Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

Guardiola-City: Gati 4-5 lojtarë klasi për sezonin e ardhshëm

March 22
11:42 2016

Zyrtarë të klubit të Manchester City-t kanë besimin se duke i ofruar trajnerit Guardiola atmosferën e duhur për të punuar dhe një shumë të majme për të shpenzuar në merkato do ta bindin atë të qëndrojë më shumë se 3 vjet në Angli.

Sipas asaj që raporton “Goal”, klubi i Manchester-it do t’i lërë dorë të lirë trajnerit spanjoll për të përzgjedhur 4-5 lojtarë të klasit botëror këtë verë që vjen. Thuhet se kjo punë ka filluar që në këtë periudhë, me menaxherë të lojtarëve të ndryshëm që telefonojnë për të prezantuar futbollistë nga disa liga të Europës.

Aventura e Pep Guardiola-s te City do të fillojë më 1 korrik, me një kontratë të nënshkruar për 3 vjet, por që sot drejtuesit e klubit shpresojnë ta bindin trajnerin të qëndrojë më gjatë.

Këto lëvizje vijnë si rezultat i gjendjes aktuale të Manchester City-t, që renditet në klasifikim larg pritshmërive të presidentit. Për këtë janë thurur plane shumë herët, që në fillimin e sezonit të ardhshëm gjithçka të jetë gati.

Sipas informacioneve që zotëron “Goal”, është pothuajse e arritur marrëveshja me mesfushorin e Borussia Dortmund, Ilkay Gundogan.

Gjithashtu në shënjestër është edhe francezi Paul Pogba i Juventusit, i cili konsiderohet si një nga të rinjtë më të talentuar në botë. Krahas këtyre, një mundësi është edhe Toni Kroos i Realit të Madridit, i cili ka qenë nën urdhrat e Guardiolas për një vit te Bayern Munchen.

Shuma prej 75 milionë sterlinash të shpenzuara dy vitet e fundit për futbollistë të cilët nuk kanë shfaqur rendimentin e pritshëm i ka lënë të pakënaqur drejtuesit dhe duan që këtë vit të bëjnë kthesën e madhe, duke nisur nga një trajner i madh.

Burime të brendshme nga ekipi i Manchester-it shprehen se kanë shumë besim që Pep do të ketë sukses me ekipin dhe do të arrijë rezultate aty ku trajnerët paraardhës Pellegrini e Mancini dështuan.

Nuk na mbetet gjë tjetër veçse të presim me kureshtje sezonin e ardhshëm!

Shperndaje