Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

Gjermania “i nxjerr dufin” Italisë!

Gjermania “i nxjerr dufin” Italisë!
March 29
21:08 2016

Ka rezultuar një disfatë për Kombëtaren Italiane përballja me ekipin kampion bote të Gjermanisë.

Ajo që pritej si një “përplasje gjigantësh”, edhe pse në një ndeshje miqësore, ka rezultuar thjesht një sfidë ku gjermanët kanë nxjerrë inatin e ndeshjes së para pak ditëve me Anglinë, ku humbën me përmbysje me rezultatin 2-3.

Në “Allianz Arena”, pothuajse gjatë të gjithë ndeshjes ishin vendasit ata që dominuan, gjë që u pasqyrua edhe në tabelën përfundimtare, ku rezultati u shënua 4 me 1 në favor të gjermanëve. Nga vendasit shënuan Toni Kroos, Mario Gotze, Jonas Hector dhe Mesut Ozil. Nga italianët ishte El Shaarawy ai që shënoi golin e nderit, edhe pse pa asnjë peshë në atë çka u pa në fushën e lojës. Kujtojmë se i hidhur është ky rezultat edhe për portierin Gianluigi Buffon, i cili brenda pak javëve pëson plot 8 gola “gjermanë”, në po të njëjtin stadium – “Allianz Arena”!

“U përballëm me më të mirët. Kjo na ndihmon për të bërë vlerësimet e duhura. E dimë mirë se na duhet shumë punë për të zvogëluar diferencat”, – shprehet Antonio Conte pas ndeshjes.

Ndërkohë që ky rezultat ishte një tregues ringritjeje për Kombëtaren Gjermane, për të shkuar më e sigurt drejt Euro 2016, për krahun italian dëshmon krejt të kundërtën; një goditje e fortë për moralin, që ia shton trajnerit Conte edhe më shumë vështirësinë e përzgjedhjes së lojtarëve për muajt në vazhdim.