Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

Përse studentët e Universitetit të Mjekësisë janë kundër zgjedhjeve në këtë Fakultet?

Përse studentët e Universitetit të Mjekësisë janë kundër zgjedhjeve në këtë Fakultet?
April 15
18:10 2016

Universitetet publike në Shqipëri, aktualisht janë duke u përballur me zgjedhjet e Senatit Akademik për pozicionet specific si Rektor, Dekan dhe anëtarë të Këshillit Akademik. Është folur shpesh për zgjedhje të pandershme nga ana e studentëve dhe individëve të cilët kanë qenë pjesmarrës në garë. Edhe këtë vit, duket se padrejtësia ka qenë kryefjala e një procesi zgjedhor i cili, ende pa u zhvilluar, po ngjall dyshime. Disa pohojnë se nuk kanë dëgjuar të bëhet një fushatë e mirëfilltë, pasi kandidatura të tilla kërkojnë opinionin dhe votën individuale të të gjithë studentëve që shkollohen dhe marrin mësime në universitetet përkatëse. Pyetja e parë që lind natyrshëm: Përse këta studentë nuk dinë gjë, se si votohet dhe kush do të votohet? Por kjo nuk është pikëpyetja e vetme pasi termi më i ri me të cilin na u desh të njiheshim ishte kandidatura në grup. Një koncept mjaft paradoksal ky, pasi gjithnjë kemi dëgjuar se votohet individualisht dhe jo në masë. Erion Bala, student në Fakultetin e Mjekësisë, në Universitetin e Mjekësisë Tiranë, ka ngritur shqetësimin e tij duke i dhënë zë dhe një mase e cila nuk arrin të gjejë mbështetje askund, ndaj këtyre zgjedhjeve që do të zhvillohen më datë 20 prill në çdo universitet.

Ai ka bërë thirrje që këto zgjedhje të mos jenë pjesë e llogoreve të politikës, por të jenë pjesë e profesionistëve të bluzave të bardha dhe të studentëve në rradhë të parë.

“Ka një tendencë negative nga ana e rektorëve dhe atyre që sot aktualisht zotërojnë pozicione potente në Këshill apo gjetkë (me mandat të përfunduar dhe prej vitesh të pazgjedhur me parimin demokratik të votës), për të shtrembëruar të vërtetat dhe keqinformuar studentët rreth këtij votimi. Jam duke folur për gjëra konkrete pasi dhe unë vetë kam hedhur kandidaturën për të përfaqësuar studentët në Senatin Akademik të Universitetit të Mjekësisë, Tiranë. Doja t’ju rrëfeja ju dhe gjithë të tjerëve si puna ime, që studiojnë në universitete të tilla se është duke u bërë një padrejtësi e madhe në këtë proces votimi. Fillimisht, jemi njoftuar një ditë të premte, datë 19 Mars se afati përfundimtar i aplikimeve për kandidaturat do të ishte data 23 mars. Dihet tashmë se këto procedura kërkojnë dokumentacionin e nevojshëm dhe për këtë kishim në dispozicion vetëm një ditë, një kohë e cilësuar nga ana ime qesharake, pasi përpara ishte fundjava dhe e hëna ishte ditë pushimi pasi ishin festuar Pashkët Katolike. Si ka mundësi të ndodhë diçka e tillë? Sigurisht që kjo është tendencioze nga ana e atyre që aktualisht i zotërojnë këto poste.  E dyta, dhe më shqetësuesja është se ka shumë individë të cilët, po rikandidojnë për anëtarë të senatit akademik edhe pse nuk janë më student të Universitetit, edhe pasi kanë mbyllur ciklin e plotë të studimeve. Kjo është e ndaluar me ligj dhe unë kam përgatitur një shkresë duke cituar nenin ligjor specifik se dikush që ka përfunduar tashmë studimet nuk ka se si të jetë pjesë e Senatit, pasi ai e ka mbaruar tashmë misionin e tij. Ka dhe nga ata që lënë diplomën pezull, apo provime të mbartura për të përsëritur vitin në mënyrë që të zotërojnë këto poste, çfarë është e padrejtë për të tjerët. Po qarkullojnë përreth fjalë të hedhura në fuqi nga këta përfaqësues, se dita 20 prill, kur dhe do të zhvillohen votimet, do të jetë ditë pushimi. Përse duhet të jetë ditë pushimi, kur nuk ka asnjë festë për t’u festuar, apo asnjë eveniment të përshtatshëm për të bërë një ditë mësimi të pavlefshme?  Kjo ndodh pasi ata duan që studentët të mos votojnë, të mos shprehin opinionin e tyre dhe të mos jenë masa studentore që do të zgjedhi duke çuar kështu në zgjedhje jo të ndershme dhe manipuluese në kufij ekstrem.  Kjo po bëhet nga rektorët aktual. Ata po kujdesen të mos informojnë studentët rreth këtij proces votimi.  Çdo përpjekje për drejtësi dhe meritokraci e imja ka hasur në pengesa deri tani. Për këtë çështje jam drejtuar kudo. Madje jo më larg se java që lamë pas, duke marrë shkas dhe nga fakti më alarmues që është servirur në auditore, nga ata që i friken më shumë parimeve të së drejtës, se duhen votuar të paktën dy kandidatë kur interpretimi i nenit përkatës tregon që nuk duhen votuar më shumë se numri i kandidatëve që do zgjidhen, pra jo me shume se dy, i jam drejtuar organeve drejtuese të Universitetit tim ,dhe e vërteta edhe njeherë ishte me mua, në bazë të përgjigjes zyrtare që mora. Ndoshta dhe ju u tingëllon qesharake si unë por kështu më ka ndodhur. Në rast të kundërt, do minohej dhe  nocioni bazë i konceptit të së drejtës demokratike për të zgjedhur atë që do. Ne jemi të gatshëm të ngrihemi dhe në protesta, nëse e gjithë ajo që kërkojmë, e drejta jonë, nuk merret parasysh. Nuk duam as më pak as më shumë veçse të drejtat demokratike. Do të dëshiroja që këto zgjedhje të mos jenë pjesë e llogoreve të politikës, por të jenë pjesë e profesionistëve të bluzave të bardha dhe studentëve. Kemi vendosur që të ngremë zërin kundër zgjedhjeve dhe të protestojmë kundër atyre që përpiqen të bëjnë zgjedhje të pandershme dhe jo transparente pasi e gjithë kjo zallamahi është me të vërtetë shqetësuese për ne.  Përse na e mohojnë, kur në fakt aktualët nuk kanë bërë asnjë gjë për universitetin? Ka mbi tre vite që tek ky fakultet nuk po bëhet asnjë investim, ndërkohë që ka shumë problematika alarmante dhe të pakonceptueshme të një Universiteti i cili të nesërmen do të nxjerri në punë profesionistë prej të cilëve varet vetë jeta e njeriut. Përse nuk kanë përmirësuar mësimdhënien, apo të merren me përdorimin e metodave bashkëkohore të teknologjisë gjatë orës së mësimit? Përse nuk janë shtuar orët e praktikës klinike për studentët e FSHMT-së? Jo vetëm këto por duhet një punë e madhe në ekuivalentimin me programet e Bolonjës, rritje e  numrit të sezoneve për provimet e mbartura, rishikim i tezës së testimit dhe konsulta me pedagogët përkatës, ne jemi student për këto kemi nevojë. Përse nuk po shikohen literaturat, bursat dhe pagesat, tarifat për studentët në konferencat mjekësore, numri i sallave të studimit, apo dhe funksionaliteti i sekretarisë? Ti që sot je pjesë e Senatit Akademik, çfarë ke bërë për ta merituar atë post që po mban? Përse nuk u jep mundësi të tjerëve nëse nuk ke aftësinë për ta bërë? Ne studentët, këto duam, përmirësim kushtesh dhe konsultë me atë që kemi zgjedhur të na përfaqësojë e që deri më tani, është pak të thuash se është ndjerë. Ju nuk jeni të parët që kam kontaktuar por të vetmit që mëdhanë mundësinë. U jam drejtuar disa mediave televizive që të më jeonin mundësinë të tregoja padrejtësinë që po na bëhet dhe më janë përgjigjur se nuk i kanë kompetencat apo të drejtën për t’u përfshirë në tema të tilla. Pra jo vetëm ata por dhe media i ka mbyllur sytë në rastin konkret.”

Ka qenë ky rrëfimi i këtij student, i cili nuk kërkon asnjë gjë më tepër se të drejtat të cilat çdo student duhet t’i ketë por po i mohohen.  Jemi në demokraci, por a po jetojmë në një të tillë?

Komento