Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

(Foto) Dy anët e medaljes brenda Parkut të Liqenit…

April 15
12:24 2016

 

Që prej fillimit të hartimit të një plani nga Bashkia e Tiranës, për të ndërhyrë në një pjesë të Parkut të Liqenit e për ta kthyer në kënd lojërash për fëmijë, reagimi kundër i publikut ka qenë i menjëhershëm. Kjo mos-dakordësi është treguar edhe nëpërmjet protestave të njëpasnjëshme të shoqërisë civile, ku nuk kanë qenë të pakta rastet në të cilat këta të fundit kanë pasur përplasje edhe me policinë. Protestave të shoqërisë civile, i është bashkuar edhe Opozita e ka qenë vetë Kryetari i PD-së Basha, i cili iu ka bërë thirrje të vazhdueshme njerëzve që mos ta lejojnë Bashkinë të ndërhyjë në të vetmen ‘mushkëri të pastër të Tiranës’.

Megjithatë, nga ana tjetër kryetari Veliaj nuk ka menduar për asnjë moment të vetëm, të ndërpresë punimet sepse sipas tij, ky nuk është vendim politik por vendim i ekspertëve që janë marrë për një kohë të gjatë duke shqyrtuar mundësinë e krijimit të një këndi lojërash për fëmijë, në një zonë të Liqenit artificial i cili aktualisht nuk ka asnjë funksion.

Debati në fakt, nuk qëndron për të kundërshtuar apo aprovuar një kënd lojrash. Edhe atyre të cilëve iu pëlqen ideja e një hapësire ku fëmijët mund të argëtohen, por edhe atyre që nuk janë pro këtij projekti, ajo çka në fakt i ngacmon të dyja palët është mundësia e betonizimit të Parkut të Liqenit. Qytetarët e Tiranës e duan këtë vend pushimi e qetësimi dhe i frikësohen ndonjë makinacioni të mundshëm për zaptimin e kësaj prone publike nga Bashkia për përfitime të sajat personale. Ky skepticizëm bën që të ketë  një ngërç në zhvillimin e mëtejshëm të plan-projektit për të cilin në fakt, Bashkia është shprehur se nuk do ta ndalojë për asnjë arsye dhe mbetet veçse ta vlerësojmë nëse vërtetë këndi i lojrave do të ndërtohet në mënyrë të atillë që të mos shkaktojë dëme përsa i përket shpyllëzimit.

Mirëpo, pavarësisht nga ky dyshim që ka opinioni publik si dhe frika ndaj prerjes së pemëve që janë aq të nevojshme për qytetin e Tiranës, Blitz.al ka siguruar disa pamje nga një pjesë tjetër brenda Parkut të Liqenit, ku vërehet se Bashkia e Tiranës po punon intensivisht për mbjellje të reja. Siç duket edhe nga pamjet, këto pemë janë duke zënë një hapësirë vërtetë të madhe, e cila ka qenë më parë një hapsirë boshe dhe pa gjelbërim.

Mesa duket, Bashkia e Tiranës ka bërë një balancë të mirë menduar që qytetarëve të Tiranës të mos i mungojë për asnjë moment gjelbërimi i Parkut të Liqenit, madje ky i fundit të ketë rritje të konsiderueshme në krahasim me çka është aktualisht. Tjetër fakt interesant është se për këtë mbjellje masive, nuk po bëhet asnjë manifestim buje as nga ana e Bashkisë dhe as nga mediat në përgjithësi. Mos ndoshta është kjo një përgjigje e heshtur e Bashkisë për skeptikët? Apo është thjesht një objektiv i brendshëm i planeve të kësaj Bashkie për të realizuar në këtë 4 vjeçar? Për aq kohë sa nuk ka një prononcim të qartë nga vetë Bashkia apo Kryetari Veliaj, këto pyetje mbeten vetëm hipoteza, por ajo që mund të dihet me siguri është se mesa duket e gjithë “zhurma” e Parkut të Liqenit, paska dy anë medaljesh…