Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

Shenjtërimi i Nënë Terezës – besimtarët, jobesimtarët dhe… shqiptarët!

Shenjtërimi i Nënë Terezës – besimtarët, jobesimtarët dhe… shqiptarët!
August 31
17:42 2016

Vetëm pak ditë na ndajnë nga 4 shtatori i shënuar, data që Papa Françesku ka përzgjedhur për të kryer ceremoninë e Shenjtërimit të Nënë Terezës.
Një ngjarje e shumëpritur kjo nga miliona besimtarë anembanë botës, por më së shumti nga shqiptarët të cilët shohin një figurë të vendit të tyre të lartësohet si askush më parë.

Duket gjithçka e bukur deri këtu, ama si kurdoherë zërat kundër nuk mungojnë. Skeptikët e jobesimtarët e huaj janë gjithnjë prezentë, duke u munduar të vënë në dyshim figurën e Nënë Terezës, por nuk qëndron këtu problemi, për aq kohë sa misionarja ka arritur t’i “mposhtë” të gjitha akuzat ndaj saj nëpërmjet veprave.

Të bën përshtypje fakti i publikimit të artikujve të vjetër apo të rinj në portalet shqiptare, ku nuk bëhet gjë tjetër veçse baltoset figura e Nënë Terezës, të mirat që ajo ka bërë dhe mrekullitë të cilat për pak ditë do t’i japin titullin “shenjt”.

A është vërtet ky momenti për të tilla shkrime? Mos vallë, në vend që të ngremë pikëpyetje, duhet të ndajmë me të gjithë konfirmime, për të cilat vetë Ati i Shenjtë dhe miliona njerëz në rruzullin tokësor janë mëse të bindur?

Në fakt, kjo është një karakteristikë që sa vjen e po vihet më shumë në pah në popullin tonë; arritjet e një tjetër shqiptari nuk na bëjnë edhe aq të lumtur, përkundrazi na shtyjnë të shohim anët negative, edhe pse shpesh nuk ka…

Pikërisht në periudhën kur kemi nevojë për lajme të tilla, kur duhet të ndiheshim më të kënaqur se kurrë që një shqiptare po shenjtërohet, vazhdojmë shprehim opinionet (në dukje të të tjerëve) të cilat nuk e lartësojnë atë, por e hedhin sa më poshtë.

Eh, tashmë ndarja nuk bëhet më vetëm në besimtarë e jobesimtarë, pasi është shtuar edhe një “kategori” e re… shqiptarë – kritikët dhe ekspertët e gjithëkohshëm të politikës, të artit, të sportit, të tokës e të qiellit!

Shperndaje