Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

Ky filtër i Snapchat-it mund të shkaktojë vdekje

April 27
14:29 2016

Një person i quajtur Wentworth Maynard ka mbetur i goditur rëndë dhe është shoqëruar menjëherë në urgjencë, pasi një automjet po ecte me shpejtësi mbi 100km/h afër një rruge të ngushtë në Atlanta, Georgia, dhe është përplasur me një mur aty pranë.

Shoferi i automjetit, Christal McGee, kishte edhe 3 pasagjerë të tjerë në makinë dhe shkak për shpejtësinë e lartë e më pas aksidentin është bërë përdorimi i aplikacionit Snapchat. Një nga filtrat më të përdorshëm në Snapchat, është ai që tregon shpejtësinë me të cilën po ecën makina juaj në momentin që bëni një video. Kjo është kthyer së fundmi në një “garë të fortësh”, ku sidomos adoleshentët janë të prirur të tregojnë sesa shpejt e ngasin makinën.

Bëhet e ditur se pas momentit të përplasjes, Maynard, që ishte një kalimtare, ka pësuar goditje të rënda në kokë, ndërsa sa i përket shoferit dhe pasagjerëve ende nuk është bërë e ditur nëse janë dëmtuar apo jo.

Gjykata ka marrë menjëherë në shqyrtim këtë çështje dhe njëri prej përfaqësuesve ka reaguar për mediat: “Sigurisht që përgjegjësinë kryesore e mban shoferi, Christal McGee, por ne dëshirojmë që edhe drejtuesit e aplikacionit Snapchat të mbajnë përgjegjësitë e tyre”, – raporton “New  York Daily News”.

“Ky produkt i Snapchat-it mund të rrezikojë jetën e shumë drejtuesve të mjeteve, ndaj dhe duhet hequr menjëherë nga qarkullimi pasi nuk sjell asnjë dobi, madje nuk është më as argëtuese”, – është shprehur Shane Peagler, i afërm i të aksidentuarës.

Gjithashtu edhe rrjetet sociale kanë shpërthyer në komente sensibilizuese,  duke i kërkuar Snapchat-it të heqë filtrin e shpejtësisë. Së fundmi Snapchat ka shtuar fjalinë: “Ju lutem, mos bëni SNAP ndërkohë që ngisni makinën!” në filtrin e shpejtësisë, por është parë që përdoruesit e kanë përdorur edhe më shumë për t’u dukur më “cool”.

 

Etiketimet
Shperndaje