Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

Ndotja në Zvërnec, ja se si injorohemi nga qeveritarët tanë

Ndotja në Zvërnec, ja se si injorohemi nga qeveritarët tanë
May 28
20:01 2016

Katër ditë më parë u bë publik lajmi i katastrofës mjedisore në Zvërnec, ku disa ton naftë të papërpunuar ndotën gati 5 km vijë bregdetare. Lajmi u bë menjëherë i ditur nga Ministrja e Mbrojtjes, Mimi Kodheli, e cila postoi në rrjetin social Facebook disa foto nga vendngjarja dhe shprehu interesin për të. Blitz.al kontaktoi me zëdhënësen e Ministrisë së Mbrojtjes, Edlira Prendi, e cila u tregua e gatshme të konfirmonte interesimin e ministres për këtë ndotje mjedisore dhe angazhimin e Forcave Detare në operacionin për parandalimin dhe pastrimin e ndotjes përgjatë vijës bregdetare në Vlorë, Triport-Plazh-Zvërnec.

Pas bërjes publik të lajmit, kompania “Petrolifera” u shpreh në deklaratën e saj për shtyp se Zvërneci u ndot nga një pakujdesi e anijes turke “Ismail Kaptanoglu”, por menjëherë u zbatua plani i emergjencës i parashikuar sipas standardeve ndërkombëtare. I menjëhershëm ishte edhe reagimi i ministrit të Mjedisit, Lefter Koka, i cili foli për angazhimin e ISHMP-së dhe AKM-së në vendngjarje dhe siguroi se përgjegjësit do të përballen me ligjin.

Blitz.al u përpoq të mësonte diçka më shumë lidhur me masat e marra apo që priten të merren ndaj përgjegjësve të kësaj ndotjeje mjedisore apo se si paraqitet aktualisht gjendja në Zvërnec, por përpjekjet rezultuan të kota. Interesimi u drejtua edhe kah ministres së Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, Milva Ekonomi, për ta pyetur se sa në dijeni ishte ajo dhe si e shihte këtë katastrofë mjedisore në prag të sezonit turistik veror. Por edhe ministrja nuk na u përgjigj.

Ende nuk dimë gjë tjetër sa i takon kësaj emergjence të ndotjes mjedisore dhe as nëse përgjegjësit janë përballur aktualisht me ligjin. Ne, qytetarët e këtij vendi, kemi nevojë të dimë se ç’ndodh rreth e përqark nesh.

 

Etiketimet
Shperndaje