Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

LGBT, aktivitetet që u zhvilluan në Shqipëri dhe Kosovë

May 17
13:33 2016

Në Ditën Ndërkombëtare kundër Homofobisë, Transfobisë dhe Bifobisë, aktivistët e LGBT-së kanë zhvilluar një sërë aktivitetesh me qëllim ndërgjegjësimin e shoqërisë civile për të mos diskriminuar të rinjtë dhe të rejat që ndihen ndryshe.

Aktivitetet kryesore për këtë ditë, në Shqipëri u zhvilluan më 14 maj, ku përfaqësues të LGBT-së pedaluan me biçikleta kundër diskriminimit të tyre. Këtij komuniteti iu bashkua në aktivitet ambasadori i SHBA-ve në Shqipëri, Donald Lu dhe ambasadorja e Holandës, Deëi van de Weerd. Në fjalën e tij, ambassadori Lu u shpreh se vlerëson guximtarët që luftojnë për të drejtat e tyre.

“Jam e kënaqur që u bëra pjesë dhe ka një prani gjithnjë e më të madhe të qytetarëve që janë të pranishëm dhe marrin pjesë në këtë aktivitet. Dua të shpreh vlerësimin për guximin që kanë këta njerëz”, tha nga ana tjetër ambasadorja holandeze në Tiranë.

Dy organizatorët e aktivitetetit të zhvilluar në bashkëpunim me Ecovolis, Kristi Pinderi dhe Xheni Karaj, theksuan se duhet ende punë për të garantuar të drejtat e komunitetit LGBT që ende vijojnë të ndihen të diskriminuar dhe të paragjykuar.

Një ditë më parë, përfaqësues të komunitetit, të mbështetur nga Qendra Rinore e Vlorës,  ndoqën filmin “SkaNdal” me skenar të dy aktivistëve të komunitetit LGBT. Filmi prej 63 minuta ka fituar çmimin e parë në Festivalin Ballkanik të Filmit dhe Kulinarisë “B3F” dhe ka marrë pjesë në dy festivale ndërkombëtare të filmit, DokuFest në Prizren dhe Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Sarajevë.

Marshi ishte edhe përzgjedhja e komunitetit të LGBT-së në Kosovë, i cili nisi në orën 11:30, ku përveç aktivistëve ishin të pranishëm edhe zyrtarë të lartë e përfaqësues të selive diplomatike në Kosovë. Marshit iu bashkuan presidenti i Republikës, Hashim Thaçi, ambasadori i SHBA-së dhe Britanisë së Madhe, Greg Delawie dhe Ruairi O’Connell, si dhe raportuesja për Kosovën, Ulrike Lunacek.

“Çdo qytetar, pa dallim etnie, pa dallim seksi gëzon të drejtat e barabarta.”, u shpreh kreu i Presidencës.

Burime: “Ecovolis” & “Indeksonline”

Shperndaje