Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

(Thumb up/down) Kush shkëlqeu dhe kush ‘dështoi’ nga këngëtaret shqiptare në arenën ruse?

(Thumb up/down) Kush shkëlqeu dhe kush ‘dështoi’ nga këngëtaret shqiptare në arenën ruse?
August 04
12:41 2017

Siç edhe mund ta keni lexuar kudo në portale (sidomos ato shqiptare) këto ditë, një event shumë i këndshëm muzikor është mbajtur në Moskë të Rusisë, ku në një koncert të vetëm të realizuar nga “Europa Plus” u mblodhën tre këngëtare shqiptare: Dua Lipa, Bebe Rexha dhe Arilena Ara, e cila është duke synuar tregun ndërkombëtar për të ecur në rrugën e dy të parave, të cilat sot janë nga më të famshmet e më të kërkuarat.

Ndërkohë, nëse i analizojmë me një lupë më kritike performancat nga 12 minuta që mbajtën të tria këngëtaret shqiptare në “Europa Plus Live”, lehtësisht (pa qenë domosdoshmërisht ekspertë në muzikë) mund të dallohet diferenca midis të tjerave, si në të kënduar ashtu edhe në lëvizjet në skenë.

Ne të Blitz.al kemi vendosur që t’i analizojmë duke përdorur një mënyrë vlerësimi “Thumb up”’ për të treguar se performanca ka qenë e mirë dhe “Thumb down” nëse performanca ka “dështuar”.

Fillimisht ta nisim me performancën e Arilenës, e cila me siguri ka pasur edhe më shumë emocione se dy të tjerat, duke qenë se është vetëm në fillimet e saj për sa u përket skenave të mëdha. Dhe sërish, edhe pse shumë e emocionuar, Arilena e ka ruajtur qetësinë dhe me një siguri intonative dhe performuese ajo ka qëndruar denjësisht në skenë duke mos pasur asnjë ndryshim nga “Nëntori” që ka kënduar më parë në “Kënga Magjike”. Një “Thumb up” për Arilenën, që siç e thërret edhe Flori Mumajesi pas bashkëpunimit të tyre në “Nallane”, është “energjia”. E tillë, plot energji e ndezi skenën e “Europa Plus Live”, edhe pse ne do kishim preferuar një veshje më trendi për Arilenën, që është e re në moshë dhe shumë tip në kombinime.

 

Ndërkohë për të vazhduar me një tjetër “Thumb up” i referohemi performancës së Dua Lipës. Vetëm një fjalë: magjike! Ose jo, edhe një fjalë tjetër: perfekte! Dua nuk pati as më të voglin ndryshim nga këndimi “live” në atë të incizuar që jemi mësuar të dëgjojmë nga klipet dhe duhet thënë se sot kjo është diçka e rrallë të ndodhë. Këngëtarja lëvizi dhe kërceu përgjatë gjithë performancës dhe tregoi një siguri absolute, duke qenë e qetë e duke e pasur zërin nën kontroll njësoj sikur të ishte duke kënduar në studio muzikore dhe jo përballë një turme aq të madhe sa ajo e “Europa Plus”-it në Moskë. Në veshje, në paraqitje dhe tërësisht në mënyrën se si Dua luante jo vetëm me shikimet e të pranishmëve, por edhe me kamerat, duket se kjo vajzë do të jetë ylli më i ri i popit ndërkombëtar dhe ende nuk e ka prekur kulmin e saj.

Ajo që na zhgënjeu dhe ne do t’i japim një “Thumb down” është pikërisht Bebe Rexha. Duket se këngëtarja di të bëjë më mirë tekstshkruesen sesa të këndojë, sepse edhe në performanca të tjera “live”, përveç kësaj të “Europa Plus”, ajo ka pasur disa luhatje të dukshme në mënyrën se si këndon. Duket se Rexha e ka të vështirë të qëndrojë e intonuar gjithë kohës (duke kënduar këngët e saj, sigurisht) dhe në pikat më të forta të këngëve, aty ku edhe zëri i saj duhet të dalë në pah, këngëtarja kërkon vazhdimisht mbështetjen e publikut, duke i thirrur të këndojnë njëzëri, gjest ky që sigurisht tregon pasigurinë e saj që përpiqet ta fshehë duke bërë “show”. Për sa u përket lëvizjeve në skenë, Rexha njihet që është ndër më të mirat e momentit, por nuk mund të themi të njëjtën gjë për veshjen e saj, e cila ishte aq e ngushtë sa nga momenti në moment pritej të plaste prej shtrëngimit, pamje që nuk të krijonte aspak rehati kur e shihje Beben në skenë të performonte.

/Blitz.al/

Shperndaje