Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

Zakonet e vjetra, babai refuzon të takojë vajzën edhe pas 15 vitesh

Zakonet e vjetra, babai refuzon të takojë vajzën edhe pas 15 vitesh
February 26
14:11 2017

Historia e një vajze me babain e saj, të cilët kanë humbur 15 vite nga jeta e tyre pa u takuar me njëri-tjetrin për shkak të një zakoni në një fshat të Tropojës, është trajtuar këtë të diel në “Ka një mesazh për ty” në Tv Klan.

Vitoria rrëfen historinë e saj në studio dhe ka ardhur për t’i kërkuar falje të atit, pasi i ka thyer zemrën.

“Unë kam 15 vite që jam martuar dhe nuk shkoj te familja sepse e kam marrë burrin me dëshirën time dhe familja ime nuk e donte. Ne kemi qenë komshinj, pra jemi lindur dhe rritur aty dhe mbajmë të njëjtin mbiemër. Arsyeja që babait tim nuk i ka pëlqyer kjo lidhje e imja është se jemi rritur në një vend, pasi tradita e zonës së Tropojës kështu e ka”.

Ajo më pas rrëfen në studio për njohjen me bashkëshortin e saj, shkruan klan.al. Që në moshë të vogël, ajo u dashurua me djalin e lagjes dhe për një kohë shumë të gjatë e kanë mbajtur të fshehtë dashurinë e tyre. Papritur një ditë u larguan nga shtëpia dhe erdhën në Tiranë. Nga kjo dashuri lindi një djalë, por kanë kaluar kaq vite dhe prindërit e Vitores ende nuk e kanë parë djalin 8- vjeçar. Ajo kurrë nuk e ka marrë guximin që të shkojë të takojë babain e saj gjatë këtyre viteve. Pas dy viteve që u largua nga shtëpia lidhi sërish kontaktet me familjen dhe personi i parë ishte nëna, të cilën prej gjashtë muajsh nuk e ka më, pasi ka ndërruar jetë.

“E kam takuar në qytet në Bajram Curri, fshehurazi babit. Ajo më pranoi për këtë lidhje, por kishte frikë babin”.

Kur në jetë erdhi djali i Vitores, asnjë nga familjarët e saj nuk ishte  i pranishëm për t’i qëndruar pranë në momentet më të bukura të jetës. Ata e kanë marrë vesh kur vetë Vitorja i ka njoftuar nëpërmjet telefonit që ishte bërë me djalë. Gjatë këtyre 15 viteve në familjen kur Vitorja është lindur dhe rritur deri në moshën 16-vjeçare kanë ndodhur shumë gëzime, vëllezërit dhe motrat e saj janë martuar dhe ajo nuk ka mundur dot të gëzojë bashkë me ta. Ajo nuk ka mundur të jetë as edhe në ceremoninë mortore të nënës, për ta përcjellë drejt banesës së fundit. Një kalvar mundimesh e kanë mbërthyer Vitoren gjatë këtyre 15 viteve, edhe pse me Kujtimin, bashkëshortin e saj ka një marrëdhënie të shkëlqyer, por prindi kurrë nuk mund të harrohet, pavarësisht zgjedhjeve që bëjmë në jetë.

Ajo kërkon babain që ta fali dhe e pranon që ia ka thyer zemrën, por dashuria për të është shumë e madhe. 15 vite që nuk kanë asnjë kontakt me njëri – tjetrin vetëm për shkak të zakonit, që Vitorja e theu. Çdo ditë e më tepër ia ndjen mungesën, saqë edhe në gjumin e trazuar e sheh nëpër ëndrra, por ai edhe aty i largohet. Ajo zgjodhi këtë format si formën më të mirë për ta parë babain e saj, për ta përqafuar, për t’i kërkuar falje për “rregullin që theu”, për t’i thënë se sa shumë e do, por Martini zgjodhi të mos ishte i pranishëm në rubrikën “Ka një mesazh për ty”. Njëlloj si përpara 15 vitesh, Vitorja gjendet sërish e vetme ,edhe pse e hodhi hapin e parë për t’u pajtuar me babanë.

Shperndaje