Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

Tregu i punës në fshat, pjesëmarrje shumë e ulët e grave

March 29
17:26 2016

Një studim i kryer nga organizata “Partnerë në Zgjidhje dhe Zhvillim” dhe që do të prezantohet nesër, në bashkëpunim me Ministrinë e Bujqësisë dhe UN Women, vë në dukje pjesëmarrjen e ulët të grave të zonave rurale në tregun e punës. Kjo, sipas studimit të kryer, ndodh për shkak të kohës së papërshtatshme, distancës, mënyrës si organizohen programet e trajnimit.

“Gratë janë më të izoluara dhe kryejnë pjesën më të madhe të punëve në ngastra apo në shtëpi, ndërsa burrat janë më të prirur për të menaxhuar aktivitetet që lëvrojnë paranë dhe të angazhohen në marrëdhënie me tregtarët dhe palët e treta”, – thuhet ndër të tjera në gjetjen e këtij studimi.

Theksohet gjithashtu se gratë në zonat rurale kanë akses të ulët ndaj mbështetjes financiare apo nga donatorët. Referuar shifrave zyrtare, numri i grave përfituese është pesë herë më i ulët se numri i burrave. Disa ndër shkaqet që kanë çuar në uljen e aksesit të grave ndaj mbështetjes financiare konsiderohen mungesa e rrjeteve dhe advokimit të grupeve të grave, si dhe zotërimi i kanaleve të informacionit nga burrat.

Në studim rekomandohet zgjerimi i shërbimeve të posaçme si mbështetje financiare, rritje kapacitetesh sipërmarrëse, këshillim ligjor, lehtësim i pjesëmarrjes së grave në vendimmarrje duke i përfshirë ato si fermere dhe “jo gra të fermerëve”.

Komento
Etiketimet
Shperndaje