Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

Të “lypësh” vëmendje nga portalet! “Babëzia” e programeve shqiptare për të qenë të parët në shikueshmëri

Të “lypësh” vëmendje nga portalet! “Babëzia” e programeve shqiptare për të qenë të parët në shikueshmëri
April 20
18:04 2018
Televizionet shqiptare kanë qenë gjithnjë në konkurrencë të vazhdueshme se kush arrin shikushmërinë më të lartë. Çdo sezon drejtuesit e mediave mundohen të sjellin frymë të re bazuar mbi ide të ricikluara apo duke investuar ne patenta të ndryshme të blera nga të huajt, duke i përshtatur për tregun dhe publikun shqiptar.
Gjithçka vërtitet rreth vëmendjes, tendencës për t’u ndjekur nga sa më shumë njerëz dhe për të grumbulluar sa më shumë sponsor. Tashmë nuk çuditemi nëse shohim se filani apo fisteku na “përplas” fytyrës një kurbë shikueshmërie e cila tregon se program i tij ka qenë më i ndjekuri i kësaj jave krahasuar me të tjerët. Këtë gjë e bëjnë jo një herë por në vazhdimësi duke treguar se po dominojnë “potencialisht” mbi konkurrencën e duke stimuluar që për të dhe “arritjen e tyre” të flitet kudo në media, jo vetëm në korridore por sidomos në kryefaqet e portaleve.
Shpeshherë ndodh që pikërisht këta grafikë të shikueshmërisë janë tërësisht të gabuar, siç edhe ka rezultuar dhe ky moderatori/e që arrin të kapë x % të shikueshmërisë totale mbetet me gisht në gojë. Në një luftë të vazhdueshme për vëmendje prodhuesit e këtyre produksioneve që supozohet të arrijnë shifra marramendëse shikueshmërie bëjnë gabimin më të madh të mundshëm që i destinon të jenë dështakë të profesionit të tyre; nuk investojnë mbi programin, mbi materialin, mbi skenarin dhe strukturën e mirëpërcaktuar që duhet të ketë një emision i mirëfilltë dhe që pretendohet të ketë premisa jetëgjatësie, përmirësim e produktivitet. Shkurt e qartë dëshira për vëmendje, për të prodhuar më shumë lajm portalesh sesa argëtim, cilësi në parim, ka bërë që televizioni të pushtohet nga “tallavaja vizive”. Gjithnjë janë ankuar se muzika është pushtuar nga tallavaja por television është ai që në fakt ka shumë pak vend për cilësi.
Frika se ndoshta kurbat e shikushmërisë do të jenë në regres vërehet që në sytë e moderatores/it, mënyrën e saj/tij të komunikuarit e sidomos në fjalinë slogan që pothuajse shumica e moderatorëve thonë: “Le të bëhen gati portalet! Do të shkruajnë portalet për këtë që the. Mbani shënim ju portalet.”
Dhe pikërisht nga fakti që portalet shkruajnë, këta drejtues të dashur mbledhin linqet e statistikat dhe ia përplasin sponsorit në tavolinë! “Për mua shkruhet, për personazhet që unë ftoj shkruajnë të gjithë!”- edhe pse në fakt mund të jetë shkruar për fustanin shumë të shkurtër të së ftuarës, për dekoltenë e hapur të saj, apo për faktin dikush në daljen e parë publike tha ”Më ha m*tin”. Pra praktikisht sot emisionet i vë në peshore dhe i nxjerr në krye të listave të shikueshmërisë puna e portaleve mbi fjalën “m*t” që thuhet vërdallë në emisionet.
Ajo që të bën të çuditesh është fakti që të gjithë VIP-at, moderatorët e të gjithë me rradhë, na e hedhin fajin neve, portaleve që shkruajmë për ta pa shkak mbi baza të kota, se aluduam, se mashtruam. Padiskutim që ka portale gjakpirëse që ashtu si televizionet me programet “bëjmë një gjë se e do populli” punojnë vetëm për një titull bombastik ,pa i dhënë rëndësi dhe as vërtetësi brendësisë.
Ama le ta pranojmë pak që ka edhe nga ata personazhe që për të qenë në qendër të vëmendjes stisin e qëndisin “scoop”-e qëllimisht. Moderatorët për shembull kur intervistojnë bëjnë pyetje tendencioze për të prodhuar lajm më shumë sesa për të kënaqur shikuesin ose vetë të ftuarin, bëjnë lëvizje të qëllimta që të nesërmen apo edhe në moment, gjeli.com të ketë krijuar një artikull të cilin ai mund ta kritikojë ama si statistikë do e përdorë padyshim.
Nevoja për shikueshmëri sot vërehet tek provokacioni, dhe nuk ka gjë më të shëmtuar se një drejtues/e programi që të ta kërkojë me këmbëngulje që ta ndjekësh,( ka disa që u dallohen nevoja për shikueshmëri që në sy) kot, thjesht sepse i duhen ato të shkretë grafikë në një kohë që refuzon alternativën tjetër; të punojë vetë; t’i bëjë të gjitha këto portale të ulen ta shohin vetë emisionin pa ua dërguar ti vetë lajmet të gatshme; të kënaqet publiku duke e parë, i paktë në numër por besnik ama. E pra kjo është një arsye përse shumica e njerëzve shohin “L’Isola dei Famosi”, “Grande Fratello” apo filmat e Netflix-it pasi në televizionet tona ke  shumë pak programe nga të cilat mund të marrësh kënaqësi. Tek ne mbizotëron një garë e shëmtuar dhe babëzi e frikshme për të qenë në krye të listave të shikueshmërisë duke mos bërë asgjë interesante./Blitz.al/
I.M  
Komento
Shperndaje