Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

(Video) Tre rrëfime nga nëna shqiptare: Të sfidosh autizmin…

April 02
10:03 2016

2 prilli është Dita Ndërkombëtare e Autizmit. Shqipëria është një nga ato vende që vonë e ka kuptuar rëndësinë e përkushtimit ndaj autizmit, por megjithatë ka organizata të ndryshme dhe iniciativa personale që janë duke e kthyer autizmin në temën e të gjithëve dhe po mundohen që me anë të dhënies së informacionit dhe sensibilizimit ndaj kësaj kauze edhe publiku shqiptar të mund të krijojë fillimisht një ide mbi fenomenin e më pas të bëjë diçka për të.

Fondacioni “Fëmijët shqiptarë” vazhdimisht ka sjellë, në mënyra origjinale, vëmendje ndaj autizmit, sidomos në 2 prill, kur kjo vëmendje është përkthyer edhe me ndonjë video të realizuar nga fondacioni, duke përshkruar histori të vërteta. Videoja e mëposhtme ka të bëjë me rrëfimin e tri nënave që kanë fëmijë autikë dhe mesazhin e secilës se si autizmi i fëmijës mund të kthehet nga një tmerr në momentin e identifikimit në forcë dhe shpresë për përmirësim kur fëmija mësohet me terapi, seanca te psikologu dhe sigurisht vëmendje dhe përkushtim.

Mamatë e fëmijëve autikë Gjergji, Erti dhe Emilia tregojnë se sa e vështirë ka qenë për to fillimisht ta pranonin autizmin, sepse ky term njihej pak. Këto nëna kanë pasur vështirësi edhe në takimet me mjekët, sepse kur kanë treguar mbi disa sjellje ndryshe nga e zakonshmja të fëmijëve të tyre, mjekët nuk kanë mundur të identifikojnë autizmin te ta, ndaj dhe beteja është bërë edhe më e vështire. Pasi ato më në fund kanë kuptuar se fëmijët e tyre janë autikë, kanë shkuar në fondacion dhe aktualisht Gjergji, Erti dhe Emilia ndjekin terapi individuale dhe kanë përmirësime të dukshme, gjë që u ka dhënë shpresë nënave të tyre, të cilat tanimë kanë filluar të ëndërrojnë për një të ardhme të shëndetshme të këtyre fëmijëve.

Mesazhi i videos dhe ajo çka përpiqen dhe nënat e fëmijëve autikë të tregojnë është se sa më shpejtë të pranohet që fëmija është autik e të nisin procedurat e terapisë, aq më shumë rezultat arrihet. Megjithatë, ka edhe raste, si Emilia, ku fëmijë autikë të identifikuar pak me vonesë si të tillë kanë mundur të kenë përmirësime të dukshme.

Autizmi nuk është fundi i botës, as për fëmijën autik dhe as për prindërit, mjafton ta pranosh e t’i përkushtohesh.

 

 

Komento