Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

“Sensitive Society Club” në ndihmë të Xhuljanës, vajzës që vuan nga një sëmundje e rëndë në rrugët e frymëmarrjes

“Sensitive Society Club” në  ndihmë  të  Xhuljanës, vajzës që vuan nga një sëmundje e rëndë në rrugët e frymëmarrjes
May 30
13:45 2016

Haxhire, Imelda dhe Kei janë tre studente nga Universiteti i Epokës.
Vajzat janë pjesë e një organizate studentësh vullnetarë të quajtur “ Sensitive Society Club”, që organizon aktivitete të ndryshme në ndihmë të fëmijëve jetimë dhe të sëmurë, duke dhënë mësim dhe duke kaluar kohë me ta. Nisma e tyre quhet “TUNGJATJETA” dhe sot ata i janë drejtuar redaksisë së Blitz. al për të treguar historinë e Xhuljanës, e cila vuan nga një sëmundje e rëndë.

“Ne kemi marrë një kërkesë nga një vajzë e sëmurë nga kanceri në rrugët e frymëmarrjes. Ajo është 18 vjeçe, quhet Xhuljana, është nga Pogradeci dhe është në stadin e dytë të sëmundjes. Në shtator ajo ka bërë operim, sapo ka mbaruar kimioterapinë dhe trupi i saj nuk ka reaguar mirë për shkak të mungesës së ilaçeve. Tani Xhuljana e ka urgjent trajtimin me kurën e plotë para se të fillojë trajtimin me rreze.

Nisma jonë fillimisht ka nisur në shkollë, më 18 maj. Shkolla organizoi panairin “Spring fest”, të cilin e shfrytëzuam për të promovuar fushatën tonë. Fillimisht e nisëm me 60 lekë të vjetra dhe me ushqime të gatuara vetë nga shtëpia.Përveç panairit bëmë dhe shumë foto çasti të studentëve dhe të ardhurat prej tyre i përdorëm si buxhet për të blerë materiale për balona. Shfrytëzuam eventin “Tirana pa makina” për të shitur balonat që i bënim vetë në moment, për të integruar edhe të tjerët. Atë ditë gjithçka shkoi mirë, madje edhe arritëm të krijonim një marrëdhënie bashkëpunimi me “Stela Resort”, e cila na bëri kërkesën për të bërë 100 balona në kuadër të festës së 1 qershorit.

Aktiviteti i radhës është koncerti më datë 31 maj, ku do të ketë të ftuar shumë artistë, të cilët kanë ardhur vullnetarisht, madje disa prej tyre na kanë kontaktuar vetë. Fillimisht jemi vënë në kontakt me Lorenc Hasraman, këngëtarin pjesëmarrës në “The Voice 5”, të cilit i janë bashkuar edhe këngëtarë të tjerë nga ky kompeticion. Jemi në dijeni që po përgatisin një surprizë. Në koncert do të marrin pjesë këngëtarë si Aleksandër Gjoka, Eugent Bushpepa, Erik Llloshi, Anxhela Peristeri, Ardita dhe Armela Tusha, Stiv Mello etj.

Qëllimi kryesor është që të gjitha të ardhurat e aktiviteteve të organizuara të shkojnë për të ndihmuar Xhuljanën. Ju ftojmë të bëheni pjesë e koncertit që do të organizohet në 31 maj 2016 në orën 18:00 te qendra kulturore, te Katedralja Ortodokse “Ngjallja e Krishtit”. Bileta kushton 500 lekë të reja.

Të interesuarit për bileta janë të lutur të na kontaktojnë në faqen zyrtare në Facebook: Tungjatjeta.

Ejani të jetësojmë ëndrrën e Xhuljanës. Ajo ëndërron të jetojë, ndaj le të përpiqemi t’ia bëjmë realitet”.

Komento
Shperndaje