Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

Punësimi në administratën publike, Rama: E pamundur të futesh pa konkurs. Klosi: Këtë verë, 2,000 vende të reja pune

Punësimi në administratën publike, Rama: E pamundur të futesh pa konkurs. Klosi: Këtë verë, 2,000 vende të reja pune
April 25
13:18 2016

Në prezantimin e projektit të qeverisë, që synon punësimin e të rinjve në administratën publike, kryeministri Edi Rama tha se kjo është një mundësi e mirë për të gjithë ata që kanë ambicie dhe vullnet, por kjo mundësi do të ofrohet vetëm përmes konkursit.

“Sot krijojmë një hapësirë më të gjerë për më shumë të rinj e të reja, për njerëz me më shumë ambicie, vullnet për të hyrë nga dera kryesore e administratës. Sot është e pamundur të hysh në shërbimin civil shqiptar pa iu nënshtruar konkursit. Kjo mundësi është reale dhe kalon përmes konkursit. Atyre që nuk besojnë te konkurset ju them se nuk janë rezultate të parafabrikuar. Fakti që fitohen nga të rinj që kanë humbur më parë tregon se ka një përgatitje të posaçme se ne kërkojmë një qasje të mirë”,- deklaroi Rama.

Më tej, ai tha se ky është një program me interes të madh kombëtar, me interes reciprok, qoftë i të rinjve që do të përfitojnë dhe qoftë i shtetit që rrit potencialin njerëzor. Kryeministri tha se prej kohësh administrata ka qenë në varësinë e partive politike, ndërsa sot nuk është në varësinë e tyre.

Nga ana tjetër, ministri i Mirëqenies Sociale, Blendi Klosi, ka bërë me dije se 2,000 vende pune do të hapen këtë verë për të gjithë të rinjtë shqiptarë që do të duan t’u nënshtrohen praktikave të punësimit. Ai theksoi se të rinj nga vendi e diaspora do të mund të konkurrojnë përmes një programi të posaçëm. Ministri theksoi se këto praktika do të zgjasin nga muaji qershor deri në gusht.

Komento