Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

Dita Botërore e Mjedisit 2016: “Mbroni florën dhe faunën e rrallë të vendit”

May 31
17:01 2016

Në kuadër të Ditës Botërore të Mjedisit, e cila festohet çdo 5 qershor, Ministria e Mjedisit dhe UNDP në Shqipëri kanë organizuar një sërë aktivitetesh për të rritur ndërgjegjësimin dhe për të edukuar brezin e ri, që të japin kontributin e tyre për mbrojtjen e një mjedisi të shëndetshëm dhe dobishëm.

Tema e  Ditës Botërore të Mjedisit 2016 është: “Mbroni florën dhe faunën e rrallë të vendit”. Portali i Naturalist dhe sipërmarrja BioBlitz janë bashkuar me nxënësit e shkollës Sami Frashëri për të identifikuar dhe fotografuar speciet e florës dhe faunës në parqet e Tiranës.

“Edukimi mjedisor është një sfidë e përbashkët e të gjithë shoqërisë sonë, e të gjitha institucioneve shtetërore, si dhe e sistemit tonë arsimor, prandaj të gjithë së bashku duhet të punojmë për promovimin e vazhdueshëm të vlerave të mbrojtjes dhe zhvillimit të një mjedisi të shëndetshëm e të dobishëm për qytetarët tanë.”- ka thënë, në këtë event Ministri i Mjedisit  Z. Lefter Koka.

Gjithashtu,  Koordinatori i Përhershëm i Agjencive të Kombeve të Bashkuara në Shqipëri dhe Përfaqësuesi i Përhershëm i PNUD Brian Williams,ka mbyllur fjalimin e tij duke thënë: “Jam shumë i kënaqur,  që jam prezent në këtë event si pjesë e aktiviteteve që organizohen në kuadër të Ditës Botërore të Mjedisit. Një nga 17 Objektivat e Zhvillimit të Qëndrueshëm, të miratuar në Shtator 2015, ka për qëllim mbrojtjen, restaurimin dhe nxitjen e përdorimit të qëndrueshëm të ekosistemeve tokësore. Agjencitë e OKB-së në Shqipëri  do të punojnë me qeverinë për avancimin e kësaj axhende të rëndësishme”.

Ky aktivitet është organizuar nga Ministria e Mjedisit në bashkëpunim me UNDP dhe do të shtrihet në nivel kombëtar në 61 Bashki.

Shperndaje