Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

I riu në Afganistan kërcënohet me vdekje sepse mbron të drejtat e femrave

I riu në Afganistan kërcënohet me vdekje sepse mbron të drejtat e femrave
May 09
13:41 2016

Një mësues i ri në Afganistan është kërcënuar me vdekje edhe nga të afërm të tij për shkak se ka vendosur të luftojë traditën e lashtë të familjeve që i trajtojnë si skllave vajzat e tyre, të cilat i dhurojnë për t’u dhënë fund mosmarrëveshjeve.

24-vjeçari Khan Wali Adil ka ngritur kampin e tij në afërsi të kompleksit parlamentar të Afganistanit për të protestuar kundër praktikës “Baad”. Ai u kërkon ligjvënësve që të kalojnë legjislacionin e të drejtave të grave dhe të shfuqizojnë “Baad”, e cilësuar nga OKB si “mjaft e përhapur”. Ky ligj i propozuar është bllokuar nga konservatorët për vite me radhë.

“Burrat shesin motrat dhe bijat e tyre në emër të një martese pa pëlqimin e vajzave. Ato nuk mund të kenë një jetë dinjitoze si gruaja e dikujt dhe trajtohen si kafshë”,- ka thënë ndër të tjera i riu Adil, teksa qëndron në çadrën e ngritur në afërsi të parlamentit në qendër të Kabulit.

Mjaft prej vajzave dhe grave që janë përdorur për të zgjidhur mosmarrëveshjet janë rrahur ose abuzuar. Në disa raste, ato edhe janë vrarë. Një ndër to është edhe 22-vjeçarja nga provinca lindore Parwan, e cila i është dhënë një burri rreth të 40-ve, i martuar dhe me tetë fëmijë. Ajo është shprehur se e sheh veten si një mjet negocimi pasi vëllai i saj aksidentalisht qëlloi një person lidhur me një mosmarrëveshje toke.

“Si kusht për paqe, familje e tij kërkoi që familja jonë t’i jepte dy vajzat. Në përfundim, të dyja familjet ranë dakord që edhe një vajzë mjaftonte. Unë nuk doja, por babai im erdhi, më bërtiti dhe më tha se nëse unë nuk pranoja, vëllai im do të vritej. Unë nuk kam një jetë të mirëfilltë këtu. Ende trajtohem si armike; nëse diçka ndodh më fajësojnë mua. Kurrë nuk do ta fal familjen time për këtë që më bënë”,- tha ndër të tjera ajo teksa shtoi se nëse nuk do të kishte dy vajzat, do të ishte vetëvrarë.

I shtyrë nga qindra raste të tilla, 24-vjeçari Adil thotë se do të vazhdojë me fushatën e tij për të nxitur parlamentin të votojë kundër kësaj praktike, për të ndalur dhunën dhe shkeljen e të drejtave të grave. Kjo fushatë e tij ka pasur edhe mbështetjen e figurave fetare.

Mohammad Salim Hassani, një klerik shiit që mbështet fushatën, tha se “Baad” inkurajon “kulturën e imunitetit” në mesin e komuniteteve rurale.
“Çdo njeri është përgjegjës për veprat e tij ose të saj. Ju nuk mund të dënoni një vajzë për shkak të krimeve të dikujt tjetër. Këto vajza që përdoren, vuajnë gjatë gjithë jetës për shkak të etërve të tyre ose krimeve të vëllezërve”,- tha kleriku, që e cilësoi si të admirueshme këtë nismë të Adil.

afgan

Komento
Etiketimet
Shperndaje