Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

(Intervistë) Afërdita Rada: Prindërit shqiptarë e thërrasin fëmijën mbret, por nuk e trajtojnë si të tillë

(Intervistë) Afërdita Rada: Prindërit shqiptarë e thërrasin fëmijën mbret, por nuk e trajtojnë si të tillë
September 27
17:46 2016

Me ardhjen në jetë të një fëmije, përveç gëzimit dhe lumturisë, vijnë edhe ndjesi të tjera, si përgjegjësia apo detyra të rëndësishme që këta prindër të rinj kanë mbi fëmijën. Marrëdhënia prind-fëmijë është një nga çështjet më të rëndësishme në edukimin e vogëlushëve dhe shpesh të rriturit bëjnë gabime që në një të ardhme do të vihen re edhe në karakterin e vetë fëmijëve.  Afërdita Rada, specialiste e zhvillimit të fëmijërisë së hershme, në një intervistë për Blitz.al, ka treguar më shumë se si duhet të funksionojë kjo marrëdhënie. Ajo ka studiuar dhe është specializuar me programin  “Early Years North Irland” nga specialistë anglezë e irlandezë prej 5 vjetësh dhe është njohëse e programeve të edukimit, si  Montessori, Step by Step, Regio Emilia. Ndiqni në vijim se çfarë ka rrëfyer ajo për Blitz.al:

  1. Cila është periudha më e rëndësishme gjatë ciklit të zhvillimit te fëmijët?

-Sipas studiuesve janë disa etapa kyçe në ardhjen në jetë të një fëmije të shëndetshëm:

Formimi psiko-emocional e kulturor i prindërve, historia e tyre e fëmijërisë, informimi i tyre përpara aktit të ngjizjes së fëmijës për detyrat dhe përgjegjësitë që i presin, trajtimi i nënës gjatë shtatzënisë, periudha e fëmijërisë së hershme 0- 6 vjeç, para-adoleshenca (latenca),  adoleshenca.

Veçoj rëndësinë e madhe të etapës 0-6 vjeç të fëmijës, që cilësohet si themeli i edukimit të fëmijërisë së hershme, periudha kur ndërtohen bazat emocionale, njohëse, sociale, matematikore, gjuhësore e intelektuale të fëmijës sot, që do të jetë një individ i rritur nesër. I rëndësishëm në këtë periudhë është investimi i qartë, korrekt, me përkushtim, respekt e dashuri. Prindërit shqiptarë po ndërgjegjësohen, po informohen me libra e rrjete sociale, po kërkojnë të dinë çdo ditë si nga pediatret dhe edukatoret  se ç’mund të bëjnë më mirë në këtë etapë kaq kyçe të jetës së fëmijës. Ne kemi trashëguar një model sipërfaqësor edukimi, ku fëmija shihet si një qenie që nuk di e nuk kupton, ku kujdesi fokusohej tek ushqyerja, gjumi, veshmbathja dhe temperatura (sëmundja). Ky model tashmë ka rënë e po kërkohet të ngrihet një model i ri i mirërritjes dhe edukimit të fëmijës në shekullin e 21-të.

 

2. Çfarë duhet të dinë prindërit dhe si duhet të sillen me ta gjatë kësaj periudhe?

-Pas lindjes, foshnjat duan kujdes të madh, ato janë të paafta të mbijetojnë vetëm. Foshnjat lindin me aftësinë të mbajnë nënën afër dhe ta motivojnë atë për të dhënë kujdesin e duhur (të qarët është një nga sjelljet që e bën këtë).

Dy vitet e para të jetës, fëmija rrethohet nga shumë njerëz (për fat ende kemi pak familje të vogla). Bota e tyre emocionale dhe sociale varet nga persona të veçantë, si nëna, babai, vëllai ose motra. Pavarësisht nga numri i vogël, këto lidhje kanë ndikim të madh dhe afatgjatë në personalitetin e fëmijës, sjelljet sociale, mbi zhvillimin e njohjes, krahasuar me lidhjet e tjera që do të zhvillohen më vonë. Fëmija zhvillon lidhjen me nënën, temperamentin, aftësitë lëvizore, shoqërizimin (sjellja më komplekse sociale) e fëmijës. Fillimisht foshnjat mësojnë nëpërmjet vëzhgimit e më pas nëpërmjet skemave. Skemat janë stimuj ose ngjarje e njohur. Foshnjat fillimisht ndërtojnë skemat me nënën, babanë e anëtarë të tjerë të familjes. Ata e shohin një fytyrë të panjohur si çrregullim, kjo i çon foshnjat në ndjenjat e frikës, pasigurisë e shqetësimit. Vëmë re dy momente: njohja e të huajve dhe ndarja nga nëna janë tregues shumë të rëndësishëm të lidhjes nënë –fëmijë.

Fëmija fiton modele të brendshme nga bashkëveprimi me nënën, për shembull kur ka nevojë, nëna lexon sinjalet dhe i përgjigjet shpejt. Kështu, në një rast të ngjashëm, fëmija që merr vëmendje nuk do të sillet me të qarë në rast nevoje, pasi ai i njeh pritshmëritë nga nëna. Nënat që po përparojnë duke lexuar, po mësojnë të dallojnë lehtë sinjalet e lëshuara nga foshnjat dhe dinë t’u japin përgjigje.

E qara është forma më e rëndësishme e komunikimit te foshnjat. Shpejt e qara, e thithura e sjellje të tjera kthehen nën kontrollin e vullnetshëm të foshnjës. Të qarët te foshnja ndryshon sipas nevojës, me qëllim që të tërheqë kujdes, vëmendje. Nëna, gjyshja ose kujdestarja duhet të kuptojnë se pse qan fëmija. Kjo aftësohet edhe me përvojë. Foshnjat shprehin emocione dhe ndjenja. Foshnja shpreh mjaft mirë me fytyrë emocionet. Në moshën 3-4- vjeçare shfaqet buzëqeshja (si kënaqësi), trishtimi, zemërimi, për shembull kur i heq një lodër nga dora. Ndërsa ndrojtja dhe turpi shfaqen pas vitit të parë të jetës.

Modelet përreth foshnjës, fytyra e nënës (e qeshur ose serioze) ndikojnë te foshnja. Me kalimin e kohës, duke u rritur, foshnjat mësojnë të dallojnë emocionet përmes përvojës së përditshme. Tashmë nënat kuptojnë më lehtë se si ndihen fëmijët e tyre. Në varësi të mjedisit ku rriten, fëmijët mësojnë t’i fshehin emocionet. Për shembull, një djalë e fsheh frikën dhe dhimbjen kur ka kuptuar se kjo sjellje nuk duket e përshtatshme.

Rol të madh ka zëri i nënës, bashkëveprimi ballë për ballë ose kontakti  sy më sy, ciklet dhe ritmet , ushqimi dhe gjumi, hapësira e përshtatur për fëmijët, krijimi i terreneve për ushtrimin e lëvizjes dhe lojës.

 

3. Cilat janë disa nga gabimet më të shpeshta që bëjnë prindërit me fëmijët e kësaj moshe?

-Vëmendja e nënës ose kujdestares mund të bëhet nxitëse ose stresuese. Duhet kujdes! Sinkronizimi i aktiviteteve, njohja e cikleve, bashkëpunimi janë shumë të rëndësishme. Duhet të luani me fëmijët kur ata janë aktivë dhe duan vëmendje. Ka raste kur fëmija vetëqetësohet duke futur gishtat e dorës në gojë. Ka raste kur prindërit ndëshkojnë në vend që të qetësojnë, shohin të zemëruar kur duhet të zbutet shikimi dhe shprehja e fytyrës. Ka raste kur, për të shpëtuar momentin, nga dembelizmi, i lejojnë fëmijës celular, tabletë ose filma në televizor. Ka raste kur prindërit ofrojnë edukim me dy fytyra: ndryshe sillen në shtëpi (me zë të ashpër, të prerë, pa argumente) e ndryshe sillen kur janë në publik. Për fat të keq, ende ka shumë fjalë që përdoren, të tipit: “Mos! Pse? Pusho! Mjaft! Më lodhe!” – fjalë përjashtuese dhe thyerëse në lidhjen nënë-fëmijë.  Këto situata janë të rikuperueshme nëse kërkohet ndihmë te specialisti ose nëse prindërit ndajnë eksperienca me prindër të suksesshëm.

 

4. A duhet t’i trajtojmë fëmijët si të rritur në trupin e një të vogli?

-Në trupin e vogël jeton një njeri i parritur, bebja,  që pret të rritet. Bebja nuk është i barabartë me të rriturin përtej të qenit njeri, por është një qenie që duhet nxitur e zbuluar gjatë procesit të rritjes e zhvillimit. Të menduarit e të kuptuarit e fëmijëve ndryshon nga ai i të rriturve në shumë anë. Ata shpesh çudisin studiuesit dhe prindërit. Fëmija është një qenie njerëzore, komplekse, shumë më e fortë seç mendohet, e aftë t’u përshtatet më së miri sfidave të mjedisit. Fëmija duhet trajtuar me përkushtim, respekt e dinjitet. Shpesh ne i themi fëmijës mbret, por nuk e trajtojmë si të tillë.

 

5. Çfarë duhet dhe çfarë nuk u duhet treguar fëmijëve?

-Në periudhën 2 deri 6 vjeç, periudha para-operacionale, të menduarit e fëmijës është i mbushur me animizëm, tendenca për t’i veshur objektet me cilësi jetësore (fjalë dhe frymë). Gjithashtu fëmijët kanë fantazi mjaft të zhvilluar, e cila fillon të shkojë nga realja pas moshës 4 vjeç. Kështu që zgjedhja e fjalës do shumë kujdes dhe përgjegjësi. Janë të domosdoshme sinqeriteti, e vërteta dhe thjeshtësia e përshkrimit. Kurrsesi nuk duhen gënjyer fëmijët. Shpesh fëmijët kane konfuzion për dukuri të ndryshme, por ata i përshtaten nivelit dhe gjuhës se tyre kur flasin me të tjerët. P.sh., një fëmijë 4-vjeçar flet ndryshe me një 2-vjeçar dhe ndryshe me një moshatar. Është e dobishme të përfshihen në eksperienca pozitive dhe negative të jetës; të garojnë ku të fitojnë e të humbin; të gëzojnë dhe të trishtohen; të mos përjashtohen nga familja në dasma e morte; t’u flitet hapur kur humbin një prind, divorc apo largim të prindit për një kohë jashtë vendit. Fëmijët duhen stërvitur me ankthin e pritjes dhe të ndarjes. Për shembull, nëse fëmija rri disa ditë te gjyshja, larg nënës. Duke asistuar  përmes fjalëve të sinqerta, biseda telefonike, në Skype,  fëmijës i zbutet ndjenja e lodhshme e pritjes, e cila mund të përfundojë me temperaturë (bën shkarkimin e gjendjes emocionale).

 

6. Sa e rëndësishme është prezenca dhe bashkëpunimi mes dy prindërve në edukimin e fëmijës?

-Prezenca e të dy prindërve është e rëndësishme në rritjen, zhvillimin dhe strukturimin psiko-emocional të fëmijës. Trekëndëshi magjik nënë-baba-fëmijë, kur funksionon me dashuri, respekt e marrëdhënie të sinqertë, është një mrekulli. Fëmija do modele të imitojë e më pas të krijojë figurën e tij. Nëna luan rolin e saj mëmësor dhe babai rolin e tij atësor. Por nëna jep modelin e femrës ideale, të gruas së burrit. Pra, ka një rol kompleks. Gjithashtu edhe babai. Më kujtohet shprehja e Naimit: “Nëna më mëkoi, babai më edukoi”. Kjo do të thotë që në kuptimin fiziologjik, rolet prindërore janë të përcaktuara deri diku  e të qarta për nga funksioni në familje. Nëse prindërit bëhen kundërshtues apo luftarakë, në familje mbizotëron pasiguri dhe probleme, këtu do të rritet një fëmijë i paqartë, i dobët, i pasigurt, me vetëvlerësim të ulët. Nëse prindërit ndajnë detyrat, kohën, dhe përfshihen aktivisht në jetën e fëmijës, bashkëbisedojnë dhe unifikojnë një model të mirë prindërimi, ky fëmijë do të jetë i sigurt, i mençur, i dashur, tolerant. Kur gruaja ose nëna është e lodhur, e mbingarkuar, hyn në mes saj dhe fëmijës bashkëshorti, i cili ndihmon edukimin e qetë dhe komunikues. Duke ndikuar që situata të mos shkojë në dhunë. Por sot po shtohen rastet e divorcit. Janë të paktë në numër prindërit që bashkëpunojnë për t’ia bërë jetën më të mirë fëmijës. Shpesh mbizotërojnë ndjenja të ulëta hakmarrjeje, mllefi, sharje e ky mjedis vaksinon negativisht fëmijën e projekton në mendjen e tij frikën e pasigurinë që do të ndikojnë në të  ardhmen e tij.

 

7. Si duhet të sillemi me një fëmijë me karakter të fortë?

-Fëmijë me karakter të fortë do të quaja fëmijët e respektuar, që kanë ndërtuar mendimin e tyre dhe dinë ta mbajnë atë. Argumenti i saktë, t’i lësh fëmijës pak kohë dhe gjetja e fjalëve të duhura në komunikim do të ishin mënyrat më të mirë.

Nëse quan të fortë fëmijën kapriçoz këtu ndryshon puna. Për  fëmijët që nuk u thuhet jo apo fëmijët 3-4 vjeç në moshën e egos apo fëmijët me nevoja të veçanta ka teknika të posaçme trajtimi. Dikujt i jep disa minuta kohë pritje. E nëse qan ose përplaset duhet të përpiqesh ta zotërosh, t’i rrish pranë, të mos lihet vetëm, të lejohet të qajë derisa të pushojë. Më pas kërkojmë të vendosim dialogun mbi ngjarjen e radhës. Hap pas hapi, nëse je i drejtë dhe koherent, fëmija fillon strukturohet. Qëllimi është të shkojmë te fjala, te komunikimi.

 

8. Kur fëmija insiston në një sjellje jo të mirë, si duhet të veprojë prindi?

-Është e domosdoshme që fëmijët të bëjnë gabime ose sjellje jo të mira. Në mosha të ndryshme, arsyet janë të ndryshme. Në moshën 4 vjeç është mosha e fantazisë së zhvilluar dhe e fjalës. Kam parë plot raste që për të tërhequr vëmendjen e prindërit, fëmijët provokojnë gabime, fantazojnë. Për deshifrimin e këtyre situatave me bazë fantazinë duhet pak vëmendje. Nuk duhen përdorur fjalitë: “S’ke turp! Pse gënjen? Pse e bëre?”. Duhet nisur nga ngjarja: Si do mendoje? Po sikur të ndodhte kështu? Si mund ta bëje ndryshe? Rëndësi të madhe këtu ka durimi dhe qetësia e prindit ose kujdestarit, pa e dramatizuar ngjarjen ose dhunuar fëmijën.

 

9. A duhet t’ua vëmë fajin prindërve kur fëmijët janë tekanjozë dhe të pabindur, apo është çështje karakteri?

-Prindërit janë edukatorët dhe  modelet e para të fëmijës dhe ky edukim dominant zgjat deri 13- 14 vjeç. Prindërit janë  edhe ligjërisht përgjegjësit për edukimin e fëmijëve të tyre. Ata mbajnë peshën më të madhe mbi edukimin. Nëse ata kundërshtojnë njëri-tjetrin në sy të fëmijës, nuk mbajnë fjalën e dhënë, nuk punojnë për strukturimin e rregullave dhe normat e sjelljeve etike, njëherë puthet e një herë dhunohet, fëmija bëhet i çoroditur, nuk ndërton dot një qëndrim korrekt e një model të pasur rregullash e sjelljesh. Ai bëhet tekanjoz, i grindur, i papëlqyer nga shoqëria, shpesh i përjashtuar dhe i vetmuar.

 

10. Disa këshilla që prindërit duhet të kenë parasysh për mirërritjen e fëmijës?

-Të lexojnë libra për edukimin dhe mirërritjen. Të mos i mbyllin problemet brenda në shtëpi, por të kërkojnë ndihmë të specializuar.

Të hasësh në vështirësi në prindërim u ndodh të gjithëve, por t’ia dalësh deri në fund u ndodh më punëtorëve, atyre që kanë durim e përgjegjësi.

Shumë prindër sapo u bëhen fëmijët 3 ose 4 vjeç e lëshojnë prindërimin, lodhen e futen në rutinë. I lënë gjërat të ecin pa kontroll. Këtu duhet të hyjnë në ndihmë gjyshërit, t’i nxitin ose t’i çlodhin, t’u japin kohë të riorganizohen./Blitz.al/

 

Komento
Shperndaje