Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

Pensionet private vullnetare, në 2015-n më shumë femra në skemë

Pensionet private vullnetare, në 2015-n më shumë femra në skemë
April 15
19:52 2016

Gjatë vitit 2015, tregu i pensioneve private llogariti një total asetesh neto prej rreth 928 milionë lekë, 48% më shumë se në 2014-n. Kjo është një shifër modeste, shkruan “Monitor”, në kushtet kur tregu përballet me një sërë vështirësish lidhur me incentivat fiskale apo taksimin jo të drejtë.

Raporti i fundit i Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare bën me dije se në fund të 2015-s, numri i anëtarëve u llogarit në 12,559 duke shënuar rritje prej rreth 48% krahasuar me 2014-n.

Në këtë raport bie në sy prania më e madhe e femrave në këtë skemë si kontribuese, duke arritur në rreth 78% të totalit në vitin 2015. Kështu nga rreth 3,700 anëtare femra që ishin pjesë e skemës së pensioneve vullnetare në vitin 2014, numri i tyre arriti në mbi 6,600 në vitin 2015.

Krahasuar me femrat, numri i meshkujve u rrit me ritëm më të ngadaltë dhe në fund të vitit 2015, u llogarit një shifër totale prej rreth 5,900 individësh.

Ekspertët e këtij sektori rendisin avantazhet përkundër skemës që zbatohet sot nga shteti (pay as you go). Disa avantazhe janë: mosha më e hershme për të dalë në pension; përfitime më të larta (skema shtetërore e ka kontributin rreth 30-35% të nivelit të pagave); janë të trashëgueshme; kanë sistem fiskal favorizues.

Të dhënat e Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare tregojnë se tri shoqëritë operuese të këtij tregu, llogaritën në fund të vitit 2015, një portofol investimesh rreth 879 milionë lekë, ku bonot e thesarit dhe obligacionet zinin një hapësirë prej 96%.

Komento