Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

Studentja, letër kryeministrit: Babai mbylli dyqanin, njerëzit s’kishin lekë të blinin

Studentja, letër kryeministrit: Babai mbylli dyqanin, njerëzit s’kishin lekë të blinin
April 08
16:22 2016

E shtyrë nga realiteti që prek çdo ditë, një studente i drejtohet kryeministrit Edi Rama me një letër ku flet për gjendjen e vështirë ekonomike që ka kapluar familjen e saj dhe popullin dhe se si kryeministri shoi shpresat e tyre. Ndër të tjera, ajo e këshillon Ramën që të mos konsiderojë pasuri të tijën paratë, telefonat apo makinat, sepse një ditë mund të zgjohet edhe pa pizhamet e gjumit.

Letra

I dashur kryeministër,

Sot po ju drejtohem disi në një mënyrë tepër miqësore, sepse ashtu dua ta merrni këtë letër që po ju shkruaj. Edhe pse do të përdor përemrin “ju”.

I dashur mik, vëlla, baba, xhaxha, kushëri, dajë e mbi të gjitha burrë, sot dua t’ju them ose më mirë t’ju rithem disa këshilla që ju nuk i dëgjuat nga vdekjet e njerëzve, nga mbylljet e dyqaneve, nga kasat fiskale, nga reformat.

I dashur kryeministër, të kesh një titull kaq të lartë është nder. Populli jua fal me besim e nuk duhet ta njollosni atë, sepse është vetë ai që ju rrëzon.

I dashur kryeministër, kur vendosët të kandidonit, na premtuat një qeverisje të madhe, saqë ndonjëherë më dukej sikur shikoja ëndrra me sy hapur dhe në momentin që mbyllja sytë shikoja popullin tim të mjerë, me gjysmë shpirti të vrarë e me pak ngjyrë të gjelbër në dorën e tyre. Ishte ngjyra e shpresës kryeministër, ngjyra e shpresës, të cilën ju e bëtë të zezë. Aq të zezë sa gjaku nuk lëvizte më nëpër venat e tyre. Dhimbje!

I dashur kryeministër, sot babai im mbylli dyqanin e mishit, me të cilin ushqeheshim sot e njëzet vite. Po, po, e mbylli kryeministër! Njerëzit nuk kishin më lekë të blinin dhe jo vetëm mish, por edhe fruta, perime, pula, ëmbëlsira, madje as miell e vaj kryeministri ynë. Dhe pse ndodhi kjo? Sepse ju na premtuat mirëqenie sociale kryeministër, por kjo mbeti aty, te syri im i hapur, i cili shikonte me të vërtetë ëndrra. Nuk di të them me sa është ulur kjo mirëqenie, por shoh shumë kryeministër.

Po mirë, i dashur kryeministër, a nuk premtuat 300.000 vende pune? Ku mbetën ato premtime? Apo ishin thjesht për punë gare politike? Po ku të punojë ai vëllai im tani që u mbyll ai dyqan, o kryeministër? Të dalë e të rrijë rrugëve, të rrijë në shtëpi apo t’u gjëmojë azileve të Gjermanisë e lotarisë amerikane?

Po ne studentëve o kryeministër, ku do të na dërgosh? Apo do të na fusësh pastrues në kryeministri? Ku do t’i gjejmë aq para për të paguar një master shkolle? Apo do t’i kemi falas?

Kryeministër, nuk jam kundër kasave fiskale, nuk jam kundër pagesës së energjisë elektrike, nuk jam kundër parqeve për fëmijë, nuk jam kundër reformës në drejtësi, sepse dua që edhe ne të jemi Shqipëri europiane, por ky popull që ju jep besim ka një shprehje të urtë: Gjërat e mira bëhen ngadalë-ngadalë. Ndërsa ju i morët shumë shpejt kryeministër, saqë kam frikën e ndonjë aksidenti gjatë rrugës. Jemi pak a shumë në një situatë të tillë si lepuri me breshkën, ku edhe pse kjo e fundit e mori rrugën e saj me ngadalë, arriti të dilte fitimtare. Mirëpo, për fat të keq, në këtë rast ju jeni lepuri.

Kryeministër, duhet të shihni si fillim mirëqenien tonë. Një pjesë e mirë e popullit shqiptar është e rrënuar ekonomikisht, një pjesë tjetër është në gjendje mesatare dhe pjesa më e vogël që mbetet jeni ju, deputetët, kryetarët e bashkive dhe ndonjë biznesmen që ka ndërmarrje.

I dashur kryeministër, ndoshta nuk ju duhet aq shumë kjo këshillë, por unë do t’jua jap.

Ndoshta tani kryeministër ju po numëroni paratë e fituara vetëm sot; ndoshta tani kryeministër, ai roja juaj po ju hap derën e makinës; ndoshta tani kryeminostër po blini një orë 50.000 dollarëshe; ndoshta tani kryeministër po shfletoni e po firmosni letra pa i parë; ndoshta tani kryeministër po na shani neve, popullin budalla; ndoshta tani kryeministër po vendosni se cilën kollare të vini për një mbrëmje; ndoshta tani kryeministër po vendosni të ndërroni makinën. Ka shumë ndoshta që ju përkasin juve kryeministër. Por di që shumë pak ju shkojnë për shtat.

Kryeministër, i nderuari ynë kryeministër, pasuria më e madhe për ju nuk duhet të jenë paratë, telefonat, makinat. Nesër ndoshta nuk do t’i keni më,  ndoshta nesër zgjoheni edhe pa pizhamet tuaja të gjumit, sepse ashtu ka thënë ai atje lart që na vëzhgon. Ju e keni pasurinë tuaj kryeministër, është familja juaj dhe ne, populli budalla, që fal aq shumë besim përkundrejt jush, por në fund kthehet në një lolo të mjerë e të papërfillshëm për katër vite.

Olta Beqiri, Shijak, 8 prill 2016

Komento
Etiketimet
Shperndaje