Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

Champions League – Rummenigge shfryn ndaj arbitrit Cakir

Champions League – Rummenigge shfryn ndaj arbitrit Cakir
May 04
10:09 2016

Nuk është përtypur ende eliminimi nga Champions League mbrëmjen e djeshme në kampin e Bayern Munchen.

Duket se humbja e mundësisë për të arritur në finale, duke fituar ndeshjen 2-1, u ka lënë shije të keqe gjermanëve, të cilët janë të bindur se një rol jo të vogël në këtë rezultat final kishte dhe arbitri turk i ndeshjes, Cuneyt Cakir.

Një ndër zërat më të fuqishëm kundërshtues që vjen nga “Allianz Arena” është ai i presidentit Karl-Heinz Rummenigge, i cili nuk kursehet aspak në deklaratën e tij:

“Jemi të nervozuar. Goli i Atletico Madrid ishte në pozicion jashtë loje (edhe pse pamjet e përsëritura nuk tregojnë këtë) dhe 11-metërshi i Martinez ndaj Torres u dha edhe pse faulli u krye 1 metër jashtë zone”.

Më tej ai shton:

“Ky arbitër ka drejtuar dy gjysmëfinale të Champions League brenda një jave (drejtoi edhe M. City-Real Madrid). Nuk e kuptoj si është e mundur kjo gjë. Vetë delegati i UEFA-s më tha: Mënyra se si ai arbitroi është e turpshme!”

Fjalë të rënda këto, por që nuk bëjnë të mundur kthimin në kohë për të ndryshuar rezultatin. Kjo e shtyn Rumennige-n të mendojë për ndeshjen e radhës në Bundesliga kundër Ingolstadt, të shtunën:

“Në dhomën e zhveshjes ka rënë një heshtje varri, por duhet të mbledhim forcat e të mendojmë për përballjen e së shtunës”, – e mbyll fjalën gjermani.