Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

“Çmenden” futbollistët shqiptarë

“Çmenden” futbollistët shqiptarë
October 31
14:31 2016

Duket se është një nga momentet më të mira për karrierën e disa prej futbollistëve shqiptarë kudo ku ata luajnë.

Etrit Berisha – Pas “errësirës“ 2-vjeçare te Lazio, gardiani i Kombëtares është kthyer në qendër të vëmendjes në Seria A dhe duket se ka gjetur vetveten, pasi ka blinduar portën e Atalantës, duke realizuar disa ndeshje fantastike me portë të paprekur.

Amir Abrashi –  “Pitbulli” i Kombëtares po kalon një moment të jashtëzakonshëm te skuadra e Freiburg në Bundesligën Gjermane. Së fundmi ai është shpallur më i miri i ndeshjes në sfidën përballë Werder Bremen, ku shënoi dhe asistoi nga një herë. Nga mediat u përfshi edhe në formacionin më të mirë të javës.

Mërgim Mavraj – Gjithashtu në formacionin më të mirë të javës në Bundesligën Gjermane. Me Këlnin, gjiganti i mbrojtjes po shkëlqen duke kaluar një moment shumë të mirë individualisht dhe si ekip.

Shkëlzen Gashi – Kjo javë nuk ishte më e mira për Gashin pasi ekipi i tij Colorado Rapids humbi përballë LA Galaxy në playoff-in e ligës amerikane. Por mbetet ndeshja e kthimit. Gjithsesi Gashi mbetet një nga shtyllat e ekipit amerikan për këtë vit, duke realizuar 10 gola dhe asistuar 5 herë.

Ledian Memushaj – Edhe pse Pescara nuk po kalon një moment të mirë, vlonjati është  vlerësuar për paraqitjet e tij. Memushaj tregohet në fushën e lojës lider i vërtetë dhe mediat i kanë dhënë nota të larta në krahasim me shokët e ekipit.

Bekim Balaj e Odise Roshi –  Dy futbollistët e Kombëtares po shkëlqejnë te Terek Grozny në Rusi. Së fundmi Balaj ka shënuar 2 herë dhe Roshi ka asistuar një herë në fitoren e Terek përballë Ural me rezultatin 4-1. Moment fantastik për të dy.

Elseid Hysaj – Mbetet një nga pikat e forta të Napolit. Ecuri e jashtëzakonshme e shkodranit./Blitz.al/

Komento
Shperndaje