Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

Abdurrahman Roza Haxhiu, një nga dëshmorët më të spikatur të fushës së blertë shqiptare

Abdurrahman Roza Haxhiu, një nga dëshmorët më të spikatur të fushës së blertë shqiptare
April 25
22:52 2016

Abdurrahman Roza Haxhiu ose Roza Haxhiu, siç njihet nga të gjithë, lindi në qytetin e Lushnjës, në lagjen “Kongresi i Lushnjës”, më 30 shtator 1930; djali i Bajram Haxhiut, një nga anëtaret e komisionit nismëtar të thirrjes së Kongresit të Lushnjës. Që në fëmijëri, Roza ëndërronte të bëhej futbollist. Talenti i tij u duk që në moshë të re në ekipin e Traktorit. Roza Haxhiu ishte një futbollist i shquar shqiptar i viteve ’50-’60, talent i rrallë dhe golashënues i klasit të parë me ekipin kombëtar, Lushnjën, Dinamon, Besën dhe Partizanin. Abdurrahman Roza Haxhiu jetoi shumë pak, rreth tri dekada e gjysmë, e thuajse gjysmën e viteve të moshës së tij ia kushtoi futbollit, sportit të zemrës. Madje, në rast se do të thoshim se sporti ka dëshmorët e tij, Roza është nga ata luftëtarë që me të vërtetë ra në fushën e blertë të stadiumit, i aksidentuar për vdekje nga një goditje vdekjeprurëse në kokë, e cila i ndërpreu në mes jetën që aq bukur dinte ta jetonte. Dhe kjo i ndodhi kur mbante veshur fanellën e kuqe të Partizanit, duke nderuar jo vetëm ngjyrat e tij, por edhe të sportit mbarëkombëtar. Kësisoj, ai është një nga dëshmorët më të spikatur të futbollit partizanas dhe atij shqiptar.
Roza Haxhiu këpucët e futbollit i veshi fillimisht me Besën e Kavajës më 1950-n, kur u dallua si një mesfushor me vizion të gjerë. Vetëm një vit më vonë, pasi “ra në sy”, kaloi te Partizani, përkrah emrave të shquar të futbollit tonë, si Boriçi, Resmja, Kraja etj. Dhe pa kaluar dy vjet, Boriçi (tashmë trajner), së bashku me Jançen, i besuan fanellën e përfaqësueses në Festivalet Botërore të Rinisë. Rrugët ishin hapur: në vitin 1955, kur Dinamo do të ndeshej me Dozhën e Budapestit, Roza u thirr si përforcim në radhët e kryeqytetasve. Hungarezi i madh i atyre viteve, Suza, u shpreh pas ndeshjeve: “Ai (Roza Haxhiu) është një futbollist i kalibrit europian”. Në atë takim Roza pati   detyrën e një mbrojtësi të lirë. Ekipi hungarez  hodhi në fushë lojtarët më të mirë të asaj kohe, që edhe pse në fushën e vet nuk mundën të merrnin më shumë se një barazim. Lojtarët hungarezë ishin të një kalibri europian në atë periudhë. Megjithatë, Dinamo me lojën e saj mundi të tërheqë vëmendjen e specialistëve ndërkombëtarë. Roza Haxhiu luajti edhe për skuadrën kombëtare shqiptare. Nuk mund të ishte rastësi aktivizimi i Roza Haxhiut me përfaqësuesen shqiptare. E rëndësishme në atë kohë ishte aktivizimi i ndonjë ekipi shqiptar në veprimtarinë ndërkombëtare. Ekipi që kishte fatin i nevojiteshin lojtarë me cilësi. Teknika dhe cilësia e pakrahasueshme e Rozës nuk kishte se si të shpëtonte nga vëmendja e federatës. Pas kësaj, nuk mund të harrohet fitorja ndaj Çekosllovakisë 3-0 dhe fitorja me Poloninë. Në ato ndeshje Roza Haxhiu dha maksimumin, duke u kthyer në një simbol të futbollit shqiptar. Në dy vitet e mëpastajme, ai ishte i kudondodhuri i Partizanit: i papërtueshëm, i shkathët, teknik, me një diapazon të gjerë për lojën e mbi të gjitha, me një shpirt tepër të madh. Bashkëkohësit kujtojnë padyshim Roza Haxhiun që shënoi golin e tretë dhe të fundit të ndeshjes Partizani-Dinamo në stadiumin kombëtar “Qemal Stafa”, që përfundoi me fitoren e merituar të Partizanit 3:1 dhe që i dha Partizanit titullin kampion të vitit 1957 në kampionatin e 20-të kombëtar.
Dhe për të plotësuar figurën e tij komplekse si futbollist nuk mund ta lësh pa përmendur takimet e paharruara të Partizanit në Leipzig të Gjermanisë, në shtator të vitit 1958, ku krahas gjithë ekipit, kontribut të veçantë për fitimin e medaljeve të argjendta dha edhe Roza Haxhiu. Në vitin 1958, “Partizani” mori pjesë në një turne miqësor në Bullgari. Në një nga takimet e forta me ekipin e Plevenit të të njëjtit qytet, që përfundoi 2-1,në favor të ekipit tonë, Roza u dëmtua rëndë. Megjithëse i dëmtuar, me shpirt të lartë sakrifice, ai luajti për më shumë se 1 vit edhe me ekipin e Dinamos e më pas u kthye në qytetin e tij. Më pas, duke mos u shkëputur nga futbolli, mori drejtimin e skuadrës lushnjare, duke luajtur edhe vetë. Pas dy finalesh me Erzenin, të fituara 3-2 e 6-2, Roza Haxhiu bëri që Traktori i atëhershëm të futej për herë të parë në elitën e skuadrave të vendit. Ekuipazhi sportiv i konsoliduar nga Abdurrahman Roza Haxhiu triumfoi në kampionatin e kategorisë së dytë, duke u shpallur kampion i tij në 1960-n. Futja në kategorinë e parë i hapi shtegun futbollit lushnjar për t’u përfaqësuar më 1960-n në kampionatin kombëtar të rezervave bashkë me Partizanin, Dinamon, Vllazninë, Flamurtarin, Skënderbeun, Labinotin, Besën dhe Tomorrin, duke zënë edhe vend nderi. Në maj-korrik 1963 u caktua për përzgjedhjen dhe përgatitjen e një grupmoshe 13-14 -vjeçarësh për Spartakiadën Kombëtare që zhvillohej çdo vit në kampin e pionierëve “Qemal Stafa” në Durrës. Në periudhën shkurt-nars 1964 punoi si mësues i edukimit fizik në shkollën e mesme të qytetit të Lushnjës “18 Tetori”. Goditja e Poldovit në vitin 1958, kur Partizani mori pjesë në një turne miqësor në Bullgari dhe ku Roza u dëmtua rëndë nuk e kishte “harruar”. Ajo madje ishte shndërruar në sëmundjen e përbindshme që i kërcënonte jetën. Pas shumë përpjekjesh burokratike arriri të siguronte leje-kalimi për t’u operuar në Itali. Por ishte tepër vonë. 19 maji i vitit 1964 rrëmbeu Rozën nga gjiri i familjes, shokëve, miqve, të afërmve, bashkëlojtarëve. Abdurrahman Roza Haxhiu iku si rrallëkush: ai pati fatin të ndahej nga jeta duke merituar respektin, vlerësimin dhe përjetësinë. Mijëra sportdashës lushnjarë e nga rrethet e tjera e përcollën për në banesën e fundit, banda nga Kavaja drejtonte kortezhin. Ashtu, me duart lëshuar, Xha Bami (i ati) hodhi vështrimin rreth e qark. Mizëri njerëzish. U përkul te koka e arkivolit e tha: “Ah, mor bir, nuk e dija se kishe pasur kaq miq e shokë!”.

Roza Haxhiu ka vdekur vetëm fizikisht, ai do të mbetet i pavdekshëm në fushën e blertë shqiptare. Por ka edhe një kuriozitet që lidhet me emrin e këtij legjende të futbollit lushnjar. Emri i vërtetë i Roza Haxhiut është Abdurrahman. Vëllai i tij, Ali (Lika) Haxhiu, e sqaron edhe “pagëzimin” e Abdurrahmanit në Roza. “Ishte fundi i viteve ’40. Dera e dhomës së vizitave u hap dhe në prag të saj, një djalë i gjatë, mjaft simpatik, u shfaq para doktor Çabejt. Ishte Abdurrahmani, që kishte ardhur për t’u vizituar. Në formën e një supersticioni, doktor Çabej propozoi që atij t’i ndryshohej emri. Ai ishte i pari që e quajti Roza, për të simbolizuar më shumë një lule të bukur, siç është trëndafili. Atij përcaktimi të doktorit nuk iu desh shumë kohë të zëvendësonte Abdurrahmanin që sportdashësit lushnjarë e më gjerë të mos e ndanin emrin e parë nga i dyti: Abdurrahman Roza Haxhiu. Roza-trëndafil e quajti, sepse trëndafil qe në jetë dhe në fushën e futbollit. Prandaj dhe populli e thithi këtë emër menjëherë dhe nisi ta quajë Roza”, – tregon vëllai i Abdurrahman Roza Haxhiut.

Roza Haxhiu u nderua pas vdekjes, në vitin 1971, me titullin e lartë “Mjeshtër i Merituar i Sportit”. Në vitin 1999, nga ministri i Kulturës, Edi Rama, iu dha titulli “Nderi i Sportit Shqiptar” dhe nga Bashkia Lushnjë u nderua me titullin “Qytetar Nderi”.
Në kuadër të 30-vjetorit të vdekjes, 21 maj 1994, u përkujtua në qytetin e Lushnjës legjenda e futbollit shqiptar,  Abdurrahman Roza Haxhiu.  Ceremonitë e organizuara nga Bashkia Lushnjë dhe kryetari i saj,  Kujtim Haxhiu, në nderim të figurës dhe veprimtarisë së A. Roza Haxhiut nisën me një ndeshje që u zhvillua në stadiumin “A. Roza Haxhiu”. Në këtë ceremoni përkujtimore morën pjesë futbollistë, këngëtarë e aktorë, si: Vaçe Zela (këngëtare), Margarita Xhepa (aktore), Ilia Shyti (aktor), Hysni Zela (këngëtar), Kolec Kraja (futbollist), Robert Jashari (futbollist), Ismet Bellova (komentator sportiv) etj. Ndërkohë, në sallën e kinoteatrit “Vaçe Zela” u zhvillua edhe një aktivitet zyrtar nga bashkia, ku folën miq e shokë mbi jetën dhe veprimtarinë e futbollistit legjendar Abdurrahman Roza Haxhiu. Në maj të vitit 2007 u realizua dokumentari “Trëndafili i fushës së blertë” në Televizioni Publik Shqiptar,  i sponsorizuar nga z. Altin Haxhiu, kushtuar Abdurrahman Roza Haxhiut, mbi jetën dhe veprimtarinë e futbollistit. Në këtë dokumentar morën pjesë familjarët, futbollistët që luajtën me të, miqtë e shokët e Roza Haxhiut, të cilët, nëpërmjet intervistës, shprehën respektin dhe mirënjohjen ndaj talentit të papërsëritshëm, legjendës së futbollit, Abdurrahman Roza Haxhiu, për kontributin që ka dhënë ky futbollist dhe trajner në futbollin lushnjar dhe atë shqiptar. Stadiumi i Lushnjës mban emrin e tij në shenjë respekti për kontributin që ka dhënë në futboll.

Komento
Shperndaje