Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

“Ulërima” e familjes Bardhi, pak larg kryeqytetit

“Ulërima” e familjes Bardhi, pak larg kryeqytetit
April 20
00:48 2016

Puntata e sotme e emisionit “Opinion” iu dedikua varfërisë ekstreme të familjes Bardhi, banuese në Vaqarr, një nga shumë familjet që nuk mund të kenë një jetesë normale për shkak të mugesës së kushteve elementare për të jetuar.

Pesë fëmijë të vegjël, me dëshirën për t’u arsimuar, që jetojnë vetëm të tashmen, janë bërë pjesë të emisionit ku u trajtua jetesa e tyre e vështirë. Aurora Bardhi është vajza e dytë e familjes, e cila nuk mund të shohë me njërin sy. Problemi i saj është shkaktuar nga kushtet e vështira të jetesës në shtëpinë e nisur, por të papërfunduar. Ndërsa djali 2-vjeçar i familjes, i cili vuan nga anemia, nuk mund të mjekohet për shkak të mungesës së ilaçeve. Familja që  jeton në kushte ekstreme, cilësohet si më problematikja e zonës, e ndihmuar katër herë nga nisma “Fundjavë ndryshe”.

Dy përfaqësuesit e kësaj nisme, të ftuar në emision, kanë bërë të ditur se familja jeton me një ndihmë financiare prej 7500 lekësh, e pamjaftueshme për të përballuar jetesën. “Fundjavë ndryshe” është një nismë që synon të ndihmojë dhe promovojë vlerat humanitare njerëzore, për të qenë pranë familjeve në nevojë. Nismës i janë bashkuar edhe artistë të njohur shqiptarë, raste që janë përcjellë edhe nga Blitz.al.

“Nisma “Fundjavë ndryshe” është ndryshe nga të tjerat dhe ka në qendër transparencën. Nuk ka çështje financiare mes nesh, ne së bashku me të interesuarit për të ndihmuar e ndjekim nga afër një rast emergjent, i nevojshëm për t’u trajtuar. Ndër të tjera, vlen të theksohet se kësaj nisme i janë bashkuar 20-30 institucione arsimore, shkolla dhe kopshte”, – bëri me dije Sokol Bardhi, përfaqësues i nismës që daton prej tetorit të vitit të kaluar.

Sipas pastorit Paulin Vilajeti, bamirësia e tejkalon keqardhjen, ka të bëjë me zemrën dhe jo me xhepin. Ndërsa ministri i Mirëqenies Sociale, Blendi Klosi, u shpreh gjatë emisionit se pavarësisht ndihmave, familja Bardhi do të vuajë sërish, pavarësisht bamirësisë, ndaj nevojitet ngritja e një sistemi unik.

“Vlerësoj rolin e punojësit social. Ajo që mund të them është se familja Bardhi përfiton ndihmë ekonomike të dyfishuar, krahasuar me një vit më parë. Ne po përpiqemi të bëjmë disa gjëra, por nevojitet të ngrihet një sistem unik për t’u ardhur në ndihmë të gjithave familjeve në nevojë”.

Në ndihmë të familjes Bardhi u ofruan disa biznesmenë të gatshëm për të kontribuar në restaurimin e banesës dhe operacionin e Aurora Bardhit.

Rasti i kësaj familjeje, kaq pranë kryeqytetit, nuk është i vetmi që paraqet nevojën emergjente për ndërhyrje. Nevojitet të bëhet më tepër për t’u ardhur në ndihmë mijëra familjeve të varfëra, qindra fëmijëve që flenë pa një vakt.

 

...

...
Picture 1 of 2

Komento