Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

(Intervistë) Psikologia Klevis Vaqari: Ka prindër që përdorin fëmijët për të shkarkuar inatin që kanë me njëri-tjetrin

(Intervistë) Psikologia Klevis Vaqari: Ka prindër që përdorin fëmijët për të shkarkuar inatin që kanë me njëri-tjetrin
January 28
15:52 2017

Divorci në Shqipëri nga viti në vit ka shënuar rritje. Në dyert e gjykatave çdo ditë paraqiten qytetarë të cilët kërkojnë zgjidhjen e martesës për shkaqe nga më të ndryshmet. Ata që lëndohen e që vuajnë më shumë pasojat nga divorci i prindërve janë fëmijët. Reagimet emocionale të fëmijëve zakonisht varen nga mosha e tyre në periudhën kur ndodh divorci.  Ankthi, zemërimi apo trishtimi janë disa nga ndjesitë që këta fëmijë provojnë nga një situatë e tillë. Për të marrë një informacion më të saktë se si ndikon divorci te fëmijët, Blitz.al ka zhvilluar një intervistë me psikologen e njohur Klevis Vaqari, e cila na ka treguar më shumë bazuar edhe në eksperiencën e saj disavjeçare. Klevis ka qenë psikologe dhe eksperte vlerësuese e divorceve në Gjykatën e Tiranës për disa vite, ndërsa aktualisht është menaxhere e programit në Koalicionin e OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve (KOMF) në Kosovë. Ndiqni në vijim intervistën e saj.

Cilat janë disa nga shkaqet që kanë ndikuar në shtimin e divorceve në Shqipëri dhe Kosovë?

-Shkaqet që mund të çojnë një martesë deri në divorc janë të shumta. Studime të ndryshme sugjerojnë eksplorimin e rasteve individuale duke analizuar problematikat e secilit çift në mënyrë të veçantë. Kjo për arsye se ka identifikim të një numri shumë të madh faktorësh që çojnë në divorc. Shumë faktorë socialë, historikë, kulturorë, demografikë dhe individualë veprojnë për të determinuar nëse një çift divorcohet ose jo.

Përse vihet re një rritje e ndjeshme e tyre pas viteve ’90?

-Përgjatë dekadave shoqëria jonë ka pësuar ndryshim të vazhdueshëm. Mënyra se si shoqëria jonë e sheh sot martesën, familjen dhe divorcin është rezultat i këtij evolucioni. Ndryshimi i vrullshëm i situatës ekonomike në përgjithësi, qasja ndaj një game të gjerë informacioni në mënyrë të menjëhershme pas izolimit të gjatë, ndryshimi i vlerave të shoqërisë e familjes krijuan një periudhë kaosi në shoqërinë tonë, e cila sigurisht ndikoi në qëndrimin ndaj institucionit të familjes e po ashtu edhe në qëndrimin ndaj divorcit si dukuri.

Në një familje në prag divorci, ai që padyshim preket më shumë është fëmija i çiftit. A e rekomandoni ju, si psikologe, divorcin? Si është më e mira në raste të tilla?

-Mendoj se fokusi do të duhej të shtrihej në dy nivele. Së pari, në ndërgjegjësim të qytetarëve (specifikisht të rinjve) mbi ndërtimin e marrëdhënieve më të shëndetshme e të qëndrueshme. Dhe së dyti, nëse situata arrin deri në divorc, në zgjidhjen e shëndetshme të konflikteve, menaxhimin e zemërimit dhe ruajtjen e interesit më të mirë të fëmijëve (në rast se çifti ka fëmijë). Nuk mund të jepet një formulë e saktë që rekomandon ose jo divorcin. Nëse dy persona të rritur (adultë) vendosin të mos bashkëjetojnë më me njëri-tjetrin, ai është vendim i tyre. Çfarë ne mund të synojmë është zgjidhja e kësaj situate në mënyrë të shëndetshme, minimizimi i dëmeve duke nisur prej shëndetit mendor dhe mbi të gjitha sigurimi që kjo fazë të mos jetë traumatike për fëmijën, por të jetë diçka graduale, që fëmija me të dy prindërit pranë, por edhe shërbime të tjera që mund të rezultojnë të nevojshme, ta kapërcejë me sukses këtë periudhë dhe të mos vijojë të vuajë pasojat e tij në të ardhmen.

Si ndikon divorci te fëmijët?

-Divorci mund të ketë shumë efekte te fëmijët. Pasojat e divorcit varen, në radhë të parë, nga vetë prindërit, mënyra se si ata e përcjellin këtë te fëmijët. Në varësi të rrethanave brenda familjes, komunikimit, roleve e të tjera, ndarja fizike e prindërve do të ndikonte ndryshe te fëmija. Sidoqoftë, nëse prindërit arrijnë që në mënyrë të matur të marrin vendim duke pasur si qëllim primar ruajtjen e shëndetit dhe zhvillimit të fëmijës së tyre, nëse ata vijojnë të jenë pranë tij, sidomos në këtë fazë tranzicioni dhe nëse vënë në dispozicion të fëmijës edhe shërbimet e tjera profesionale, atëherë ka shumë gjasa që fëmija ta kalojë në mënyrë të shëndetshme këtë periudhë.

Zakonisht pas divorcit prioritet për kujdestarinë e fëmijës i jepet nënës. Cilat janë disa nga gjërat ku bazoheni?

-Në vendimet e gjykatave mbizotëron lënia e ushtrimit të përgjegjësisë prindërore nënave. Kjo për shumë arsye, duke nisur prej moshës së fëmijës, atashimit me të, pajtimit paraprak mes dy prindërve që fëmija të qëndrojë me nënën, faktit që nëse fëmija është shumë i vogël, nëna është më pranë përmbushjes së nevojave të tij etj. Në raste të tilla mendoj se nuk duhet të ekzistojnë formula, por një hulumtim e vlerësim i thellë i rastit individual për të njohur të gjithë konstelacionin e raporteve dhe roleve, për një gjykim sa më profesional të rastit.

Në analizën e një rasti, cilat janë disa nga gjërat që studioni apo duhet të evidentoni për të përcaktuar në fund se me kë duhet të qëndrojë fëmija?

-Sigurisht, ka disa pjesë në të cilat bazohet i gjithë raporti i vlerësimit me rekomandimin përkatës për gjykatën sa i përket të drejtës së ushtrimit të përgjegjësisë prindërore. Një pjesë kyçe janë intervistat përkatëse me të dy prindërit, biseda dhe koha me fëmijën, vlerësimi i raporteve të fëmijës me secilin prind, përfshirja e instancave të tjera në rastet e nevojshme, si shkolla apo familja më e gjerë, vlerësimi i kushteve të secilit prej prindërve etj. Qëllimi i gjithë këtij procesi të vlerësimit psikologjik është që të vlerësohet cilësia e raportit të fëmijës me prindërit, me fokus kryesor ruajtjen e interesit më të mirë të fëmijës.

Prindërit shpesh kërkojnë këshillën e një psikologu apo edhe prezencën e tij për t’i dhënë fëmijës lajmin e ndarjes. Cilat janë disa nga këshillat? Si duhet tja komunikojë një prind ndarjen fëmijës?

-Edhe pse për secilin rast duhen konsideruar rrethanat e caktuara para dhënies së këshillave specifike, në përgjithësi do të inkurajoja të qenit të sinqertë. Prindi duhet t’i flasë hapur dhe vërtetësisht fëmijës, kjo gjithnjë në përputhje me moshën dhe zhvillimin e këtij të fundit. Po ashtu, prindërit duhet ta sigurojnë fëmijën se raporti i tij me secilin prej tyre nuk do të cënohet, se ata do të vazhdojnë të jenë pranë tij në çdo moment dhe se vendimi i marrë prej tyre nuk do të ndikojë në jetën e fëmijës. Sigurisht, është mjaft e rëndësishme që prindërit t’i mbajnë këto premtime dhe të gjejnë kohë për të kaluar edhe bashkërisht me fëmijën e tyre.

Si reagon fëmija në momentin e parë pasi merr lajmin?

-Çështja e reagimit është shumë individuale. Kjo varet dhe determinohet edhe nga shumë faktorë të brendshëm, si p.sh. tipare të caktuara të personalitetit të fëmijës dhe cënueshmëria/vulnerabiliteti i fëmijës apo edhe faktorë të jashtëm, që mund të ndërlidhen me situatën familjare, mënyrën e dhënies së lajmit etj.

Na rrëfeni një nga rastet më problematike që cilën keni punuar.

-Pa u ndalur në një të veçantë, do të doja të prekja një dukuri që e kam hasur gjatë punës sime në gjykatë. Të përdorurit e fëmijës për të shkarkuar ankthin, brengat, inatet apo konfliktet që prindërit kanë pasur me njëri-tjetrin para dhe gjatë periudhës së divorcit. Kjo është diçka që cënon rëndë zhvillimin e fëmijës, krijon në të konfuzion e konflikt të brendshëm që mund të shkojë deri në fajësim të vetes për gjithçka që po ndodh e shumë pasoja të tjera, të cilat mund të manifestohen gjatë gjithë jetës së fëmijës, edhe kur ai të jetë i rritur.

A jeni penduar ndonjëherë për vendimin që keni marrë, lidhur se me cilin prind duhej të qëndronte i mituri?

-Nuk jam penduar për rekomandimet e ofruara (përfitoj nga rasti të them se unë nuk kam marrë vendime – atë e ka bërë gjykata – por kam ofruar rekomandime) pasi vlerësimi ka qenë gjithnjë i argumentuar dhe konsiderata primare ka qenë gjithnjë interesi më i lartë i fëmijës./Blitz.al/

Komento
Shperndaje