Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

Dietat e personalizuara, tashmë një biznes fitimprurës në Shqipëri

Dietat e personalizuara, tashmë një biznes fitimprurës në Shqipëri
April 02
12:55 2016

Programi i dietave të personalizuara, një mundësi për të qenë në formë, është kthyer tashmë në një trend me kosto rreth një pagë mujore mesatare. Jeta moderne ka ndikuar në përditshmërinë e çdo personi, duke bërë që disa balanca të të ushqyerit të ndryshojnë.

Prej rreth një dekade, dietat personale janë shndërruar në një nocion të njohur për shqiptarët. Një formë biznesi mund të cilësohet tashmë ndërthurja e dietologjisë dhe shërbimit të dërgimit të ushqimeve në shtëpi. Dietologët shprehen se fillimisht u has vështirësi për shkak të mendësisë së shqiptarëve, por me kalimin e viteve shqiptarët e përqafuan këtë model biznesi.

“Ky shërbim është më i shtrenjtë dhe jo të gjithë e kërkojnë. Pjesa më e madhe e klientëve na drejtohen për dietat e personalizuara, që do të thotë vijnë që të marrin, sipas rendit të ditës, menytë e ushqimeve që duhet të konsumojnë”, – ka treguar pionierja e kësaj fushe, Blerina Bombaj, për “Monitor”.  Kategoria e konsultës dietologjike, e cila përfshin vizitën dhe rekomandimet e shkruara për humbje apo marrje peshe, si dhe ofrimi i shërbimit të dietës përmes “catering”-ut, duke i  dërguar të përgatitura vaktet e dietës, janë dy shërbimet kryesore që kërkojnë shqiptarët, sipas dietologes Enkeleida Ferollari.

Sa u përket kërkesave për këtë trend të ri në vendin tonë, thuhet se ka nga të gjitha kategoritë, duke nisur nga fëmijët me probleme shëndetësore, femrat e reja që duan të humbin peshë shëndetshëm (kërkesë estetike dhe mirëqenie), si dhe femra dhe meshkuj mbi 45 vjeç që kërkojnë “ndihmë” për arsye shëndetësore, por veçanërisht femrat e grupmoshës 30-50 vjeç.

Përfaqësues të bizneseve kryesore të dietologjisë shprehen se ky mund të konsiderohet një biznes fitimprurës. Gjithashtu konkurrenca çon në rezultate më të mira. Por sa paguajnë shqiptarët për këtë shërbim? Dietologia Kalleshi tregon për “Monitor” se analiza trupore, e cila përcakton masën dhjamore, masën hidrike, moshën metabolike, masën kockore, masën skeletore të pacientit së bashku me dietën e personalizuar për 2 muaj kushton 5,000 lekë. “Besoj se çdokush nuk do të kishte probleme të bënte një pagesë të tillë, në rastet kur përfitimet shëndetësore do t’i kishte të padiskutueshme”,- shprehet ajo. Sa i takon kostos për shërbimet e gatimit dhe dërgimit në shtëpi nuk mund të jepet një çmim fiks.

Tregu global i dietologjisë parashikohet të njohë edhe më tepër zhvillim. Sipas specialistëve të fushës, konsumatorët janë më të predispozuar për të shpenzuar për shërbime dhe produkte të tilla. Një studim i vitit 2014 i “Persistance Market Research”, kompani e njohur globale, tregonte se tregu global i shërbimeve dietologjike do të përjetojë një rritje prej 4.1% nga 2014-2020.