mund të mos jenë shumë të rëndësishme apo të dukshme, por UEFA kërkon që gjithçka të jetë jashtëzakonisht e qartë dhe me standarde të larta.

Si do të funksionojë pjesa e lojërave jashtë orarit të ndeshjeve të Europianit?

-“Tirana Fan Zone” nuk do të jetë thjesht një vend me dy ekrane të mëdha që do të transmetojnë ndeshje. Aty do të ketë jetë, gjallëri dhe argëtim gjatë gjithë ditës. Sa u përket aktiviteteve sportive do të këtë kampionate të dedikuara futbollit, basketbollit, kampionate beach-volley dhe beach futboll. Do të ketë edhe mundësi të tjera argëtimi me lojëra si: tavolina pingpongu, tavolina tenisi, freestyle bike etj. Do të nisë dita me joga dhe fitnes e më pas me sporte të tjera gjatë kohës që nuk ka ndeshje.

Çfarë do të ofrojë “Fan Zone” veç argëtimit?

-“Tirana Fan Zone” do të ketë katër pika shërbimi për pije të ndryshme. Në dy pika të tjera, përveç pijeve, do të shërbehet edhe ushqim.

Është menduar një strategji shfrytëzimi për terrenin edhe pas përfundimit  të Euro 2016, duke qenë se është projekt multifunksional argëtimi?

-Ky projekt lidhet ekskluzivisht me Euro 2016, prandaj është edhe i certifikuar nga UEFA për këtë event. Ideja sigurisht që mund të jetë e aplikueshme edhe në vazhdimësi, por ne do të jemi në shesh për Kampionatin Europian e të mbështesim fort Kombëtaren Shqiptare.

A është ky projekt gjithëpërfshirës? A do të ketë ambiente të përshtatshme për të gjitha moshat?

-“Tirana Fan Zone” është e hapur për të gjithë, FALAS! Kjo do të thotë se ky ambient mund të jetë i përshtatshëm për të gjithë. Një mundësi unike për të ndjekur Euro 2016 dhe njëkohësisht për të promovuar sportin dhe kulturën sportive në Tiranë. Është menduar për fëmijët edhe një kënd argëtimi për ta. Që në mëngjes nis dita me aktivitete, joga etj.; gjatë ditës do të ketë aktivitete sportive. Në ditët e pushimit të ndeshjeve do të ketë koncerte dhe net speciale për të gjithë ata që do të vijnë në “Tirana Fan Zone”. Pra, në “Tirana Fan Zone” do ta gjejnë veten të gjithë, askush nuk duhet të mungojë.

Pse duhet t’i shohim ndeshjet në “Fan Zone”?

  • Shkurtojmë distanca duke sjellë një “Fan Zone” me mbi 20,000 vende, në formën, komoditetin dhe emocionin e stadiumit.
  • Tirana ka nevojë për aktivitete të ndryshme zbavitëse, ka nevojë për jetë, për të shijuar një Tiranë më sociale, me më shumë gjallëri. Tirana ka nevojë për emocione.
  • Tirana ka nevojë për një vend ku njerëzit të “përballen”, të shpalosin aftësitë e tyre dhe të njihen me miq të rinj.
  • Ne duam t’i largojmë njerëzit për disa çaste nga rrjetet sociale, duam t’i mbushim ata me emocione “live”, duam që të socializohen jo duke dhënë një “like”, por duke shtrënguar duart, të shkëmbejnë ide, të përqafohen…
  • T’u japim fëmijëve mundësinë për të shijuar emocione dhe për t’i mësuar me ndjenjën e patriotizmit. Ne jemi njerëz, ne jemi shqiptarë dhe duam që edhe fëmijët tanë të mësojnë traditën e bukur shqiptare të të ndarit të gëzimit mes miqve.
  • “Tirana Fan Zone” është shtëpia jonë, është vendi ku bashkohen shqiptarët e Kosovës, Preshevës, Malit të Zi, Maqedonisë e Çamërisë.
  • “Tirana Fan Zone” është unike, pasi po guxojmë të organizojmë një festë për familjen e madhe të traditës shqiptare. Emocionet më të mëdha në jetë ndahen me familjen.
  • Sa do e bukur dhe e dhimbshme, e gjatë apo e shkurtër të jetë rruga në Euro 2016, djemtë tanë, djemtë e Kombëtares Shqiptare, do të priten te “Tirana Fan Zone”, do të priten nga familja jonë e madhe – familja shqiptare – krenaria jonë!

 

 

Komento
Shperndaje