Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

(Intervistë) “Xhuma Bamirësie” krah të “mundurve” të Fierit, pa dallim feje: “Ndihmojmë edhe të krishterët”

(Intervistë) “Xhuma Bamirësie” krah të “mundurve” të Fierit, pa dallim feje: “Ndihmojmë edhe të krishterët”
May 30
20:41 2016

Nisma “Xhuma Bamirësie”, nuk ka shumë që është jetësuar, e nxitur nga mjerimi i njerëzve në nevojë të qarkut të Fierit, të cilët nuk kanë kushtet themelore për të jetuar. Në një intervistë ekskluzive për Blitz.al, imami i xhamisë Rreth-Libofshë Fier, Albert Kanani, tregon në mënyrë të detajuar rreth vënies në jetë të kësaj nisme, nga u mbështet, cilët ka në fokus, duke sjellë në këtë mënyrë një panoramë të qartë të problematikave që karakterizojnë shoqërinë tonë, ku jo shumë larg Tiranës, familje të tëra vuajnë për bukë.

1.“Xhuma Bamirësie” është një nismë që ka në fokus njerëzit në nevojë. Si lindi ideja e zhvillimit të kësaj nisme dhe kur i ka fillesat?

-Shpeshherë dëgjonim për skamjen e X familje dhe mundoheshim me njëri-tjetrin në xhami t’u blinim sado pak ushqime, por kjo nuk ishte rrugëzgjidhje. Disa studentë që frekuentojnë shpesh xhaminë ku jam imam më sugjeruan se e vetmja rrugë për t’u gjendur pranë familjeve në nevojë është kontributi i të gjithëve nga pak dhe  të bëja thirrje në ligjëratën e ditës së xhumasë (të gjithë besimtarët në këtë ditë mblidhen në xhami) për t’u sensibilizuar që të gjithë të dhurojnë diçka për familjet në nevojë dhe për çdo xhuma të ndihmojmë të paktën një familje në nevojë. Besimtarët iu përgjigjën pozitivisht kësaj nisme. Pas disa javësh menduam ta zgjeronim këtë nismë dhe të hapnim edhe një faqe në Facebook, që e quajtëm “Xhuma Bamirësie”, ku ne publikojmë foto nga vizitat që kryejmë në familjet në nevojë, me qëllim që të sensibilizohen edhe të tjerë me këtë nismë. Kjo pati reagime pozitive dhe mbështetje, por na erdhën edhe shumë kërkesa nga nevojtarët.

  1. Kush është në fokus të kësaj nisme?

-Në fokus të kësaj nisme janë familjet më në nevojë që vuajnë për bukën e gojës, pa dallim feje apo race, pavarësisht se nisma është e xhamisë.

  1. Cilët i janë bashkuar kësaj nisme?

-Kësaj nisme, përveç besimtarëve, u janë bashkuar edhe disa biznese, si dhe na kanë inkurajuar shumë emigrantë nga zonat tona që kanë premtuar se do të na mbështesin në këtë nismë.

  1. Kjo është nisma e vetme në qarkun e Fierit. Përveç familjeve në nevojë në qytet, deri ku është shtrirë “Xhuma Bamirësie”?

-U bënë dy muaj që në çdo ditë xhumaje, “Xhuma Bamirësie ” viziton 1-2 familje në nevojë për momentin, duke i ndihmuar me ushqime. Kjo është nisma e vetme në zonën e Fierit që është aktive në kërkesat për ndihmë. Kemi pasur reagime pozitive, na është thënë se edhe “Fundjavë ndryshe” do vijë në Fier, një lajm i mirë ky për njerëzit në nevojë. Nisma jonë është shtrirë në disa fshatra të Fierit.

  1. Çdo të premte ju vizitoni një familje në nevojë. Mund të na tregoni organizimin e kësaj dite?

-Sigurisht. Pasi kryejmë ritet fetare në ditën e xhumasë, me ato të ardhura që mblidhen, blejmë ushqime dhe vizitojmë një familje për gjendjen e së cilës jemi interesuar gjatë javës. Rezultatin e publikojmë më pas në rrjetin social Facebook, në faqen e nismës dhe në faqen e xhamisë Rreth-Libofshë. Ai që dëshiron të bëjë bamirësi, komunikon me pas me stafin tonë.

  1. Mund të veçoni ndonjë rast si më të vështirin, ku keni shkuar dhe keni kontribuar?

-Rasti që na ka prekur më tepër ka qenë një familje e krishterë, ku kryefamiljari kishte vdekur para disa vitesh dhe gruaja bashkë me fëmijën jetonin në një dhomë të rrënuar, pa dyer, dritare, pa ujë, pa drita. Gruaja ishte e papunë. Jetonin me lëmoshat e fshatit.

  1. Ka pasur mjaftueshëm përkrahje “Xhuma Bamirësie” nga qytetarë të tjerë, përfshirë edhe ata të krishterë?

-Po, deri tani jemi ndihmuar dhe inkurajuar nga qytetarë, besimtarë. Na kanë dhënë kontributin e tyre disa qytetarë, mes tyre edhe tregtarë, por nuk i kam pyetur se cilës fe i përkasin. Shumë miq dhe shokë të krishterë kanë premtuar se do të kontribuojnë.

  1. Jeni përkrahur nga Bashkia e Fierit?

-Nga bashkia nuk kemi kërkuar ndihmë në mënyrë zyrtare, por disa punonjës në administratën e Bashkisë Fier më kanë përgëzuar për këtë nismë dhe më kanë thënë: “Kur t’ju nevojitet ndihma jonë, do të të ndihmojmë me ç’të mundemi”. Në fund të fundit, familjeve në nevojë e ka për detyrë bashkia t’u vijë në ndihmë.

  1. Cilën familje keni në fokus këtë të premte?

-Këtë të premte kemi në fokus një familje të rrënuar, pa asnjë përkrahje, me shtëpi të rrënuar, e cila banon në një zonë të largët të komunës Libofshë.

  1. Keni menduar t’i jepni një përmasë tjetër kësaj nisme me rastin e muajit të Ramazanit?

-Po, patjetër. Në muajin e Ramazanit shpresojmë ta zgjerojmë aktivitetin, sepse në Ramazan të gjithë besimtarët japin sadaka. Ju faleminderit që përkrahët këtë nismë!

 

Komento
Etiketimet
Shperndaje