Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

Skandali në Shkodër, Totozani: Ky sistem të shembet, nevojiten zgjidhje afatgjata

Skandali në Shkodër, Totozani: Ky sistem të shembet, nevojiten zgjidhje afatgjata
May 19
23:20 2016

Lidhur me skandalin më të fundit të shënuar në një jetimore në qytetin e Shkodrës, Ministri i Mirëqenies Sociale, Blendi Klosi, deklaroi në një lidhje direkte për emisionin “Top Story” se do të kërkohet ndryshim i masës së sigurisë për shkak se dënimi për kryerjen e veprës penale të abuzimit ndaj fëmijëve është minimal. “Tolerancë zero për ata që kanë për detyrë të kujdesen për fëmijët”, tha ministri Klosi. Ai theksoi se nevojitet që të ketë një bashkëpunim harmonik mes institucioneve përballë ngjarjeve të tilla. Në këtë linjë, ministri u shpreh se reforma territoriale ka përmirësuar dukshëm këtë situatë.

Sipas të ftuarit Ilir Cumani, nga Instituti Kombëtar i Fëmijëve, përgjegjësia për administrimin e këtyre qendrave bie kryesisht mbi pushtetin lokal. Ai kërkoi shembjen e këtij sistemi, referuar tre rasteve të ngjashme, shënuar në më pak se një vit.

I ftuar gjithashtu në “Top Story”, Avokati i Popullit, Igli Totozani, tha se problematikat lidhur me këtë rast janë të shumta dhe të ngjashme, referuar problematikave të hasura në stafin e punonjësve, aktivitetet sociale dhe infrastrukturë. “Përballemi me të rinj që pasi mbushin të 18-at, u duhet të përballen me realitetin me vetëm 30 mijë lekë të vjetra ndihmë ekonomike, pa mundësi strehimi dhe punësimi.

“Nuk zgjidhen problemet duke u shfajësuar dhe fajësuar palën kundërshtare, por përmes bashkëpunimit. Nevojitet që të analizohet çdo institucion pasi në tërësi përbëjnë një sistem institucionesh të dështuara. Po dështojmë të ardhmen tonë, pasi nesër këta fëmijë të dhunuar do të jenë kontingjenti më i afërt për prostitucion, trafik droge dhe krimi të organizuar. Nevojitet që këtyre fëmijëve tu sigurohet strehim nëpër familje. Nevojiten zgjidhje afatgjata.”, tha ndër të tjera Avokati i Popullit.

Komento