Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

Mamasë mos i dhuroni lule këtë muaj, por një vizitë tek mjeku, që kanceri i gjirit të mos bëhet pjesëtari i padëshiruar i familjes

Mamasë mos i dhuroni lule këtë muaj, por një vizitë tek mjeku, që kanceri i gjirit të mos bëhet pjesëtari i padëshiruar i familjes
October 03
12:42 2018

Kush ka kaluar një histori familjare kanceri, e di që përpara se të flasësh për këtë temë, duhet të kesh kaluar në 3 faza.

Faza e parë është ajo e refuzimit te diagnozës, e dyta është ajo e traumës dhe e treta ajo e pranimit.

Vetëm pasi t’i kesh kaluar të gjitha këto etapa, atëherë mund të flasësh për këtë çështje.

Dhe më besoni, këtë nuk po jua thotë thjesht një gazetare portali. Këtë po jua thotë bija e një nëne që aktualisht po lufton për të fituar betejën me këtë sëmundje.

Nuk tregohem aspak delirante të mëndoj që një shkrim (modest) i imi, ashtu si duhet te jetë të paktën këtë muaj një shkrim i çdokujt që ka luksin të lexohet nga masa, mund të shpëtojë jetën e një gruaje.

Muaji tetor, në gjithë botën është muaji i ndërgjegjësimit dhe sensibilizimit në luftën kundër Kancerit të Gjirit, ndaj është detyrë e çdo medieje t’i krijoje hapësirën e duhur kësaj kauze.

Qëllimi është të shpërndajë informacion për shëndetin e gjirit dhe të rrisë ndërgjegjësimin për parandalimin dhe zbulimin e hershëm te gratë e vajzat.

Ashtu si në nivel global, edhe në Shqipëri, kanceri i gjirit është kanceri që haset më shpesh te femrat dhe qëndron në krye të listës së inçidencës dhe vdekshmërisë nga kanceri, krahasuar me llojet e tjera të kësaj sëmundjeje.

Faktori gjenetik, jeta sedentare, dieta yndyrore dhe ndryshimi i mënyrës së jetesës në përgjithësi ka shtuar numrin e grave të prekura.

Instituti i Shëndetit Publik jep shifra alarmante për të prekurit nga kjo sëmundje malinje.

Sipas ISHP-së, çdo vit, vetëm në Qendrën Spitalore Universitare hasen mesatarisht 400 raste të reja me kancer gjiri. Pa llogaritur këtu dhjetëra e qindra gra të tjera të cilat zgjedhin të kurohen jashtë vendit.

Thënë të gjitha këto, në një kohë kur situata është alarmante, kjo shifër duhet të shërbejë si këmbanë alarmi për çdo grua e cila ka rrezikun potencialisht të preket nga kanceri i gjirit.

Sigurisht që promovimi në media dhe përfshirja e personazheve publikë në aktivitetet dhe kauzat që ngrihen për kancerin e gjirit ndikon në rritjen e ndërgjegjësimit dhe sensibilizimit.

Ndaj, sado e vogël të na duket ajo që po bëjmë, për dikë mund të përbëjë vijën ndarëse te jetës me vdekjen.

Duhet të kuptojmë gjithashtu që Shqipëria nuk është vetëm Tirana dhe qytetet përreth.

Flasim këtu për zona të thella të Shqipërisë, zona ku mentaliteti dhe mungesa e informacionit jane ato që pengojnë gratë për të mos marrë informacion për këtë sëmundje, si rrjedhojë ta “zbulojnë” me vonesë atë. Gjithashtu duhet theksuar se zbulimi i kësaj sëmundjeje në fazat e saj fillestare ose në fazat e vonuara ecën paralel me jetën ose vdekjen.

Gjatë kohës kur u përballa me diagnozën e mamasë sime u shndërrova në një gropë thithëse informacioni. U njoha nga afër me histori që ia kishin dalë dhe me beteja të humbura: disa herë nga diagnostikimi me vonesë për shkak të neglizhencës dhe herë të tjera nga refuzimi për të shkuar te mjeku, prej turpit.

Kuptova gjithashtu që me rritjen e moshës, rritet dhe rreziku per t’u prekuar nga kjo sëmundje.

Janë mamatë tona, mbi 45-50 vjeçare gjahu i parapëlqyer i këtij tumori malinj. Është pikërisht kjo grupmoshë që përbën rreth 70 % të rasteve.

Kështu, të paktën këtë muaj, nëse mamatë nuk kanë informacionin e duhur për ta bërë, bëjeni ju në vënd saj.

Është e vërtetë që mamatë kanë nevojë  të përkëdhelen e të ndihen të vlerësuara me dhurata e me lule, por në fund të ditës ajo çfare ka më shumë rëndësi kur mbyllim derën është shëndeti dhe prania e saj në shtëpi.

Ndaj  këtë muaj dhurojini mamasë tuaj një mamografi.

Kështu do të kesh gjithë muajt e tjerë të vitit për t’i blerë lule.

Nëse vazhdojmë të thellohemi me raportet e Institutit të Shëndetit Publik, ajo që vihet re janë rastet e shtuar të kancerit të gjirit në moshat e reja.

Po shtohen çdo ditë raste të vajzave 20-25 vjeçare.

Ndryshe nga moshat mbi 40 vjeç ku aplikohet mamografia, te vajzat e reja është i këshillueshëm kontrolli klinik i gjirit, aq më shumë i atyre që kanë pasur një histori kanceri në familje.

Ndaj, vajza, e di që jeta virtuale e Instagramit është e bukur, por ajo jashtë saj, ajo e vërteta, është akoma më e bukur, më e çmuar.

Të paktën këtë muaj, përpara se t’i bëni foto për Instagram gjoksit tuaj, bëni një eko gjiri.

Ndoshta ky shkrim nuk do ketë klikimet e dasmës së Elitës dhe shoqeve te saj, ama si një përson që e kam prekur nga afër këtë sëmundje dhe gjithë traumën që shoqëron trajtimin e saj, e ndieja detyrë morale të sensibilizoja sado pak ato lexues që do kenë interes.

Ndaj, pasi të keni shpenzuar 5 minuta nga koha juaj për të lexuar shkrimin, bëjini vetes një nder, shpenzoni dhe 5 minuta të tjera për të rezervuar një takim nesër tek mjeku. /Blitz.al/

Komento
Shperndaje