Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

Prindër, ju kanë gënjyer! Ardhja në jetë e një fëmije do ta shkatërrojë marrëdhënien me partnerin

Prindër, ju kanë gënjyer! Ardhja në jetë e një fëmije do ta shkatërrojë marrëdhënien me partnerin
July 09
10:57 2016

Shumë femra presin me padurim të bëhen nëna – të kenë një bebe të vogël, ta rrisin dhe të krijojnë një marrëdhënie speciale me të. Në të gjithë botën, njerëzit besojnë se prindërimi është pjesa më e bukur e jetës dhe është shumë mirë që kjo ide ekziston pasi familja është realisht e shenjtë. Megjithatë, në fillimet e pritjes në jetë të një bebeje, sidomos nënat janë shumë entuziaste, por pak më vonë shikojnë se një marrëdhënie shumë e fortë mes tyre dhe fëmijëve bën që ato të mos kenë marrëdhënie shumë të forta me të tjerët, qoftë edhe me partnerin e tyre.

Për më shumë se 30 vite studiuesit kanë kërkuar të njohin një herë e përgjithmonë se si pasja e fëmijëve ndikon një martesë dhe në përgjithësi përgjigjja është kjo: martesa ndryshon me ardhjen në jetë të një fëmijë. Duke krahasuar çiftet që nuk kanë fëmijë me ato që kanë fëmijë, është vënë re se këta të fundit janë më të shkëputur shpirtërisht nga njëri-tjetri dhe dashuria mes tyre ka marrë një formë tjetër, e cila mbetet gjithsesi dashuri, veçse ka më pak pasion. Thënë këtë, studiuesit mendojnë se njerëzit manipulojnë vazhdimisht me frazën “çifti është më i lumtur dhe më i dashuruar kur lind një fëmijë”. Ky në fakt është një mit dhe mbetet një frazë e nevojshme për të mos shkatërruar traditën e familjes.

Me ardhjen e një fëmije në shtëpi, sigurisht që ndryshojnë të gjitha dinamikat e familjes. Por ajo çka vihet re është se prioriteti i prindërve nuk është më që të përsosen si bashkëshortë, por ata duan të përsosen vazhdimisht si prindër. Ky rol i ndryshuar zbeh pasionin në çift. Gjithashtu diçka tjetër që ndryshon është fakti se partnerët nisin ta shikojnë njëri-tjetrin si prindër të fëmijës së tyre më tepër sesa të dashur. Kjo do të thotë se mesazhet flirtuese apo ftesat për marrëdhënie seksuale shpesh zëvendësohen me video apo fotografi të fëmijëve dhe “veprave” të tyre.

Nuk është surprizuese që studiuesit kanë dalë në përfundimin se koston më të madhe kur një fëmijë vjen në jetë e paguan nëna.  Edhe në marrëdhëniet kur femra dhe mashkulli janë shumë të barabartë si në mundësi ashtu edhe në zgjedhje, sërish nënat janë më të predispozuara për të qenë të parat që janë në gatishmëri për çdo gjë që fëmija kërkon. Nënat sakrifikojnë më shumë të dalat me miqtë, kohën e lirë, pasionet personale dhe gjëra të tilla të cilat tashmë zëvendësohen me pasjen e një fëmije. Lodhja, ndonjëherë pagjumësia, probleme shëndetësore që fëmijët mund të kenë ndonjëherë, të dy prindërit i ndiejnë aq shumë saqë konsumojnë ndjeshmërinë e tyre më së shumti për fëmijët.

Por gjithsesi, a ka ndonjë “dritë në fund të tunelit” e gjitha kjo? Thuhet se shumë çifte rifitojnë pasionin e dikurshëm pasi fëmijët shkëputen për jetën e tyre personale. Gjithashtu ka nga ata prindër të cilët janë aq energjikë dhe aq pasionantë saqë edhe ardhja në jetë e një fëmije nuk e ndryshon aspak marrëdhënien mes njëri-tjetrit. Thënë këtë, gjithçka është në dorën tuaj. Por duket të dini gjithmonë se pavarësisht se dashuria për fëmijën është një dashuri e jashtëzakonshme dhe gati e pashpjegueshme nuk mund të harroni dashurinë për partnerin tuaj dhe se kjo dashuri duhet ushqyer gjithnjë sepse rrugëtimi i dashurisë nuk përfundon me ardhjen e fëmijës, përkundrazi ai është vetëm një kulm që premton rritje të vazhdueshme.

Burimi: CNN

Shperndaje