Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

Euro 2016 – Mjeku italian konfirmon: Candreva e De Rossi nuk do të jenë kundër Gjermanisë

Euro 2016 – Mjeku italian konfirmon: Candreva e De Rossi nuk do të jenë kundër Gjermanisë
June 29
19:54 2016

Lajme aspak të mira vijnë për Kombëtaren Italiane në prag të përballjes me Gjermaninë, e vlefshme për fazën çerekfinale të Euro 2016, e cila do të luhet mbrëmjen e së shtunës.

Entuziazmi i ardhur pas fitores së bujshme me rezultatin 2 me 0 kundër Spanjës superfavorite ka pësuar një goditje të fortë nga lajmi i hidhur se si Candreva, ashtu edhe Daniele De Rossi, nuk mund të jenë prezentë në ndeshjen e ardhshme.

“Candreva ka një lëndim të muskulit në gradën e parë. Ka punuar shumë për t’u rikuperuar dhe po përmirësohet, por jo mjaftueshëm për të luajtur kundër Gjermanisë”, – shprehet nga Montpellier, mjeku i Kombëtares Italiane, Enrico Castellacci.

“Përveç hematomës, ka edhe një ngatërrim të pjesshëm të fibrave të muskulit femoral në këmbën e majtë”, – shton ai më tej për De Rossi-n.

Mjeku Castellacci nënvizon faktin se për të dy lojtarët nuk do të kërkohet të përshpejtohen procedurat, pavarësisht se të gjithë janë të vetëdijshëm për vështirësinë dhe rëndësinë e ndeshjes.

Këtyre dy problemeve u shtohet edhe mungesa e një tjetër mesfushori: Thiago Motta nuk do të mund të jetë në dispozicion për shkak të plotësimit të numrit të kartonëve të verdhë.