Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

Euro 2016 – Ja vlerësimet e lojtarëve në finale…

Euro 2016 – Ja vlerësimet e lojtarëve në finale…
July 11
14:23 2016

Portugalia kampione e Europës. Ndoshta shumë pak ishin ata që do ta besonin këtë, ama futbollistët e Fernando Santos arritën të ngrinin kupën. Zhgënjimi në kampin francez është i madh, por futbolli kështu është, fituesi është vetëm një.
Më poshtë po ju japim vlerësimet e futbollistëve të aktivizuar mbrëmjen e djeshme, të analizuara nga “BBC”.

PORTUGALIA

– RUI PATRICIO – 9

Falë tij Portugalia arriti të shkonte deri në minutën e 120-të të lojës, për të fituar kupën më pas. Bëri disa pritje të mrekullueshme, mes të cilave ajo ndaj Antoine Griezmann, ku manovroi bukur.

– CEDRIC – 8

Mbrojtësi i ri i Southampton kishte një betejë “kokë më kokë” me Dimitri Payet në krahun djathtë të Portugalisë,  prandaj ishte shkaktari i gjendjes në pozicion të vështirë të yllit të ri të Francës.

– JOSE FONTE – 7

Hasi vështirësi me kontrollin e topit në fillim të ndeshjes kur Kombëtarja Franceze pati një mori aksionesh, por me kalimin e minutave u përmirësua dhe e mori situatën në kontroll.

– PEPE – 8

Tregoi se sa mbrojtës i mirë është kur nuk kërkon të influencojë arbitrat me protestat e tij. Veterani i mbrojtjes ishte aty, prezent në të gjitha aspektet dhe u duk se shijoi çdo minutë të ndeshjes. Ashtu si shoku i tij Cristiano Ronaldo, Pepe tashmë është kampion i Europës si me Kombëtaren, ashtu edhe me klubin.

– RAPHAEL GUERREIRO – 8

I pafat në rastin e goditjes së tij të dënimit në kohën shtesë, kur topi goditi traversën. Mbrojti shumë mirë dhe përdori në mënyrën e duhur disa topa që u luajtën në krahun e tij.

– WILLIAM CARVALHO – 7

Një tjetër “shkëmb” për Portugalinë. Ndihmoi në mbrojtjen e linjës prapa tij në mënyrë të mrekullueshme. Problemet e vetme i dolën kur Moussa Sissoko merrte topin dhe shkonte drejt tij.

– RENATO SANCHES – 8

18 vjeç e 326 ditë – futbollisti më i ri që ka marrë pjesë ndonjëherë në një finale të një Kampionati Europian. Gjithashtu ai rezultoi futbollisti më i mirë i ri që doli nga radhët e portugezëve. Franca e pa të vështirë t’i ndiqte hapat e tij në mesfushë.

– JOAO MARIO – 7  

Dha krosin më të mirë të skuadrës së tij në 90-minutëshin e rregullt, ama ishte i detyruar të ndërpriste aksionet e Francës.

– ADRIEN SILVA – 6

Punoi shumë për të mbrojtur, por shanset e tij për ta luajtur topin në mënyrë të efektshme ishin shumë të pakta.

– NANI – 7

Humbi një mundësi të mirë shënimi në fillim, ama sakrifikoi veten gjatë gjithë lojës për skuadrën e tij, shpesh duke krijuar hapësira të rëndësishme për shokët e ekipit.

– CRISTIANO RONALDO – 5

Duhej të ishte mbrëmja e tij, por ndërhyrja e Dimitri Payet bëri që Ronaldo ta linte shumë shpejt fushën e lojës. U përpoq 2 herë të vazhdonte, por ishte e pamundur. Doli me lot, por falë asaj që arritën shokët e ekipit, u rikthye në fushë më i lumtur se kurrë, për t’iu bashkuar festës.

– RICARDO QUARESMA – 6

Pati detyrën e vështirë për të zëvendësuar Ronaldon. Hyri mirë në fushë dhe e ndihmoi shumë skuadrën me lojën e tij në krahun e djathtë të fushës.

– JOAO MOUTINHO – 6

I dha freski në mesfushë Portugalisë dhe bëri të pamundurën për të mos lënë francezët të tregoheshin të rrezikshëm.

– EDER – 8

Heroi i Kombëtares Portugeze falë golit të tij të mrekullueshëm. Ish-sulmuesi i Swansea ishte shkaktari i britmave të gëzimit në pankinën e tij dhe ai që bëri të heshtë një Francë të tërë.

FRANCA

– HUGO LLORIS – 6

Duket e pamundur kundërpërgjigjja ndaj goditjes së fortë të Eder, në rastin e golit të vetëm të ndeshjes. Ishte thuajse një spektator deri në minutën e 80-të, kur iu desh të largonte topin e krosuar nga Nani dhe në rastin akrobatik të Quaresma-s.

– BACARY SAGNA – 7

Ishte i detyruar të qëndronte i kujdesshëm në mbrojtje për shkak të aksioneve kundërsulmuese të Portugalisë, por gjithashtu arriti të bënte disa dalje të rrezikshme në krah.

– LAURENT KOSCIENLY – 7

Nuk hasi shumë vështirësi për të mbrojtur, por e organizoi mirë linjën e mbrojtjes. Në rastin e golit i la më shumë hapësirë seç duhej sulmuesit Eder, por kjo arriti edhe falë aftësive të tij.

– SAMUEL UMTITI – 7

Në krahun e humbësve, ama realizoi një paraqitje të mirë që mbuloi edhe mospasjen e eksperiencës në të tilla nivele. Arriti të neutralizonte disa krose që bëri Portugalia.

– PATRICE EVRA – 6

Arriti të mbulonte shumë hapësirë në krahun e tij të majtë, ama nuk mundi të dilte rrezikshëm në fazën sulmuese.

– PAUL POGBA – 6

I qëndrueshëm, por jo spektakolar. Nuk u fut në lojë ashtu si një futbollist 100-milionësh duhet të futet. Ishte pjesë e aksioneve të Francës në fillimin e ndeshjes, por më pas u tërhoq në pozicionin e tij për të drejtuar lojën, pa tentuar asnjëherë të dilte përpara për të krijuar shanse të rrezikshme.

– BLAISE MATUIDI – 6

Së bashku me Pogba, e ndihmoi Francën të kontrollojë mbajtjen e topit por nuk tentoi thuajse asnjëherë të thyente mbrojtjen portugeze.

– MOUSSA SISSOKO – 8

I kudondodhur! Një kandidat i mundshëm për t’u kurorëzuar si më i miri i ndeshjes, me shumë depërtime në zonën kundërshtare e me disa gjuajtje që e vunë në vështirësi Rui Patricio-n. Futbollisti i Newcastle ishte më i miri ndër francezët.

– DIMITRI PAYET – 5

Nuk arriti të dilte në lojën e tij. Me kalimin e minutave u bë gjithnjë e më pak efektiv. Kontributi më i madh për Francën ishte goditja që i dha Cristiano Ronaldo-s, që e nxori atë jashtë loje.

– ANTOINE GRIEZMANN – 6

Golashënuesi më i mirë i Euro 2016 nuk arriti të tregohej i rrezikshëm si gjithmonë, përveç 2-3 shanseve. Mund të ishte shumë mirë njeriu i turneut po të shënonte në rastin e goditjes me kokë, por e djeshmja nuk ishte mbrëmja e tij!

– OLIVIER GIROUD – 6

E vuri disi në vështirësi portierin portugez në të dyja rastet e tij në portë, por vetëm kaq. Si gjithmonë, punoi shumë, por arriti pak.

– KINGSLEY COMAN – 7

I dha shumë energji fazës sulmuese të Francës, duke dhënë edhe krosin e goditjes së dytë me kokë të Griezmann, por pavarësisht kësaj nuk arriti të ishte deciziv.

– GIGNAC – 6

Vetëm pak centimetra i mohuan të shndërrohej në heroin e kombit të tij kur goditi shtyllën në fundin e 90-minutëshit. Ky ishte rasti i vetëm që pati.

– ANTHONY MARTIAL – 5

U fut në lojë nga Deschamps për të shpëtuar skuadrën e tij nga humbja, pas golit të Eder, ama pati vështirësi edhe për të prekur topin!

Komento