Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

Arsyeja se pse zakonisht dashurojmë personin e gabuar…

Arsyeja se pse zakonisht dashurojmë personin e gabuar…
June 08
12:12 2016

Është e çuditshme në fakt që rrallë herë i përgjigjemi pyetjes: “Pse rashë në dashuri me dikë?”. Ndoshta sepse përgjigjja është një listë e gjatë cilësish ose mbase sepse ne as vetë nuk e dimë saktësisht arsyen.

Në përgjithësi ia nisim me; ai ka humor, ai është i zgjuar, ai sillet mirë me kafshët shtëpiake dhe i pëlqejnë ecjet në breg të detit e të tjera si këto. Por nëse mendojmë pak më shumë, ka shumë njerëz në botë që kanë të njëjtat karakteristika, atëherë pse duam pikërisht këtë person dhe jo një tjetër? Dhe më e çuditshmja nga të gjitha, pse pikërisht ky person në shumicën e rasteve është i gabuari?

Si dikush që ka kaluar disa marrëdhënie mund të them se jam munduar shumë t’i kthej përgjigjen e duhur kësaj pyetjeje në kokën time. Gjatë kësaj kohe që e kam përpunuar në mendje, më ndodhi rastësisht të njihem me veprën e një filozofi të quajtur Alain de Botton, i cili fliste pikërisht për këtë temë që më intrigonte.

De Botton diskutonte mbi martesën, por teoritë e tij mund të jenë të qëndrueshme edhe për çdo lidhje që në bazë ka ndjenjën, jo domosdoshmërish martesë. Ai shpjegon arsyet se pse shumica prej nesh zgjedh një partner të gabuar. Më së shumti njerëzit gabojnë sepse zgjedhin një partner pasi ndihen të vetmuar, duke menduar se një partner do të mbushë çdo boshllëk që ata aktualisht kanë në jetët e tyre. Problemi më i madh është kur ngatërrohet dashuria e vërtetë me një marrëdhënie nevoje.

Megjithatë, më e rëndësishmja sipas shpjegimit të Botton për një lidhje të vërtetë dashurie mbetet instinkti dhe përjashtohen llogaritë nga faktorë të jashtëm. Kur ndjesia është e vërtetë, dy njerëz janë të dëshiruar deri në absurd për njëri-tjetrin. Me fjalë të tjera, kur dikë e do, instinkti të bën të mendosh se ky person i caktuar do të kthehet në strehëzën tënde.

Por pikërisht në këtë moment kur zemra të thërret: “Ky është i duhuri!” bëhet edhe më i vështirë procesi i vetëpranimit nëse është apo jo ky vendimi më i mirë i mundshëm. Dëshira, instinkti dhe vendimet e zemrës janë të pashpjegueshme, ndaj dhe risku nëse vendimi është bërë i matur apo fëmijëror mbetet i barabartë. Në fund të ditës, nuk i dihet asnjëherë nëse do të falënderosh Zotin për njohjen e partnerit tënd apo thjesht do të hedhësh fajin mbi ato “ndjenja budallaqe” që të mbyllën sytë dhe mendjen. Kjo, sigurisht, mbetet e hapur dhe nuk mund të ketë kurrsesi një përgjigje konkrete.

Përgjithësisht gabojmë në zgjedhje sepse kur dashurojmë, mendojmë si fëmijë. Duam një strehëz të ngrohtë, shpatull ku të mbështetemi, fjalë të ëmbla, përkujdesje, pak a shumë të gjitha këto që paraprakisht kanë qenë të siguruara nga prindërit tanë. Njerëzit gjithnjë do të bien në dashuri dhe deri tani kjo është mënyra më e bukur dhe romantike e të gjeturit të një partneri, por sërish duhet të them se nuk jam dakord të udhëhiqem nga një dashuri e verbër e nevojave fëmijërore. Sa më tepër rritem në moshë, aq më shumë kuptoj sesa i rëndësishëm është të menduarit me racionalitet. Zgjedhja e një partneri është një nga zgjedhjet më të rëndësishme të jetës, ndaj kur të shikoni se ndjenjat do t’ju dërgojnë ndaj një personi të caktuar, ashtu krejt rastësisht, shijojeni magjinë, por ju lutem, merreni edhe trurin me vete…

Autore: Kerri Sackville

Shperndaje