Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

Flet Sokol Çikalleshi pas golit në kampionatin turk: “Ky do të jetë muaji im”

Flet Sokol Çikalleshi pas golit në kampionatin turk: “Ky do të jetë muaji im”
October 01
15:09 2017

Sokol Cikalleshi ka arritur të shënojë golin e tij të parë në kampionatin turk që nga momenti kur i është bashkuar Osmanlispor, duke festuar në mënyrën më të mirë të mundshme kthimin në radhët e Kombëtares. Klubi po kalonte një periudhë të vështirë pasi kishte siguruar vetëm 1 pikë në takimet e deritanishme, por me aktivizimin si titullar të Cikalleshit, gjërat ndryshuan.

Osmanlispor mori dje fitoren e parë në kampionat duke mundur me shifrat 3-0 ekipin e Kasëmpasha. Cikalleshi shënoi në fundin e pjesës së parë golin për rezultatin 2-0 me një veprim “gjahtari të zonës”, ndërsa më pas nisi aksionin e golit të rezultatit 3-0, të realizuar nga Umar në minutën e 59-të. Kjo ishte fitorja e parë e Osmanlispor në kampionatin turk, ku mban ende vendin e fundit.

Sulmuesi kuqezi ka folur për Panorama Sport rreth golit, dedikimit, formës së skuadrës dhe pritshmërive që ka për Kombëtaren. “Jam shumë i lumtur për fitoren e ekipit, sepse nuk kemi pasur një pozitë aspak të mirë. Me trajnerin e ri situata duket se po rikthehet në normalitet dhe diçka e tillë u pa dje, ku fituam, por edhe bëmë lojë të mirë dhe gjërat funksionuan shumë mirë.

Goli? Nuk u shënua vetëm një, por tre. Pra nuk ishte vetëm Sokoli në formë, por i gjithë ekipi. Jemi keq në renditje, por duam që të luftojmë për Kupat e Europës dhe duam që të arrijmë edhe fitore të rëndësishme dhe të vështira. Dedikimi? Besoj çdo njeri e kupton. Unë dhe bashkëshortja ime, Kornelia, jemi në pritje të një fëmije dhe tetori është muaji i pritjes sonë. Është bekimi më i mrekullueshëm i çdo çifti”, tregon Cikalleshi, i cili i është përgjigjur me formën më të mirë rikthimit në Kombëtare.

Ndeshjet? “Janë dy përballje shumë të vështira në letër, megjithatë ne do të tentojmë diçka madhështore. Do të mundohemi të japim më të mirën tonë për të arritur diçka në këto dy sfida. Unë jam gati, por trajneri është trajneri që vendos”, ka deklaruar Sokol Cikalleshi./Blitz.al/

Shperndaje