Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

Letra motivuese e një gruaje pas vdekjes së burrit: “Ka ardhur momenti…”

Letra motivuese e një gruaje pas vdekjes së burrit: “Ka ardhur momenti…”
April 28
20:22 2016

“Ka ardhur momenti…

Kanë kaluar dy vite që prej momentit kur bashkëshorti im i dashur u nda nga jeta dhe tani kam arritur në përfundimin se ka ardhur koha të mbledh veten dhe të largoj, pa qarë me dënesë, veshjet, sendet dhe çdo gjë tjetër që i përkiste atij.

Gjithkush në këtë botë, kur kalon një mërzi të madhe, si e imja, ka kohën e vetë të të ringriturit. Në këtë proces nuk ka mirë apo keq, vonë apo herët, secili e ka në dorë vetë. Për mua, e ndiej në zemër, njëlloj siç ndiej mallin për te se kjo kohë ka ardhur. Për disa të tjerë mund të mos vijë kurrë, kjo sërish nuk është gabim dhe as e pamundur.

Kam kuptuar se vështirësia në këto vite nuk ka qenë thjesht ndarja me tim shoq, por ndarja nga gjithçka i përkiste atij. Ruaja çdo objekt, rrobë, gjithçka kishte prekur dora e tij, me një fanatizëm absurd, thua se ato kishin jetë e mund të më ringjallnin dashurinë time të madhe edhe një herë.

Ja tek jam, e vetme për të ndërmarrë një vendim mbi jetën time. Është e vështirë kur partneri largohet nga jeta, çdo vendim tanimë të përket ty, edhe ato që kërkojnë mendimin e të dy partnerëve. Tanimë e ndiej veten dy, peshën e trysninë, rrjedhimisht, dyfish. Por duhet të jem e fortë, gjithsesi.

Procesi që kam ndërmarrë nuk është i lehtë. Ndiej rëndesë emocionale dhe fizike njëkohësisht. Duhet të paketoj të gjitha rrobat nëpër kuti, të bëj një rishpërndarje të dhomës e të ndërroj orenditë të cilat kanë mbetur në të njëjtin pozicion për dy vite, ashtu të vdekura si burri im. Lëviz grumbuj rrobash sa andej- këndej dhe bashkë me to më rëndojnë kujtimet. Çudi e madhe se si çdo rrobë ka një kujtim të ndryshëm nga tjera, sa shumë vite mbaj në supe dhe bëhem gati t’i mbyll në kuti.

Ndërkohë që paketoj, ulem për një çast në divan duke mbajtur në dorë fotografinë e bukur të dasmës tonë. Është e pastër kristal, manifestohet dashuria e përjetshme, ndriçon i gjithë vendi nga buzëqeshjet tona. Por sa herë e kam riparë, lotët nuk më kanë lënë të marr optimizëm prej asaj pamjeje. Këtë herë ishte ndryshe, u frymëzova dhe e dashurova edhe njëherë prej fillimit. Nuk qava dhe as ulërita, thjesht e ndjeva, ashtu, të njëjtën prekje, si në ditën tonë të dasmës. Sa lumturi!

Një fllad pranveror më dërgoi papritmas një ndjesi çlirimi, lumturie, kujtimesh të ëmbla dhe shumë, po shumë dashuri. Qeshja me vete, me të njëjtin ritëm si kisha bërë deri një ditë përpara se mashkulli i jetës time të ndërronte jetë. As vetë nuk më besohej, po buzëqeshja!

Tanimë që po gërmoj në gjërat e tij po kuptoj se dhimbja ka kaluar. Jam duke u shëruar dhe rritur njëkohësisht bashkë me vitet. E dua akoma me një ndjenjë që shumë mbase nuk arrijnë ta provojnë asnjëherë në jetë, ajo lloj dashurie që lëviz malet dhe bën botën të funksionojë. Por kam vendosur të bëhem një trup i vetëm me kujtimin e tij dhe të vazhdoj jetën njësoj sikur ta kem gjithnjë me vete. Fakti që për këto vite kam pasur gjithçka të tijën të paprekur më krijonte një lidhje të çuditshme me objektet, ndaj ndihesha keq. Tani që e kam vetëm në shpirt, jam e lumtur sepse më në fund ai është me mua, tërësisht, ashtu siç nuk ka qenë ndonjëherë më parë, as kur ishte gjallë.

Tani kam një zemër dyfish më të fortë, dyfish më të madhe, dyfish më të lumtur. Do të vazhdoj jetën duke iu dedikuar gjithçkaje të bukur që bota më ofron, do rend drejt aventurës dhe momenteve të bukura. Kjo është gjithçka dua. Dhe kurrsesi nuk mund të harroj që kam zemrën e tij brenda zemrës time, jemi dy njerëz në një trup të vetëm”.

 

Etiketimet
Shperndaje